Mëngët aksesor? Ja që po. Të veçuara dukshëm nga pjesa tjetër e fustanit për të qenë sa më shumë protagoniste, gati për të rrëmbyer vëmendjen e gjithë veshjes, të fryra, pak të lëshuara dhe sidomos të bardha. Në fustane nusërie, pantallona apo veshje skene s’ka rëndësi. Do bëhen shumë shpejt të preferuarat e të gjitha vajzave. Kanë filluar. Vetëm këto ditë kemi parë plot nga vajzat e skenës që i kanë bërë mëngët televizive:
Dojna bëri rikthimin e programit të ri në “Top Channel” me këtë kostum të bardhë aspak klasik, ku theksi bie mbi mëngët dhe e kthen një veshje fare të thjeshtë në veshje skene.

Fatma bëri të njëjtën zgjedhje mbrëmë në rolin e ri si opinioniste tek “Përputhen”. Fustan i bardhë e i thjeshtë me mëngët që dukeshin si të kombinuara me kaçurrelat e saj.

Kurse Luana i çon mëngët si pufka në tjetër nivel. Gjithë madhështia e fustanit bie tek mëngët që duken si veshje më vete dhe i japin peshën e duhur një zgjedhjeje për natën e parë të vitit të ri në një emision festiv.

Por nuk janë vetëm skenike. Mëngët “puffed” po i zgjedhin edhe nuset. Dy ditë më parë Iva Tiço ka zgjedhur fustanin e nusërisë. Mes dantellash, tylesh, xixash e gurësh që gjenden me tonelata nëpër raftet e fustaneve të “Géraldina Sposa”, Iva ka zgjedhur pikërisht mëngët si protagoniste të imazhit të ditës më të bukur të jetës.

Dhe nëse doni akoma mëngë të bardha të fryra, por njësoj elegante, ka një tjetër model po tek “Geraldina Sposa” për të gjitha nuset që ju pëlqen detaji fru-fru.








