Daniel Zenelaj, djali 6-vjeçar i aktorit të humorit dhe moderatorit të programit “Ça Thu”, Gentian Zenelaj, ulet për herë të parë në bankat shkollore
[metaslider id=939]
Nga Suada Daci / Fotot: Endrit Mërtiri
Kurrë më parë s’e kam parë Gentian Zenelajn kaq të emocionuar sa këtë mëngjes. Pak ditë përpara fillimit të vitit të ri shkollor, ai së bashku me djalin (sozia e tij e vogël), Danielin, janë gati për të kompletuar çantën që vogëlushi do të mbajë ditën e parë të shkollës. Daniel Zenelaj, si shumë nga bashkëmoshatarët e tij në Shqipëri, këtë vit do të ulet për herë të parë, në bankat e shkollës “Emin Duraku”. “Who” i ka ndjekur të dy teksa zgjedhin çantën e shkollës, lapsat, fletoret (sepse librat i kanë blerë tashmë) dhe çdo gjë që Danielit i nevojitet. Aktori i mirënjohur i humorit, përpiqet të na bëjë ndonjë batutë, por në sytë e tij vërehet një lloj emocioni dhe krenarie, teksa i biri zgjedh gjithçka që i duhet. Me ne është edhe mami Aida (e cila nuk preferon të jetë asnjëherë mediatike), që, në ndryshim nga Genti, është më e sigurt dhe e ftohtë për drejtimin që do të marrë Danieli. Si një djalë i gjallë dhe shumë sportiv (me ne pak i ndrojtur), Danieli i vogël preferoi një çantë që kishte të bashkëngjitur edhe një palë patina, lapsa e fletore shumëngjyrëshe, dhe ja, çanta është gati për fillimin e vitit të ri shkollor, e cila, siç shprehet gjithë krenari e siguri bukuroshi sykaltër, nuk është aspak e rëndë… Ashtu si çdo prind që thur ëndrra për fëmijën e tij (e sidomos për fëmijën e parë!), Genti dhe Aida thonë njëzëri se dhjetat nuk kanë aq shumë rëndësi, sesa fakti që Danieli të bëhet një qytetar i mirë…
Gent, si ndihesh, nuk të kam parë kurrë më parë kaq të emocionuar?
Absolutisht jam më i emocionuar se kur kam shkuar vetë në klasë të parë. Kam emocion, sepse Danieli tashmë hyn në një fazë të re të jetës. Deri tani ka qenë në kopsht dhe atje është shumë gallatë, ndaj dhe ne jemi kuriozë të dimë a do jetë i shtruar në shkollë, a do t’i bëjë mësimet me qejf.
Në fakt, është fëmijë i shtruar?
Danieli është një fëmijë shumë i zgjuar, por me një dëshirë të paparë për t’u argëtuar, ndaj dhe është pak e vështirë për ta ulur. Mësueset e tij në parashkollor më thonë që kur bindet, ulet, mëson mirë, pra është natyrë pak rebele (qesh).
Mendon se të ngjan si karakter, sepse si pamje e jashtme është “bëmë baba të të ngjaj”?
Është totalisht si unë. Kështu kam qenë dhe unë i vogël; fillimisht pak i ndrojtur me njerëzit, por pastaj çlirohesha. Shoh shumë gjëra të vetes tek ai. Të shohim, mezi po presim! Për fat të mirë e kam regjistruar në një shkollë shumë të mirë shtetërore…
Sa do të të pyesja: nuk do ta çosh Danielin në një kolegj të shtrenjtë? Më kanë thënë që ti je shumë i pasur…
(Qesh) Nuk jam shumë i pasur, por të siguroj që nuk do kurseja absolutisht nëse do kisha besim te kolegjet e pasura. Unë vazhdoj të mendoj që stafi pedagogjik në një shkollë shtetërore në Shqipëri është shumë i mirë, po të gjesh një shkollë të mirë dhe mësuese të mirë. Ne u lodhëm shumë të gjenim një mësuese të mirë për Danielin dhe jam shumë i lumtur që ai do ta ketë një të tillë, e cila do të dijë ta udhëheqë bukur në këto katër vite të para të shkollës.
Ku do kishe qejf që Danieli të shkëlqente, në lëndët ekzakte apo në ato shoqërore?
