Nga revistawho.com / Fotot: Eisar Asllanaj
Veçse 16 vjeç kur u angazhua në politikë, sot Floida Kërpaçi është kryetare e LRI-së dhe kandidate për deputete në Tiranë, ndaj mbron fort idenë e të rinjve në politikë. E pyes se çfarë ka mundur të ndryshojë ajo dhe më rendit disa nisma që kanë të bëjnë me të rinjtë. Mandej, kam kërshëri të di, se ç’bën në politikë një vajzë a djalë i ri, që nuk ka mundur të lexojë ende gjithë klasikët apo të shohë 100 filmat më të mirë të të gjitha kohërave. “Ata që rrëzuan sistemin diktatorial, ishin në moshë aq sa ç’jam unë”, – më thotë Floida dhe thekson se “rrëzuan regjimin dhe morën në dorë vendin”.
Ndërsa lista për kandidatë të LSI, është plot me të rinjë në qarqe të tjera dhe në Tiranë, Kërpaçi, pothuaj në emër të të gjithëve, jep gjithë arsyet pse këta janë gati.
“Çfarë ndodh në disa raste është se politikanët që kanë shërbyer 4-5 apo më shumë mandate mund të humbasin lidhjen me njerëzit, veçanërisht me rininë. Ata shpesh herë edhe nuk i kuptojnë dot vështirësitë që ka rinia shqiptare. Kjo është arsyeja pse unë po kandidoj dhe jam shumë entuziaste”, – më thotë me një zë që nuk i dridhet, duke përçuar siguri në mendimin e saj.
Floida është një vajzë e re, që shkollohet në universitet publik, që jeton ende me ndihmën e familjes, në një Tiranë, ku është e vështirë pa ta, ekonomikisht, e jo vetëm. E pyes me dhe pa shaka për batutën e njohur mbi gjirokastritët kursimtarë, ngase andej ka origjinën. “Është mit ajo që jemi shumë kursimtar”, – më thotë, dhe shton me dhe pa shaka se “ne dimë të bëjmë ekonomi dhe ta menaxhojmë lekun”.
Më ka përmbledhur në një intervistë të vetme, pothuaj gjithë platformën elektorale, që i drejton sytë nga të rinjtë. Kam një merak për biletat e urbanëve në Tiranë, për mungesën e kondicionerëve, për kushtet e tyre, për vonesat, se më duhet t’i pres edhe më shumë se 20 minuta në stacione dhe Floida më premton se e ka në vëmendje, hallin tim, që nuk është vetëm i imi.
Pak prej natyrës, pak prej profesionit i kërkoj të më bindë pse duhet të angazhohem edhe unë në poltikë, si mund të më bindë ajo se do të dëgjohem, se nuk do imitoj ata që kam përçmuar. E dini ç’më thotë Floida?
Për këtë, duhet lexuar intervista, ku ka shumë batuta e kundërbatuta, ç’janë intervistat e gazetarëve e politikanëve të mëdhenj, para kësaj tonës. Deri tani, nuk keni parë gjë akoma.
E ke nisur udhëtimin e madh, duke u bërë kryetare e LRI-së. Pse vendose të angazhohesh në politikë?
E kam nisur rrugëtimin tim politik kur isha në vit të dytë në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. I jam bashkuar të rinjve në gjimnazin tim që po angazhoheshin me LRI-në në hartimim e një programi për të përmirësuar sistemin e maturës shtetërore. U ndjeva shumë mirë, sepse ishte një forum ku kishte shumë të rinj energjikë, me vlera, me ide dhe mbi të gjitha këto ide dëgjoheshin, vlerësoheshin dhe me këto ide ata punonin për të hartuar një politikë konkrete siç ishte ajo për maturën shtetërore. Bashkëpunuam për këtë konferencë për maturën shtetërore ku dolëm me disa pika propozimesh dhe si gjimnazistë në realitetin ku jetonim, u munduam që të punonim së bashku për ta ndryshuar atë dhe për ta bërë më të mirë. Më pas vendosa të isha akoma e më e angazhuar, që atë që bëmë për maturën ta bënim dhe për aspekte të tjera të jetës së rinisë që nuk përfillen fare nga politika “e madhe”.
