Mbrëmjen e kaluar është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare kompozitori i njohur, Agim Krajka. Lajmin e ka dhënë i biri i tij, Ulis Krajka me anë të një postimi në rrjetet sociale ku ka njoftuar humbjen e të atit.
Krajka ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj” të kënduar nga Irma dhe Eranda Libohova.
Revista Who i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Krajka për këtë humbje të madhe të një prej artistëve më të mëdhenj e të merituar të vendit./revistawho.com








