Maya është një këngëtare me zë të mrekullueshëm. Ajo që e dallon këtë artiste nga kolegët, janë edhe mimikat që bën teksa “luan” personazhin e saj në videoklipet e këngëve. Kjo nuk është aspak e rastësishme. Maya është aktore në profesion. Ajo ka studiuar dikur në Akademinë e Arteve dhe teatri ka qenë ndër dashuritë e saj të para. “Dikur gjatë shkollës , nuk mund ta imagjinoja jetën jashtë skenës së teatrit”, thotë artistja në një intervistë për “WHO”. Dhe ashtu si çdo dashuri e parë, edhe Maya nuk e ka harruar kurrë të sajën. Ajo është rikthyer në skenën e Teatrit Kombëtar me komedinë “Spiuni i Ballkanit”, që është pritur shumë mirë që në ditën e saj të parë dhe kjo është vënë re nga publiku në sallë që e ka duartrokitur dhe ka qeshur me këtë komedi. Maya të gjithën këtë e rrëfen me emocion, por ju keni mundësi ta shihni edhe më nga afër. Shfaqja “Spiuni i Ballkanit” vihet për të gjithë artdashësit çdo të mërkurë, të enjte, të premte, të shtunë e të dielë në skenën e Teatrit Kombëtar.
Maya kush ta bëri propozimin për këtë shfaqje? E mendove gjatë?
Rolin e Danicës, ma ka propozuar regjisori Spiro Duni. U gëzova shumë nga ky propozim, por edhe u mendova pak, për arsye personale… Jo vetëm kjo, por më duhej të anuloja edhe një sërë koncertesh të planifikuara. Mirëpo dashuria e madhe që kam për teatrin, i mposhti këto dy arsye të rëndësishme dhe ja ku jam.
Të kishte munguar skena e teatrit? Si ishte ky rikthim, çfarë të solli në mendje?
Kur luaja gjatë provave, e kuptova sa shumë më kishte munguar skena e teatrit… Dikur gjatë shkollës, nuk mund ta imagjinoja jetën jashtë skenës së teatrit. Rikthimi, ashtu si vetë kjo fjalë, të çon aty ku e ke filluar… Tek shfaqjet që bënim në Akademinë e Arteve dikur, dhe në skenën e Teatrit në Gjermani, para 13 vjetësh, ku dhe atje kam luajtur dy role.
Pse ke bërë kaq shumë mungesa në teatër?
Mungesat në teatër, janë kryesisht nga përkushtimi im në artin e të kënduarit, që natyrisht e dua shumë.
A ke marrë komente nga ndonjë prej pedagogëve të tu në këtë rikthim?
Tani jemi vetëm një ditë pas dy shfaqjeve dhe ndoshta pedagogët e mi ende nuk e kanë parë. Por kam marrë komplimente shumë të vyera për mua nga Diva e kinemtografisë dhe teatrit shqiptar, znj. Margarita Xhepa. Ajo veç të tjerash, më tha: “Maya, ti duhet të luash patjetër teatër”…
Si është pritur shfaqja?
Shfaqja është pritur në mënyrë të shkëlqyer nga publiku. Kjo është shumë e rëndësishme.
Ke në krah një prej emrave më të mëdhenj të teatrit dhe kinematografisë siç është Ndriçim Xhepa, sa të jep siguri ky fakt?
Aktor me një emër kaq të madh si Ndriçim Xhepa, është fat të punosh me të. Kam shijuar çdo ditë prove. Veç kësaj ai është shumë kolegial dhe modest.
Do të vazhdosh me teatrin?
Dëshiroj të bëj një gërshetim mes këngës dhe teatrit, si këtë radhë. Uroj ta realizoj!
Cili është dallimi me skenës së teatrit dhe muzikës?
Nuk di ta shpreh tamam këtë dallim ndërmjet këngës dhe teatrit. Por mund të them, se teatri është “mbreti” i arteve.
Po në muzikë kur do të sjellësh diçka të re?
Unë dhe në këtë pjesë teatrale këndoj. Domethënë “Danica” këndon. Është një këngë me kompozim të Klement Markut, dhe tekst të regjisorit të shfaqjes Spiro Duni. Kjo këngë është si kolonë zanore e shfaqjes,e cila u prit nga publiku gjithashtu në mënyrën më të dashur. Është fat të punosh me regjisor Spiro Dunin, me aktorët e shkëlqyer Albano Prodani, Besmir Bitraku, Alesia Xhemalaj. Kemi një atmosferë të shkëlqyer me njëri-tjetrin. Dhe në fund një falenderim i shkon edhe Teatrit Kombëtar dhe drejtorit shumë produktiv Hervin Çuli.