Nga revistawho.com
Zhaku, ose Inida, quajeni si të doni, nuk është nga ata personazhe që kalojnë heshtur. Lajmi se do të krijonte një parti politike jo vetëm shkaktoi zhurmë, por vuri në lëvizje edhe ata që nxituan të merren me anën teknike të krijimit të partisë…. Me organizimin, mbledhjet e firmave e gjithë ç’duhet për të ngjizur një organizëm të ri politik, në një vend si Shqipëria, e etur për pak lëvizje ujërash. Mediat raportuan lajmin dhe të gjithë u kuriozuan. Vetëm se e gjitha zgjati shumë pak. Shumë shpejt Zhaku kërkoi ndjesë dhe u tërhoq. Por nuk harroi. Sepse gjithsesi një parti do ketë. Jo politike, por një tjetër parti. Në këtë intervistë për Who, ajo na i ka treguar të gjitha…
Para pak kohësh na dhe lajmin se do të kishim një parti politike prej teje. Ç’ndodhi? Pse hoqe dorë?
Pas disa daljeve të mia publike, ku mbajta qëndrime shumë kritike ndaj qeverisë dhe opozitës, ishin mesazhet e publikut që më nxitën të themeloj një forcë politike. Isha shumë e inatosur prej shembjes së Teatrit, mungesws totale tw drejtësisë dhe demokracisë, si dhe në rrethana të tjera ato kohë. Duke parë se nuk kishte asnjë shpresë, mora vendimin për të krijuar një parti. Gjeta mbështetje dhe besim nga njerëz me vlera në shumë drejtime, të cilëve u jam shumë mirënjohëse. Corona ama bëri të vetën, mbyllja e kufijve dhe reflektime të thella mbi jetën time. Me Christian kishim një vit që jetonim të ndarë dhe secili kishte punët dhe angazhimet e veta, por vendosëm që të mos ndahemi dhe u rikthyem së bashku, gjë që më ndryshoi edhe planet e tjera. Jam e lumtur me vendimin që kam marrë por më vriste ndërgjegja për partinë e premtuar. Diskutimet publike bënë që të shtohej komunikimi me ndjekësit e mi dhe një pjesë e madhe mblodhën firma, të cilëve u jam shumë mirënjohëse, si dhe propozonin ide, zgjidhje për çështje të ndryshme, gjë që më bëri të kuptoj se ka shumë shqiptarë të ditur, të formuar, të ndershëm, të cilët jo vetëm nuk përfaqësohen në politikë por nuk kanë as zë në opinionin publik, edhe pse e meritojnë më shumë se shumë figura publike në politikë apo media. Për këtë arsye vendosa të zhvilloj intervista online me njerëz që njoh, miq, familjarë, personazhe publikë apo krejt të panjohur, në mënyrë që historitë, mendimi i pavarur dhe ide të reja t’i ofrohen skenës politike dhe publike shqiptare. Ky cikël do të quhet “Parti”.
Pse e quajte një vendim egoist angazhimin tënd?
Unë quajta vendim egoist mosangazhimin tim, pasi kryesisht ndoqa interesat e mia, duke mos sakrifikuar gjithçka ka për t’u rikthyer në Shqipëri për të themeluar Partinë. Por, kur e mendoj thellë, besoj se ka qenë një vendim i mirë edhe për publikun, pasi sado e formuar të jem unë në përgjithësi, nuk ndihem plotësisht në nivelin që mendoj se duhet të jenë politikanët.
Është një projekt që tashmë është fshirë përgjithmonë apo po pret për një kohë tjetër?
Nuk mund të flas për të ardhmen, pasi shpeshherë e kam bërë dhe ka rezultuar e kundërta, por besoj se nëse në të ardhmen do të dilja në publik me idenë e një partie, do të bëhesha qesharake dhe pak si ajo historia me atë që thërriste “Ujku, ujku…”. Besoj se vetë si opsion është i djegur për një përsëritje, por unë do të jem gjithmonë aktive si qytetare përmes fjalës dhe punës time, siç kam qenë deri tani.
Atëherë, meqë nuk do kemi një parti politike, na trego pak për Partinë tënde tjetër. Edhe pse detajet do t’i zbulojmë rrugës, po do donim që kuriozitetin në vija të përgjithshme që mund ta shuajmë tani
Do të jetë një program i realizuar në kushte shtëpiake, në karantinë. Do të jetë i përqëndruar në biseda online me personazhe të ndryshëm. Pas aq shumë vitesh punë në media, kam arritur në konkluzionin se nuk janë shpenzimet, luksi, pompoziteti që e bëjnë një prodhim të ndiqet, por një bisedë e bukur, histori të rralla, rrëfime të sinqerta, njerëzit realë, e vërteta është ajo çfarë tërheq më së shumti dhe unë këtë dua të përcjell tek ndjekësit e mi, njerëzit siç janë në të përditshmen e tyre. Natyrisht nuk do të mungojë satira dhe parodia, të cilat nuk kanë munguar kurrë në punën time. Jam duke bërë maksimumin tim që të jetë sa më tërheqës, të shohim si do dalë.
Ku të të gjejmë, kur të të gjejmë dhe si të të gjejmë?
