“Djemtë më shihnin si deputete, të ftohtë dhe të largët, por kam treguar se kam çiltërsinë e moshës dhe se di të dua”
Nga revistawho.com / Fotot: Pirro Beati
“Unë nuk merrem me kolegët, por me çështjet”. Këtë më thotë Kejdi Mehmetaj, deputetja e re e LSI-së, kur e pyes për përballjet me të mëdhenjtë e politikës. Mes tyre ka qenë edhe Zysh Lindita (Nikolla), ish-minsitrja me të cilën Kejdi pati përplasje për reformën në arsim.
Është një intervistë që ngërthen deputeten dhe vajzën e re, duke hyrë e dalë nga pyetjet standarde për një kandidate për deputete. E pyes përshembull, çfarë ka bërë me rrogën e parë dhe me thotë që e ka dorëzuar në shtëpi, rrëfen se nuk harxhon shumë për rroba siç bëjnë moshatarët e saj, shkojmë te gratë tek të cilat ajo merr shembull ku më përmend Monika Kryemadhin e Arta Daden, por më beson edhe stepjen që kanë pasur para saj djemtë, duke e menduar atë si deputete të ftohtë e të akullt.
Mbërrijmë te fushata dhe në fokus janë problemet e qytetarëve, reagimi ndaj të pakënaqurve, durimi ndaj atyre që i hakërrehen politikës. “Ndryshe nga të tjerët nuk bëjmë barcoleta, as show, jemi të përgjegjshëm dhe e kemi vërtetuar se i qëndrojmë fjalës së dhënë”, – thotë Kejdi teksa pranon se gjithsesi, çdo herë mendon se ku kanë gabuar dhe se si mund të ndihmohet qytetari.
Kjedi vjen në një rrëfim për jetën brenda e jashtë parlamentit ndërsa përgatitet për një mandat të dytë në kyvend, si deputete e Tiranës.
Nga deputetja më e re në kuvendin e Shqipërisë, në një prej më aktiveve. Je përshtatur shumë shpejt, apo jo?
Unë e kam filluar angazhimin tim në politikë në moshë fare të re dhe tashmë janë bërë 9 vite aktive brenda LSI. Edhe pse e vogël kam marrë përgjegjësi brenda strukturave dhe kam trajtuar publikisht çështje të ndryshme që kanë prekur kryesisht bashkëmoshatarët e mi. Kështu, në momentin që u bëra pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, vërtet isha më e reja në moshë, por kisha ndërkohë eksperiencë të mbledhur në vite. Kuptohet, vështirësia për t’u përshtatur në një ambient agresiv dhe pa argument është e madhe, por më kanë ndihmuar shumë temat që kam zgjedhur të trajtoj dhe kolegët e mi brenda grupit parlamentar. Kur ke siguri se çështjet të cilat po përmend janë të ndjeshme për ata që të kanë votuar dhe mbështetur dhe kur argumentat janë realë dhe të bazuar në fakte, atëherë edhe puna të bëhet më e thjeshtë. Përveç kësaj, puna ime e përditshme ka qenë kryesisht e fokusuar tek të rinjtë dhe me të rinjtë është shumë e vështirë të qëndrosh e qetë dhe pasive. Sidomos me të rinjtë e LSI që janë super energjikë (buzëqesh).
A ua ke dhënë rrogën e parë si deputete atyre të shtëpisë siç e do adeti?
(Qesh), pooo! Madje jo vetëm të shtëpisë, por si e do adeti edhe gjyshërve u kam bërë nga një dhuratë dhe gjithashtu bleva diçka për shtëpinë. Megjithatë, që të jem e sinqertë, muajt e parë ka qenë një vështirësi e madhe të menaxhoja rrogën dhe “borxhet” që merrja në shtëpi, pasi nuk mbaronin qerasjet (buzëqesh).
Si e ke shpenzuar rrogën? Me rroba, libra, udhëtime?
