Zonja e Parë e Amerikës, Melania Trump, si traditë të përvitshme për Krishtlindje ka vizituar Spitalin e Fëmijëve në Washington, ku i lexoi një libër pacientëve të vegjël. E ulur pranë një peme Krishtlindjesh, Melania lexoi një histori të librit “Oliver the Ornament Meets Marley and Joan and Abbey”.
“Është e mrekullueshme të jem këtu. Ky është një nga eventet e mia të preferuara në fundvit”-tha Melania duke përshëndetur në veçanti një pacient.

“Përshëndetje të gjithë pacientëve që po na ndjekin dhe një përshëndetje të veçantë për Kellan, shpresoj të jesh mirë, qëndro i fortë dhe vazhdo lufto”-i tha Melania.
Melania hyri në spital me një maskë, por e hoqi kur nisi të lexojë librin, një veprim që u kritikua nga ata që e vunë re, sidomos në një kohë të tillë ku shifrat e të infektuarve me koronavirus janë në rritje.
Një zëdhënës i spitalit tha për CNN se rregullat nuk kërkojnë që dikush të vendosë maskë kur mban fjalim, për më tepër askush nuk ishte pranë Melanisë.