Unë gjendem në FB nën emrin tim Inida Kreuz. Profili im është publik dhe aty postoj vazhdimisht të reja rreth meje dhe punës time. Jam në bisedime në lidhje me transmetimin e programit edhe në një TV shqiptar, por do të shohim pas realizimit të demos se çfarë do të ndodhë. Gjithsesi, unë do ta bëj këtë program për ta transmetuar në rrjetet e mia në youtube, vimeo, fb, etj.
Ka të paktën tre arsye se përse duhet të të ndjekim?
Malli, kurioziteti dhe dashamirësia.
Është një emision për politikën, kundër politikës?
Do të jetë një parodi për politikën kundër bullshitizmit dhe pro së vërtetës.
Çfarë pret të ndodhë ?
Nuk kam asnjë pritshmëri dhe po shoh të bëj më të mirën e mundshme si solo producente e tij. Mjafton për mua edhe vetëm një prej ndjekësve të mi ta pëlqejë punën time dhe unë ndihem e shpërblyer, pasi ndjekësit e mi janë për mendimin tim, njerëz të ditur, të zgjuar dhe me sens të lartë humori. Besoj se ajo çfarërë do më bënte më së shumti të lumtur, do të ishte repertori i të intervistuarve dhe intervistave. Uroj që të kem sa më shumë personazhe dhe biseda me vlerë në program.
A duhet të kemi frikë se mos edhe këtë projekt do na i anulosh?
Nuk besoj se do anulohet ky projekt se kam gjithë kushtet dhe vullnetin për ta bërë. Për më tepër që kam nisur edhe me intervistat dhe me montazhet, ndaj nuk besoj se do anulohet. Thjesht nuk kam presion nga askush dhe nuk e di se kur do të jetë gati për transmetim. Uroj gjatë periudhes së festave. Nëse ndonjë prej TV do vendosë të bashkëpunojmë, kjo do të jetëpastaj e vendosur nga të dyja palët dhe nuk do të jetë vendim vetëm i imi.
Pas disa vitesh e larguar, si e sheh ti Shqipërinë prej së largu, më mirë, më keq apo si shumë të tjerë “ky vend nuk bëhet”?
Me thënë të drejtën perceptimi im mbi Shqipërinë është me shumë ngjyra dhe për ta shpjeguar në mënyrë simbolike do thoja se i shoh të gjitha ngjyrat e mundshme, përvec të bardhës, të zezës dhe grisë. Ka shumë gjëra që duhen ndryshuar, përmirësuar dhe kritikuar, por besoj se motivuesi më i madh i njeriut është dashuria, mbështetja. Kur e sheh tjetrin të rrëzuar duhet ta ndihmosh të ngrihet. Sidomos në këtë periudhë karantinimi duhet shumë solidaritet dhe mirësi. Duhet dëgjuar më shumë sesa folur, prandaj nuk dua të drejtoj gishtin ndaj asnjë fajtori por të bëj dicka pë të dhënë kontributin tim. Unë nuk kam qenë kurrë dakord me ” Shqipëria nuk bëhet”, pasi Shqipëria është për mua vendi im, dashuria ime dhe kam njerezit më të dashur aty. Unë vazhdoj të kem nënshtetësi shqiptare edhe pse prej vitesh mund ta merrja gjermanen, por nuk shoh asnjë arsye të ndryshoj nënshtetësinë, pasi nuk kam asnjë problem që jam shqiptare, përkundrazi më bën të ndihem edhe më e veçantë kur them se jam shqiptare, pasi askush nuk e pret. Wow shqiptare, thonë ata me habi dhe më shohin me një lloj zilie, se e shohin se pas meje fshihet një histori intriguese, jo si e gjermanëve të 50 viteve të fundit, monotone dhe pa asnjë problem.
E mendon kthimin?
Më shumë se sa e mendoj, thurr ëndrra me sy hapur, por besoj se kthimet do të mbeten të shpeshta dhe periodike. Mbase kur të plakem do jetoj me Christian në bregdet, në jug.
Ndërkohë, a mund të na tregosh pak për jetën tënde jashtë këtij angazhimi të ri?
Jeta ime është e thjeshtë por e bukur. E mbushur me kreativitet dhe liri. Jemi duke punuar për albumin e tretë me Christian, për projektin tonë muzikor “Shakull”, merremi me gatime, kemi një palestër modeste në shpi. Bëj punë shpie dhe merrem me programin. Për momentin, kjo është jeta ime. Vazhdoj dhe studimet online për Master në menaxhim biznesi dhe përpiqem ta jetojmë karantinën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Na lajmërove gjithashtu se je rikthyer sërish me bashkëshortin. Si janë gjërat tani mes jush?
Janë shumë mirë. Besoj se ndarja na ndihmoi jo vetëm të kuptonim se sa të rëndësishëm jemi për njëri tjetrin, por edhe të reflektonim mbi pengesat e mëparshme, të cilat falë komunikimit të vazhdueshëm me njëri tjetrin, edhe gjatë ndarjes, u sqaruan, sheshuan dhe zbehën. Jemi shumë mirë tani, si një çift i sapodashuruar dhe ndihem me shumë fat për këtë.
Inida apo Zhaku, si të thërrasin tani?
Në Gjermani më thërresin të gjithë Inida, madje më komplimentojnë vazhdimisht për emrin, pasi është i veçantë dhe pyesin vazhdimisht për kuptimin e tij. Tani njerëzit më thërresin krysisht Inida por edhe Zhaku kur jam në Shqipëri. Për mua ska shumë rëndësi. Më erdhi për të qeshur kur lexova këtë pyetje.