E kam shpenzuar nga pak me të gjitha. Nuk jam natyrë që shpenzoj shumë për veshje apo për pamjen e jashtme, madje është krejt e kundërta. Një pjesë të mirë të rrogës këto vite e kam shpenzuar edhe në aktivitete me miqtë e mi të forumeve brenda partisë, pasi ne kemi një frymë organizimi ku secili përpiqet të jap pak nga vetja dhe ai që është më i munduri të ndihmojë ata me më pak mundësi.
Si ndihet Kejdi kur duhet të dalë në foltore dhe të kundërshtojë përshembull zysh Linditën? E ke të vështirë?
Jam shumë e sinqertë me ju kur ju them se nuk e kam aspak të vështirë. Unë kam ndarë një parim me veten kur vendosa të përfshihem kaq shumë në politikë: Nuk do të flas asnjëherë pa argument dhe bindje dhe asnjëherë nuk do merrem personalisht me kolegët, por me çështje. Sa herë kam folur, replikuar apo mbajtur një interpelancë a qëndrim të caktuar, ka ardhur si rrjedhojë e bindjes sime për problemet e ngritura. Shumë herë jam nxehur me të pavërtetat që dëgjoj çdo ditë nga politika, shumë herë edhe kam marrë vrull për të replikuar, por në fund jam qetësuar dhe kam menduar me veten: Fundja ku do ndryshoj unë me ta, një vajzë e re në sjellje dhe mendësi, nga një klasë e vjetër dhe e ndryshkur politikanësh që ka vendi. Jam ndjerë shumë e keqardhur, kur nga mungesa e argumentit, kam dëgjuar edhe sulme personale kundrejt meje: se jam e vogël e s’kuptoj dhe se unë udhëhiqem prej gënjeshtrës, etj. E kam kaluar me indiferentizëm dhe përbuzje, pasi nuk besoj se ka shqiptar që mund të gjykojë kështu një vajzë të re, krahasuar me disa lubi të politikës sonë, që kanë qenë ministra dhe pushtetarë dhe që kanë përdorur karrigen veç për interesa të ngushta klienteliste. Fatmirësisht jetojmë në një vend të vogël, të gjithë njihen me të gjithë dhe gjykimit të publikut nuk i shpëtojmë dot, çfarëdo justifikimi të përdorim. Sa për zysh Linditën, hyn në këtë kategorinë e dytë dhe prandaj jo që nuk e kam patur problem, por e kam bërë punën edhe me më shumë këmbëngulje.
Kë ke shembull nga politikanet shqiptare? Po nga ato të huajat?
Unë i vlerësoj të gjithë zonjat dhe zonjushat që merren me politikë në Shqipëri, pasi përballen me shumë sfida dhe puna e tyre bëhet shumë më e vështirë se ajo e një burri, pavarësisht se detyra mund të jetë e njëjtë. Unë jam rritur me energjinë dhe vendosmërinë e Monika Kryemadhit dhe do e kem gjithmonë model për forcën e saj dhe përkushtimin që ka kundrejt atyre që punon, por mbi të gjitha të rinjve. Jam përpjekur të fitoj nga hijeshia politike e Arta Dades dhe ndihem keq që për shkak të kësaj politike që përdoret si pronë nga kryetarët e partive, ajo nuk do të jetë pjesë e parlamentit. Unë përpiqem të jem Kejdi dhe si rrjedhojë nuk marr shembuj, por përpiqem të mësoj nga vetitë më të mira të çdokujt. Si rrjedhojë edhe në politikën ndërkombëtare, më kanë pëlqyer zonjat e vendosura dhe luftarake si Margharet Thatcher. Megjithatë, duke qenë e majtë në bindje, shpesh gjej kontradita ndërmjet karaktereve që më pëlqejnë dhe politikave që ato kanë ndjekur.
Angazhimi politik, duket se të ka rritur shumë shpejt, duket se të merr gjithë kohën. Si je me çështjet e dashurisë?
