Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Rinisë dhe UNICEF Albania e World Vision Albania, partnerë dhe kontribues në përmbushjen e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, ditën e djeshme kanë filluar “RinCamp 2023” në Dhërmi.

Ministrja Muzhaqi theksoi se qëllimi i kampit është të ndihmojë të rinjtë të zgjerojnë horizontet e tyre, të zhvillojnë aftësi të reja, si dhe të socializohen me njëri-tjetrin.
Për disa ditë ishte i hapur njoftimi për t’u bërë pjesë e “RinCamp”, të cilit i janë bashkuar rreth 100 të rinj nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Në ditën e parë të “RinCamp” Znj. Edina Kozma, zëvendës përfaqësuese e UNICEF Albania dhe Znj. Eljona Elmazi, drejtoreshë ekzekutive e World Vision Albania, u ndalën në politikat që zbatojnë organizatat në raport me të rinjtë dhe në bashkëpunim me MSHRF dhe AKR. Në panelin e fytë ishin të ftuar personalitete nga sektori bankar për të folur rreth edukimit financiar të të rinjve dhe parasë digjitale. Z. Alqi Kushi, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Rinisë; Z. Spiro Brumbulli – Sekretar i Përgjithshëm, Shoqata Shqiptare e Bankave; Z. Albert Shehu – Drejtues i Departamentit të Kredive Hipotekore dhe Financimit të Konsumatorit në BKT; Z. Luiner Koxhoni – Drejtor i Rrjetit të Degëve të Tirana Bank dhe Znj. Emila Cangu – Drejtoresha Rajonale e Distriktit Jugor të “Raiffeisen Bank”.

Në ditën e dytë të “RinCamp”, me të ftuar kryesorë Znj. Olta Manjani, Zv. Ministre e Financave dhe Ekonomisë; Znj. Vilma Bello, Zv. Ministre e Turizmit dhe Mjedisit; Z. Olti Caci, Kryetari i Bashkisë Sarandë dhe Z. Ermal Dredha, Kryetari i Bashkisë Vlorë për të folur rreth tranzicionit në tregun e punës dhe punët e të ardhmes, në një bashkëbisedim tepër miqësor rreth planeve surprizë që zëvendësministrat dhe kryetarët e bashkive do të zbatojnë që të rinjtë të kenë akses në edukimin profesional, me standardet evropiane, për fuqizimin e të rinjve dhe të rejave, me fokus të veçantë te të rinjtë në situatë vulnerabël, për zhvillimin e turizmit edhe përgjatë dimrit, paneli u përball me pyetje nga të rinjtë energjikë dhe kuriozë për ecurinë e zhvillimit të vendit të tyre.
Në dy ditët e ardhshme, “RinCamp” do të vijojë me agjendën e paracaktuar të mbushur me trajnime dhe aktivitete argëtuese për të rinjtë.