Jam bërë pjesë e politikës sepse, që të sjellësh ndryshimin duhet të bëhesh pjesë e tij dhe unë besoj që ndryshimin mund ta sjellë vetëm rinia e vendit. Kemi në Shqipëri të rinj të talentuar, profesionistë që kanë studiuar brenda dhe jashtë vendit, që kanë përvojë dhe vizion për të ardhmen e atë çka na pret. Duhet të bëjmë çmos si të rinj që t’i mbështesim të tilla modele, në politikë, në shoqëri e kudo që të vijë ndryshimi i vërtetë e zhvillues për të gjithë.
Çfarë përparësie ka në politikë një studente e farmacisë?
Politika ka nevojë për njerëz të përgjegjshëm e humanë, të cilët punojnë për vendin dhe qytetarët, kanë ndjenja dhe pikërisht unë besoj shumë që profesioni i farmacistit dhe i mjekut është një profesion shumë human, i cili i shërben politikës për ta bërë atë më të paqtë, të brishtë dhe për t’i dhënë humanizmin i cili i ka munguar gjatë gjithë kësaj kohe.
Po pavarësisht profesionit unë besoj fort që politikës i duhen njerëz që udhëhiqen nga dashamirësia për të bërë më shumë për të gjithë, nuk na duhen më njerëz në politikë që mendojnë për veten e interesat e tyre.
Si Anëtare e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, për çfarë ke ngritur zërin në bashki?
Në Këshillin Bashkiak të Tiranës nga 13 këshilltarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, 10 jemi nga forumi rinor i LSI dhe për këtë arsye unë si e re, bashkë me këshilltarët e tjerë kemi lobuar fort për çështjet madhore të të rinjve, kemi diskutuar për çështje si karta e studentit, aboneja e studentit, çështje të transportit publik për probleme të tjera të cilat i përkasin rrugicave të shumta në Bashkinë e Tiranës, duke përfshirë 11 njësitë, por edhe Ish-Komunat ku mund të themi se sot në dy vite punë, Tirana ka më shumë gjelbërim, rrugë të rehabilituara, parqe, kënde lojrash për fëmijët. Kemi kaluar në Këshillin Bashkiak dy projekt-vendime shumë të rëndësishme për të rinjtë, siç është projekti “Të rinjtë dhe të rejat drejt një profesioni” që i jep mundësinë të rinjve që nëpërmjet një trajnimi në biznese private apo në ndërmarrjet e Bashkisë të kenë mundësinë të kryejnë një praktikë pune dhe pastaj, pas kësaj praktike nëpërmjet aftësive të tyre, të punësohen pranë këtyre sektorëve – dhe projekti “Bizneset Sociale rinore” që i japin shansin të rinjve që kanë një biznes social, një ide inovatore të aplikojnë për këtë biznes.
Besoj se këto kanë qenë projekte shumë madhore për të rinjtë, por gjithashtu dhe projekti dhe fondi që kemi pasur për gratë sipërmarrëse i cili i jep shansin grave që kanë një ide biznesi të aplikojnë dhe të përfitojnë nga këto projekte dhe grante.
Problemet në Tiranë për të rinjtë janë nga më të shumtat dhe pa diskutim si e re, si studente ashtu si çdo i ri tjetër unë i jetoj këto sfida në kryeqytetin tonë, ku edhe pse shanset janë më të mëdha sfidat tona janë të jashtëzakonshme dhe për këtë arsye, ne si të rinj kemi punuar fort që realitetin në Tiranë ta ndryshojmë, kemi akoma shumë punë për të bërë. Pa diskutim që nuk do të ndalojmë asnjëherë së foluri e vepruari për sfidat dhe problemet e të rinjve dhe për t’i dhënë zgjidhje atyre. Të rinjtë sot në Tiranë dhe në mbarë vendin kanë shumë probleme, ankth e stres që nga momenti i parë kur shkojnë në shkollë dhe deri në momentin kur mbaron shkolla, për të hedhur hapa drejt një tregu pune. Për këtë arsye si të rinj që jemi, po punojmë fort për ta ndryshuar këtë realitet dhe ky është qëllimi i angazhimit tonë në politikë.