Nuk do të thoja se më ka rritur shpejt, përkundrazi jam përpjekur politikës t’i jap më të mirën nga mosha ime. Si përshembull energjinë, idealizmin dhe pasionin. Dita për një vajzë të re është shumë e gjatë, i kalon 24 orët, ndaj edhe unë jam përpjekur të mos lë shumë gjëra pa bërë. Kuptohet vështirësia është aty dhe e pashmangshme. Në rastin e djemve përshembull, më shihnin si deputete, të ftohtë dhe të largët. Por në momentin e duhur edhe unë e kam treguar se kam çiltërsinë e moshës dhe se di të dua.
Si është Kejdi në shtëpi, në kohën e lirë? Ne të shohim vetëm me xhaketa e flokë të shtrira, në podiume. Si je jashtë deputetes? A vesh pantallona të shkurtra, kanotiere, a del me flokë të pakrehur, a vesh fustane?
Paska rastisur të më shihni në ditët e mia më të mira, pasi janë shumë të rralla rastet kur unë i shtrij flokët (qesh). Xhaketat i kam patur të miat edhe pa qenë në parlament, ndërsa në parlament solla xhinset edhe pse nuk na lejohen me rregullore (buzëqesh). Unë jam çdo ditë sportive, me raste edhe me pantallona të shkurtra apo xhinse të grisura. Përdor fare pak make up. Takat më pëlqejnë, por duke qenë se eci shumë, nuk janë komode për përditshmërinë. Vesh fustane dhe çdo gjë që ndjej se më rri mirë dhe më shkon. Kejdi në pamjen e saj nuk ka shumë ndryshime nga të qenurit deputete dhe nga të qenurit një vajzë 24-vjeçare në përditshmërinë e saj.
Në familje me kë jeton? A e ke mbështetjen e prindërve? A ndihen krenarë?
Jetoj me prindërit dhe vëllain, i cili është tre vite më i madh se unë. Kam mbështetje të pa kursyer, jo vetëm nga prindërit dhe vëllai, por edhe nga të afërmit e tjerë. Më kanë rritur me frymën se familja është gjëja më e shtrenjtë që kemi dhe unë përpiem ta ruaj atë me gjithë dashurinë që mundem t’u ofroj. Mendoj se nuk do të isha asnjëhërë kjo që jam, pa patur ata pranë në çdo hap që hedh dhe sigurohem ta marr miratimin e tyre në çdo situatë. Çdo prind ndihet krenar kur fëmija bën diçka të mirë, ndaj besoj se edhe prindërit e mi ndihen krenar për mua dhe atë çka unë reflektoj jo vetëm në politikë, por mbi të gjitha në karakter.
A ka pasur ndonjë rast, kur babai në shtëpi të ka thënë, se fjala e X dite që ke mbajtur në media, nuk i ka pëlqyer?
Babai im është njëkohësisht mbështetësi dhe kritiku im më i madh. Pyetja më me vend në këtë rast duhej të ishte: A ka pasur ndonjë rast, kur babai të ka thënë, se fjala e mbajtur në x ditë ka qenë shumë e mirë dhe e realizuar (buzëqesh). Megjithëse mërzitem ndonjëherë me gjithë kritikat që më bën, i jam shumë mirënjohëse për vëmendjen që tregon ndaj meje dhe që si ai po ashtu edhe mami, më kanë dedikuar gjithë përkushtimin e tyre.
A ke frikë t’i zhgënjesh? Përfshirja në politikë, shpesh të nxjerr nga habitatet normale, ti vetë, a i druhesh kësaj – tejkalimit të masës?
Kam shumë! Meraku më i madh që kam pasi bëj një dalje apo mbaj një qëndrim, është se mos i mërzis prindërit. Madje kur ndihem e pasigurtë nuk i dal babit para atë ditë. Në politikën shqiptare është shumë e vështirë të ruash sensin e masës dhe lehtësisht mund të provokohesh nga situata të ndryshme, por them se e kam gjetur një balancë me veten.
Gjatë fushatës, si të presin në takime? Kush flet më hapur më ty, të rinjtë apo mosha e prindërve të tu?
