Nga Eraldo Rexho / Fotot: Endrit Mërtiri
Një nga rubrikat që “Who” do të sjellë për lexuesit muaj pas muaji është edhe kjo (Në shtëpinë e…), përmes së cilës do të zbulojmë më shumë për hapësirat intime të personazheve publike. Do përpiqemi të sjellim detaje të reja, për të plotësuar imazhin e VIP-ave e për t’i sjellë ata sa më të vërtetë në syrin tuaj… Jemi mësuar t’i shohim gjithmonë në skenë, të qeshur e të kuruar, aq sa na krijojnë përshtypjen se gjithçka në jetën e tyre shkon vaj. Por ja që nuk është gjithmonë kështu. Megjithëse ka njerëz që e ndihmojnë, Eneda Tarifës i duhet hera-herës të bëjë edhe zonjën e shtëpisë, të marrë pluhura, të gatuajë, të kujdeset për vajzën. E pas gjithë këtyre edhe të punojë, të dalë në skenë duke qeshur, për të na kënaqur të gjithëve ne me performancat e arrira artistike. Drejtuesja e “Portokalli”, njëherësh këngëtare e disa hiteve, rrëfen në këtë intervistë për “Who” gjithçka ndodh në shtëpinë e saj të vogël, të qetë e plot dritë, që shumë shpejt do të zëvendësohet nga një më e madhe, në periferi të Tiranës.
Sa kohë kaloni në shtëpi?
Muajt e parë pas lindjes së Arias rrija në shtëpi gjatë gjithë kohës, dilja për ndonjë kafe, punë, vizitë, por kam ndenjur pjesën më të madhe të kohës në shtëpi. Pastaj filloi puna intensive, “Portokallia”, dhe shtëpisë fillova t’i largohem pak nga pak. Deri tani e kisha vetëm një hotel apo vend relaksi, por tani që mbaroi sezoni i “Portokallisë”, mund të them që e organizoj vetë kohën si dua. Më kishte munguar relaksi i shtëpisë, sepse mënyra sesi jeton bën gjithë karakterin e njeriut. Është shumë e rëndësishme të kesh gjërat që të bëjnë të ndihesh mirë; ndihem mirë me stacionet televizive, ndihem mirë pranë kuzhinës apo komoditetit që ajo më ofron nëse dua të gatuaj diçka, por kjo ndodh rrallë (sidomos në kohën kur kam “Portokallinë”), ndihem mirë pranë librave, sigurisht Wireless-it, duke qenë se kam filluar dhe unë të angazhohem pak më seriozisht me rrjetet sociale (qesh)…
Këndi juaj i preferuar, cili është?
Ja, ky divani ku po e bëjmë këtë intervistë është këndi im i preferuar.
A merret Eneda me punë shtëpie?
Është dikush tjetër që vjen dhe merret me këtë gjë, pasi nuk mund të merrem me të gjitha, por duart nuk më rrinë gjatë javës. Merrem me gjërat e domosdoshme, sidomos ato që i përkasin vajzës, por jam komode, sepse personi që vjen është një person i besuar dhe ajo i bën këto punë më së miri.
A mblidheni në shtëpi për darka, dreka familjare?
Mblidhemi shpesh, sidomos me prindërit e mi. Shkoj dhe unë shpesh tek habitati im i vjetër, tek dhomëza e shtrenjtë ku kam jetuar me motrën e deri në moshën 22-vjeçare. Tavolina i mbledh njerëzit, e bën më kompakte familjen. Dreka është shumë e rëndësishme për një familje, edhe pse për momentin s’e bëj shpesh, por kur mbaroj sezonin e “Portokallisë” më ndahet jeta si me “thikë”, kështu që tani kam gjithë verën përpara për t’u bërë shtëpiake.
Ndiheni mirë me stilin që keni zgjedhur?
Po, më pëlqen, është diçka mes modernes dhe tradicionales. Druri na pëlqen shumë të dyve, si mua, ashtu edhe Erjonit, duke qenë se edhe jetën e natës e kemi bërë nëpër ‘pub’-e prej druri. Ky material është akustikisht i mirë për tingullin dhe na pëlqen druri, ngjyra e tij është e ngrohtë. Biblioteka është e përbërë nga druri i panjës, që nuk ka vdekje, dhe kjo mund të hyjë tek gjërat antike që do ta marrim me vete edhe kur të ndërrojmë shtëpi.
Shtëpia është në një zonë të qetë dhe ka shumë dritë…
Kjo është gjëja që më pëlqen më shumë në zonën ku jetojmë, sepse në dritaren e dhomës sime, kur del mund të shohësh natyrë, gjelbërim, palma, dhe mund të marrësh ajrin e pastër të mëngjesit, që të qetëson dhe të jep energji për më vonë. Edhe Erjoni që e ndez tek-tuk ndonjë cigare, ndihet shumë mirë mes gjelbërimit. Dalim të dy pimë kafe në ballkon, është si një oaz relaksi dhe qetësie.
Çfarë marrëdhënieje keni me lulet?
Më pëlqejnë jashtëzakonisht shumë, kujdesem kur mundem, por më shumë me to merret vjehrra ime.
Dhomën e Arias, e keni menduar si do ta arredoni, sepse ajo është e vogël dhe aktualisht fle me ju, apo jo?
Absolutisht po! Kemi disa ide, por s’dua të mendoj për to pa u realizuar, nuk dua që të mbeten në letër. Për Arian në dhomën tonë është një kënd i vogël dhe i lezetshëm, me ngjyra, me ndriçim shumë. Kemi gjërat bazike aktualisht, sepse shtëpia jonë është e përkohshme, derisa të ndërtojmë një të re, përdhese, me të gjitha gjërat e qejfit që do donim t’i kishim (qesh). / Qershor 2014