A kanë ardhur njerëz të ankohen për problematika të ndryshme mbi administrimin e bashkisë, a ke mundur t’i ndihmosh?
Unë kështu e shoh politikën – që politika është aty për t’u kujdesur për njerëzit e për të sjellë progres. Marrëdhënia jonë është me qytetarët dhe ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta.
Kemi pasur shqetësime të shumta nga banorët e Tiranës dhe i kemi adresuar por shpesh herë edhe ne kemi bërë thirrje të shumta që njerëzit të na kontaktojnë sepse kështu na ndihmojnë dhe ne për të kuptuar më mirë nevojat e tyre.
Ne si këshilltarë të LSI kemi bërë dëgjesa në 11 Njësitë e Tiranës, por edhe në ish-Komunat me biznese, me të rinj, me gratë dhe kjo me një qëllim për ti dëgjuar për shqetësimet që ata kanë dhe në bazë të këtyre ne kemi hartuar paketat tona të propozimeve si në vitin 2016 ashtu dhe këtë vit ku këto kërkesa kanë nisur që nga qendrat rinore duke vazhduar deri te rehabilitimi i rrugëve apo kërkesa të tjera të cilët banorët kanë qenë të shqetësuar dhe kërkonin zgjidhje. Pa diskutim që një pjesë e kërkesave kanë gjetur zgjidhje, janë bërë pjesë të buxhetit dhe një pjesë e tyre janë projektuar për këtë buxhet dhe për këtë arsye sot ndihem mirë sepse ne kemi çuar me shumë krenari misionin tonë përpara për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të qenë çdo ditë me ta sepse kjo është detyra jonë dhe padiskutim që duhet të bëjmë më të mirën. Çdo qytetar i Tiranës meriton të jetojë në një Tiranë më të mirë por duhet puna jonë, një bashkëveprim më i ngushtë mes qytetarëve e përfaqësuesve të tyre, që të angazhohemi të gjithëve për të sjellë dhe për të ofruar më shumë shanse. Unë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës por edhe të Shqipërisë, të na shkruajnë për shqetësimet dhe problemet që ata kanë dhe së bashku të gjejmë zgjidhje për to.
Transporti urban, vonesat, tejmbushja, rritja e çmimit të biletës, kondicionerë të fikur. Çfarë mund të bëhet, për të përmirësuar jetesën e përditshme të qytetarëve të Tiranës?
Prandaj jam angazhuar në politikë dhe prandaj besoj që të rinjtë duhet të bëjnë të njëjtën gjë sepse një i ri e njeh realitetin, e jeton atë dhe do ta ndryshojë atë. E di që nuk janë kushtet më të mira në transportin publik, duhet akoma më shumë punë, të përmirësohet sistemi i transportit publik sepse është shumë shqetësues dhe për këtë gjë unë kam diskutuar edhe në Bashkinë e Tiranës që kërkohet më shumë vëmendje nga kjo anë, kërkohen shtimi i autobuzave, të kenë kushte më të mira, orare të besueshme dhe ti ofrojmë qytetarëve të Tiranës atë cilin meritojnë dhe për të cilën paguajnë.
Por kam besimin duke parë arritjet pozitive të Bashkisë në këto 2 vite, në fund të mandatit do të gjejmë zgjidhje reale për çështjet shqetësuese në transportin publik.
Kam lexuar një intervistë ku thua se të rinjtë duhet të angazhohen, të mos jenë indiferent, të japin ide të reja të ndryshojnë shumëçka. Si mund të më bindësh që duhet ta bëj, se do të dëgjohem, se nuk do imitoj ata që kam përçmuar? Çfarë ke mundur të ndryshosh ti?