Më presin shumë mirë. Unë fushatën time e kam të përqëndruar në Tiranë dhe kryesisht në njësitë administrative 5 dhe 10. Kam takuar një pjesë shumë të madhe të banorëve në këto njësi, pasi fushata ime është derë më derë me kontakt të drejtëpërdrejtë me qytetarët. Të rinjtë janë më të lirshëm kur takojnë një bashkëmoshatare, ndërsa moshat më të rritura më mbështesin dhe besojnë se politikës i duhen të rinjtë e sinqertë dhe të përkushtuar.
Do donim të dinim, se çfarë u thua votuesve apo banorëve që takon në fushatë. Çfarë i thua një kryefamiljari të varfër, të papunë? Çfarë i thua një njeriu që është në gjendje ekonomike mesatare?
Gjëja e parë që ata më thonë është që janë thellësisht të zhgënjyer nga politika dhe të lodhur nga mosmbajtja e premtimeve dhe arroganca me të cilën trajtohen. Propozimi im për ta është një klasë e re politike, e cila udhëhiqet nga ideali dhe sinqeriteti. Ju them se LSI është një parti e cila mbështet rininë dhe jo oligarkinë. Ne kemi një program konkret që ul taksat dhe krijon vende të reja pune dinjitoze dhe të mirëpaguara. LSI ka punuar një program për arsimin: Edukim Cilësor – Familje e Shëndetshme. Ne, ndryshe nga të tjerët nuk bëjmë barcoleta, as show, jemi të përgjegjshëm dhe e kemi vërtetuar se i qëndrojmë fjalës së dhënë.
Sa e vështirë është fushata – të shkuarit shtëpi më shtëpi, lagje më lagje, dhjetra njerëz, dhjetra problematika, dhjetra të ndryshëm, të asnjëllojtë me tjetrin, dhe ti, që duhet të përshtatesh me të gjithë…?
Kjo për mua është fushata e pestë në të cilën jam aktive dhe nuk më duket eksperiencë e re, pasi në LSI ne jemi gjatë gjithë kohës në fushatë. Duke dëgjuar problemet e qytetarëve, duke zhvilluar aktivitete, duke organizuar strukturat, etj. Është i vështirë ky proces, por edhe i bukur, pasi vërtet ndjen dhe vlerëson çdo shqetësim që votuesit kanë dhe i përjeton së bashku me ta.
Nëse dikush nga të pranishmit, zëmë shembull se i pakënaqur nga ju – nga politika – do tregohej i ashpër, si do reagoje?
Kam patur edhe raste të tilla edhe pse shumë të pakta në numër. Nëse e shoh se argumentat e mia, në asnjë rast nuk e bindin, buzëqesh dhe e falenderoj për ato minuta që më ka kushtuar. Më vonë me veten përpiqem të kuptoj ku kemi gabuar dhe çfarë mund të bëjmë më shumë për ta ndihmuar qytetarin në fjalë.
Nëse hapi i katër viteve të ardhshme është parlamenti, po më tej, ku do që të shkosh? Çfarë synon?
Synoj në rradhë të parë t’i shfytëzoj këto katër vite për të përmbushur angazhimet që kam marrë përballë votuesve dhe me LSI forcë të parë, e pjesë të qeverisjes, jam e sigurtë se do ja dalim. Politika ka sfida të përditshme, që ta bëjnë të vështirë t’i vendosësh vetes objektiva shumë të largët.
A e ke menduar shkëputjen nga politika, për të shkuar përshembull jashtë vendit me studime, ose këtu, por të merresh me jetë akademike, a me një tjetër profesion, veç asaj të ligjvënëses?
Jo thjesht e kam menduar, por i kam vendosur vetes detyrën të vazhdoj studimet, por kjo pa u shkëputur nga politika. Unë jam shumë e re që të mendoj se politika do të jetë profesioni im përgjatë gjithë jetës, prandaj kam studiuar për Inxhinieri Ndërtimi, kështu e kam të zgjidhur edhe këtë punë (buzëqesh). Unë do të jem në politikë për aq kohë sa ajo ka nevojë për mua dhe unë kam çfarë të ofroj për qytetarët. / revistawho.com