Jam me fat, sepse mësuesja e tij është një mësuese shumë e mirë Matematike dhe shoh që, në ndryshim nga unë që e kam urryer Matematikën, ai e ka me shumë qejf. Uroj të jetë më mirë në këtë lëndë, sepse u hap rrugën profesioneve të mira, por pa lënë pas dore edhe lëndët shoqërore.
Mendon se do jesh një prind i rreptë me të, i fiksuar pas notave të mira?
Do jem super pedant, sepse shoh që këtu nuk janë gjërat ashtu siç thuhen. Notat janë false, universitetet, diplomat, vendet e punës… Pra këtu ka një falsitet në çdo gjë. Uroj që djali të bëhet një qytetar i mirë! Këtë gjë kam thënë ditën kur ka lindur. Do ta bëj tim bir në radhë të parë një qytetar të mirë, le të mos jetë me të gjitha 10-ta. Të dijë të thotë ‘mirëmëngjesi’, ‘drekën e mirë’. Megjithatë, të gjithë prindërit fillojnë thurin ëndrra për fëmijët, jo të bëhet inxhinier, mjek etj. Ai të bëhet ç’të dojë!
Ke një ëndërr për të, do që të ndjekë hapat e tu?
Të them të drejtën, nuk do doja të merrej me art; vetëm nëse do merrej me të jashtë Shqipërie mund ta aprovoja. Në Shqipëri arti është shumë pak i vlerësuar. Ndoshta do t’i sugjeroja pak nga ëndrrat e mia, të bëhej një dizajner. Ai i ka shumë qejf makinat, pse jo, mund të bëhej një dizajnues i tyre.
Danieli, i kishte të qarta idetë se çfarë do të zgjidhte?
“Power Rangers” e “Spiderman” janë heronjtë e tij të momentit, është periudha kur i ka kaluar preferencat për “Mickey Mouse”. Tani fëmijët kanë mundësi zgjedhjesh pa fund. Të kujtohen çantat që kishim ne dikur, ose kafe, ose të zeza (qesh)?!
Gent, më kujtohet një numër i juaji tek “Apartamenti 2XL”: ti ishe një prind shumë i dhënë pas fëmijës, ku i kërkoje mësueses të kishte kujdes të veçantë për djalin tënd, të mbyllte dyer e dritare, se “binte grip në Hong-Kong, djalin tënd kapte të parin”. A do të jesh kështu në realitet?
(qesh) Jo jo, nuk do të jem kaq i fiksuar, në të kundërt Danielit do t’i kisha marrë një mësuese në shtëpi. Nuk e kam mbajtur djalin në epruvetë, e kam lënë të lirë. Ai zhytet, bën sport, bën karate, pra është një fëmijë i lirë, luan me baltë, me dhé.
Do t’ia vazhdosh sportin dhe karatenë?
Absolutisht po! I kam zgjedhur programe të tilla që të mos e lodhin, të cilat po e ndihmojnë shumë në zhvillim. Shoh që ai ka hedhur goxha shtat, është aktiv, dhe sporti është shumë i rëndësishëm që ai të mos përfundojë si babi i vet (qesh).
Mendon se sporti do ta pengojë për mësimet e tij?
Besoj se jo…
Të punuarit në televizion është pa orar; sa do gjesh kohë t’i gjendesh pranë Danielit?
Një miku im i vjetër, drejtor televizioni, më ka thënë: “Puna në televizion ka një gjë të keqe: ose të shkatërron familjen, ose s’të lë kurrë të ndërtosh familje”. Por unë kam vendosur një rregull me veten: nami të bëhet, në orën 16:30 jam në dispozicion të tij. E kam për detyrë t’ia jap këtë kohë atij…
Me bashkëshorten, si e keni rregulluar kohën për t’iu përkushtuar sa më shumë Danielit?
Aida ka një punë pak më impenjative dhe pasdite jam vetëm unë me të. Dikush më sugjeroi të merrja dikë që të kujdesej për Danielin, por i thashë: kam vendosur që ta rris vetë fëmijën tim. Dua që ai të jetë në prezencën time sa më shumë të mundet…
Gjyshërit, do jenë me të ditën e parë të shkollës?
Pa diskutim që po, madje e di që mamaja ime do qajë sa do ënjtet (qesh), sepse ajo ka një lidhje shumë të ngushtë me të. Nëna ime e ka rritur deri në moshën 1-vjeçare dhe ka një afeksion të madh për Danielin; edhe gjyshi gjithashtu.
Kur do bëhet Danieli me motër ose vëlla?
Besoj, shpejt (qesh)…
SHTATOR 2014
Discussion about this post