Çfarë ndodh në disa raste është se politikanët që kanë shërbyer 4-5 apo më shumë mandate mund të humbasin lidhjen me njerëzit, veçanërisht me rininë. Ata shpesh herëedhe nuk i kuptojnë dot vështirësitë që ka rinia shqiptare. Kjo është arsyeja pse unë po kandidoj dhe jam shumë entuziaste që jemi kaq shumë të rinj nga LSI në listën e kandidatëve. Ne i kuptojmë sfidat që përballet rinia shqiptare, ne i jetojmë dhe i shohim te bashkëmoshatarët tanë përditë këto sfida. Unë besoj se ne na duhet një qeverisje që e ndjen ndjenjën e përgjegjësisë dhe reagon aktivisht ndaj sfidave që përballet rinia jonë. Rinia shqiptare ka nevojë për më shumë zëra në parlament e qeveri që të adresojë shqetësimet e saj. Mendoj se ti, ashtu si dhe rinia shqiptare duhet patjeter të angazhohet! Sepse nëse jemi bashkë, jemi më tëfortë, prodhojmë më shumë ide dhe vendi ynë më shumë se kurrë ka nevojë për idetë e energjitë e rinisë për të ecur përpara me një drejtim të ri qeverisës që kujdeset për njerëzit.
E re, studente, në politikë, në fushatë. Je pjekur para kohe, apo kemi të bëjmë me një brez që është më i zgjuar se paraardhësit? Një 22-23 vjeçar 10 vjet më parë, nuk ishte ende gati të merrte angazhim si deputet, pse sot është? Pra, pa i lexuar të gjithë klasikët, pa parë 100 filma me çmime Oscar, pa e njohur administratën nga brenda, si është të jesh gati kaq shpejt?
Shpesh herë kam dëgjuar dhe kam lexuar nga shumë skeptikë se të rinjtë nuk munden, të rinjtë nuk kanë eksperiencë. Dua të them tre pika shumë të rëndësishme për këtë gjë.
E para a nuk ishin pikërisht të rinjtë në vitin ‘90 që sollën demokracinë në vend dhe ishin pikërisht këta të rinj drejtues të vendit tonë në atë kohë.
E dyta në qoftë se ju quani eksperiencë dhe aftësi modelin që na kanë sjellë këta pushtetarët e sotëm,modelin e kanabisit, modelin e dhunës, modelin e të qenit kriminel apo bandit atëherë unë si e re do të ndihesha shumë e ofenduar në qoftë se do më kërkohej të kisha këtë background. Ama ajo që unë si e re sjell është vizioni im, përkushtimin dhe sinqeritetin tim për të thënë të vërtetën, për të punuar për të vërtetën dhe për të sjell ndryshimin në vendin tonë i cili realisht na ka munguar sepse askush nuk ka punuar dhe nuk na ka dëgjuar për këtë realitet që ne jetojmë por gjithmonë na kanë dëgjuar në momente kur kanë pasur interes për të marrë votën. Politika nuk është çështje pushteti, por si t’i shërbesh qytetarëve dhe t’i japësh një shans për të patur një jetë më të mirë. Ne jemi gati sepse kush më mirë sesa një i ri i di problemet e të riut sepse ne i jetojmëçdo ditë ato sfida dhe pa dyshim do të luftojmë fort për ti ndryshuar ato.
Si mund të bindet një elektorat gri, që të votojë së pari dhe LSI-në së dyti? A ka një çelës komunikimi, me banorët e Tiranës, që të të besojnë, ty, partisë tënde, bindjeve të tua, fjalëve të tua?
Vota është e drejtë kushtetuese për çdo qytetar shqiptar dhe secili duhet të shkojë të votojë, pavarsisht bindjeve. Pasi duke mos votuar, pa dashur i jepni shansin edhe atyre partivete cilat nuk do të sjellin asnjë politikë, nuk do të bëjnë asgjë të mirë për vendin dhe do ta çojnë vendin në greminë. E kemi aktual shembullin e të tillë partie, e cila ka rënë pre e nëj lidershipi që premtojë rilindjen por po than çdo shpresë që ka ngelur në vendin tonë.
Prandaj unë i ftojë qytetarët shqiptarë, prindërit, ata që presin apo kanë në plan të bëhen prindër, të votojnë për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe të mendojnë për fëmijët e tyre sepse një parti që mbështet rininë ka mbështetur dhe Shqipërinë, ndërkohë qënjë parti e cila nuk vetëm e përbuz rininë atëherë ajo nuk e do Shqipërinë.
Unë i ftoj të gjithë të rinjtë e familjet shqiptare që më datë 25 Qershor të votojnë numrin 1, të votojnë LSI sepse vota për LSI është vota për veten, familjen, vendin tonë dhe ka ardhur koha për të votuar partinë e cila është e thjeshtë, i mban premtimet, është mirënjohëse, sjell stabilitetin, mirëqenien dhe punon me politika konkrete për të përmirësuar jetën e të rinjve dhe duhet ti japim fund me votën tonë egoizmit, arrogancës, ndjenjës së unit dhe ti heqim përgjithmonë këta pushtetarë që mendojnë vetëm për veten dhe për familjen e tyre.
Më 25 Qershor voto për veten dhe familjen tënde.
Si e bën fushatën, ku shkon? Me çfarë udhëton një studente për të shkuar nëpër shtëpi e biznese?
LSI është në parti e thjeshtë e cila punon me modesti dhe përgjegjshmëri për të qëndruar pranë qytetarëve dhe pranë familjeve jo vetëm në fushatë por gjatë gjithë kohës sepse angazhimi dhe marrëveshja jonë është vetëm me qytetarin për politika që ndihmojnë dhe përmirësojnë jetën e tyre.
Ne shkojmë çdo ditë derë më derë, zemër më zemër te çdo familje për të takuar çdo qytetar të Tiranës dhe Shqipërisë për të përçuar te ata frymën, idetë dhe programin e Lëvizjes Socialiste për Integrim i cili do të krijojë më shumë shanse për punësim real të rinisë, për punë të mirëpaguara për familjet shqiptare, për të pasur një arsim më të mirë i cili të çon drejt një tregu pune të sigurt dhe mbi të gjitha për të pasur një ekonomi më të mirë në vendin tonë për ti rritur frymëmarrjen bizneseve, për të ulur taksat dhe për të krijuar vende të reja pune. Çdo ditë jemi në terren duke vazhduar punën tonë si çdo ditë të vitit për të dëgjuar qytetarët për problemet e tyre dhe për të punuar maksimalisht për të gjetur zgjidhje për to të cilat janë të shumta, janë të dhimbshme dhe në takimet që kemi çdo ditë me qytetarët kupton seriozitetin, kupton sesa e rëndësishme është që politika ti shërbejë qytetarëve.
Besimi te LSI është rritur jashtëzakonisht shumë dhe mirënjohja qytetare ndaj asaj cfare përfaqëson LSI më motivon akoma dhe më shumë për të punuar.
A je e pasur? Si jeton? Sa para harxhon në muaj?
Ne jemi një familje e thjeshtë, babin e kam ushtarak, ndërsa mamin ekonomiste.
E kam parë sakrificën që kanë bërë punuar fort për të më rritur mua, motrën dhe vëllain tim dhe na kanë rritur me bindjen dhe idealet që shkolla është shumë e rëndësishme dhe ajo të hap dyert e jetës dhe për këtë unë i jam shumë mirënjohëse prindërve të mi pa të cilët nuk do të isha këtu ku jam dhe nuk do të kisha hedhur asnjë hap, dhe një pjesë e energjive që kam vjen nga dëshira për ti bërë edhe prindërit e mi krenar për mundin e sakrificën e bërë për familjen.
Unëjam si të gjithë të rinjtë e tjerë dhe si të gjithë ju që po lexoni këtë intervistë dhe prandaj kam vendosur të bëhem pjesë e politikës, për ta ndryshuar atë dhe për të punuar për këto familje të thjeshta.
A u merr akoma lekë atyre të shtëpisë?
Jeta në Tiranë është e vështirë, e kushtueshme dhe pa diskutim që duke qenë akoma në shkollë të lartë prindërit janë një ndihmesë shumë e madhe edhe për angazhimet e përditshme dhe pa diskutim që pa ta nuk do t’ia dilja dot, ashtu si nuk ja dalin dot dhe të rinjtë e tjerë si unë.
Prandaj kemi planin tonë për punësimin e të rinjve i cili do të mbështesë të rinjtë të cilët do të kenë mundësi të punojnë në një vend pune të mirëpaguar në mënyrë që të përballojnë kostot e jetesës.
Në moshën tënde, 30-vjeçarët e sotëm ende merrnin leje nga prindërit për të dalë, për në plazh, për kafe. Ti si ia bën?
Meraku i prindërve për fëmijët gjithmonë qëndron. Kjo është pjesë e kulturës shqiptare, i familjes së fortë e të lidhur që ne kemi. Këtë e shoh një gjë të mirë, edhe për ata 30 vjeçarët sepse dashuria në familje është dashuri në shoqëri e mendoj që duhet ta ruajmë këtë.
Pjesa më e vështirë për ne të rinjtëështë përkushtimi ndaj prindërve kur ata të kenë nevojë për ne.
Kur e gjen kohën për të shkuar në shkollë? Për të mësuar? Si do dalësh me provimet e sezonit?
Siç e thashë dhe më para ëndrra ime ka qenë të vazhdoja Universitetin e Mjekësisë dhe që e vogël lexoja libra të natyrës biologjike kështu që shkolla vazhdon të jetë pasioni dhe prioriteti im më i madh, pa diskutim që fushata ka angazhimin e saj dhe na ka mbërthyer në një mision për të qenë pranë qytetarëve por padiskutim një njëri që është racional dhe e organizon kohën mund të arrijë që ti realizoj objektivat që ai ka.
A je gjirokastrite si natyrë, pra kursimtare?
Unë jam shumë krenare që jam nga Gjirokastra e cila është djepi i kulturës. Përsa i përket mitit që jemi shumë kursimtar, ne dimë të bëjmë ekonomi dhe ta menaxhojmë lekun sepse po flisnim dhe më përpara vështirësitë sot të bëjnë të jesh një ekonomist i mirë për të përballuar sfidat e jetës.
Si e sheh këtë reformën në arsim, meqë je ende në shkollë?
Reforma në arsim për mua është një reformë e dështuar sepse nuk i ka dhënë transparencë meritokraci dhe shanse të barabarta të gjithë gjimnazistëve. Duke folur këtu për maturën shtetërore, si e tillë e kam ndier këtë nga mijëra maturantë të cilët nuk patën mundësi të shkonin në universitetet që dëshironin dhe qindra të tjerë u dyndën drejt universiteteve private dhe qindra kuota në universitetet publike ngelën të lira dhe kjo është një katastrofë sepse reforma nuk duhet ti shërbente universiteteve jopublike dhe personave të veçantë për ti bërë ata miliardera por duhet t’i shërbejë të rinjve.
Kjo reformë bëri që shumë familje shqiptare të merrnin borxh për t’i çuar fëmijët e tyre në universitete jopublike sepse mbi të gjitha në një familje prindërit gjithmonë sakrifikojnë për t’i rritur fëmijët dhe për ti çuar në shkollë të lartë kështu që unë gjykoj që reforma në arsim e para ishte një reformë e cila që nga drejtuesja e saj ministrja Nikolla nuk ishte e qartë dhe ishte një reformë që nuk i dha mundësinë të rinjve që të shkonin në shkollat që ata dëshironin por krijoi një kaos për të gjithë të rinjtë.
Unë shpresoj që këtë 4-vjeçar ashtu siç kemi këmbëngulur për të ndryshuar pika dhe kemi çuar dhe propozimet tona si Lëvizje Rinore për Integrim, përsa i përket maturës shtetërore do të punojmë akoma dhe më shumë për ta ndryshuar dhe për t’i dhënë një karakter të një reforme që i shërben të rinjve dhe jo klientelizmit të oligarkisë.
Ka shumë për të përmendur si dështime të kësaj reforme e skemi përmendur akoma kushtet e dobëta në infrastrukturën e shkollave, mungesën e bibliotekave të pasura me libra e dije për të hapur horizontin e studentëve, trajtimi jo i denjë i pedagogëve të cilët duhen ndihmuar në mënyrë që edhe të performojnë më mirë, e shumë e shumë probleme të tjera.
Je në shkollë private a shtetërore, dhe pse e ke bërë këtë zgjedhje?
Unë studioj në Fakultetin e Farmacisë në Universitetin e Tiranës. Gjithmonë pa paragjykuar kam dashur të shkoj në shkollë shtetërore sepse e kam gjykuar atë më të fortë në kuptimin e sfidës dhe të vështirësisë dhe besoj se ajo të bën më të fortë për në tregun e punës. Një tjetër arsye ka qenë edhe egoja ime për të fituar një shkollë të mirë në bazë të rezultateve të larta që unë kisha. Universiteti publik është më konkurrues me më shumë sfida, arrin të dallosh miq edhe shok të cilët vijnë nga e gjithë Shqipëria dhe kupton sfidat edhe problemet që ata kanë dhe bashkarisht punon për të arritur rezulatet që synon.Gjithashtu universiteti publik ka kosto më të ulët dhe është më i përballueshëm për familjen time dhe familjet shqiptare.
Kur themi një shans për të gjithë, së pari është punësimi. Pa punë nuk ka shanse. Ku mund të gjenden këto vende pune? Administrata kaq është, bizneset private kaq janë, e shumë prej tyre paguajnë një herë në tre muaj dhe nuk i deklarojnë punënonjësi. Ku do gjenden shanse për të gjithë?
Prandaj ne kemi punuar me ekspertë të huaj dhe vendas për një plan i cili synon të hap 100.000 vende të reja pune duke u fokusuar në sektorët e turizmit, bujqësisë, shërbimet IT, shërbimet dhe konsulencat ligjore apo atyre financiare dhe shërbimeve të tjera kjo sepse vendi ynë të jep shumë mundësi, është një vend i bekuar nga Zoti dhe të jep kushtet e duhura për të krijuar vende pune të mirëpaguara. Plani ynë për punësimin e të rinjve synon që të krijohen këto vende pune duke u mbështetur në këto sektorë dhe duke i dhënë një frymëmarrje të re vendit dhe shansin të rinjve për të punuar në vendin tonë. Arsim për Punësim është motoja jonë sepse realisht arsim pa punësim është në sakrificë e pashpërblyer dhe arsimi duhet ti shërbej tregut të punës dhe të rinjve për tu punësuar. Realiteti në vendin tonë kërkon ta shohim me sytë e të vërtetës, ti gjejmë hapësirat në vendin tonë dhe të krijojmë këto mundësi për të rinjtë. Hapësirat janë të shumta në sektorët e lartpërmendur dhe pikërisht këtë begati që kemi marrë nga Zoti duhet ta shfrytëzojmë për të krijuar vende të reja pune. Administratat kaq janë, bizneset kaq janë pa diskutim por në qoftë se ne përmirësojmë klimën e biznesit, duke ulur taksat, duke rritur investimet e huaja jam e bindur që mund ti krijojmë vendet e reja të punës që do tiu rikthejnë të rinjve shpresën për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin e tyre.
Një moshatarin tënd që punon kamarier, ose shitëse, si e bind të të votojë? Çfarë do i ofroje?
Puna është nder dhe për ne të rinjtë puna është domosdoshmëri sepse si të rinj kemi nevoja të shumta të cilat familjet tona nuk e kanë mundësinë për të na i plotësuar të gjitha dhe unë kam shumë respekt për të gjithë të rinjtë që i krijojnë vetë mundësitë, të cilët në shumë rastë jo vetëm lehtësojnë familjen por edhe i ndihmojnë për të përballuar koston e jetesës.
Problemi është që pikërisht këto vende pune janë pak të paguara dhe njerëzit e kanë të vështirë të përballojnë koston e jetesës. Për këtë arsye duhet të përmirësojmë sistemin tonë arsimor dhe të krijojmë më shumë shanse për vende pune të mirëpaguara.
Shqipëria është e të rinjve dhe ndaj LSI i vendos të rinjtë të parët, është partia që mbështet të rinjtë dhe për këtë arsye do të punojë që të mos ua thyej shpresën këtyre të rinjve por ti krijojë shanset e një vendi me mirëqënie, me ekonomi të fortë dhe një vend që do të ecë me hapa të sigurt drejt Bashkimit Europian. I bëj thirrje gjithë të rinjve të votojnë numrin 1, sepse LSI ka një shans për të gjithë! / revistawho.com