Një skenë që do t’i shkonte për shtat një filmi romantik dhe jo një reality show ndodhi së fundmi në “Ferma VIP”: një helikopter kaloi mbi fermë dhe shpërndau trëndafila për banoren Nur.
Spekulimet nisën menjëherë. Ishte vallë një admirues sekret, një ish i penduar apo thjesht një veprim për të tërhequr vëmendjen? Përgjigjja erdhi në mënyrë të qartë nga vetë Nur, gjatë emisionit “Ferma Club”:
“Lulet m’i ka dërguar Djonisi. E ka postuar edhe në Instagramin e tij. Nuk kam pse ta fsheh. E falënderoj shumë. Kemi një miqësi të vogël, dhe ishte një ndihmë e tij në mënyrë shoqërore.”
Djonis Biba, fituesi i sezonit të parë të “Ferma VIP”, duket se ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë për të treguar mbështetjen e tij, por sipas deklaratës së Nurit, nuk bëhet fjalë për ndjenja romantike.
Pavarësisht kësaj, rrjetet sociale janë përfshirë nga komentet dhe interpretimet, duke e kthyer këtë episod në një nga më të përfolurit e sezonit.
Ndërkohë, rrugëtimi i Nurit në “Ferma VIP” ka marrë fund. Ajo u eliminua pas një televotimi të ngjeshur, që pasoi një vendim të rreptë nga Aga për të ndëshkuar çdo formë dhune verbale apo bullizmi. Nur ishte në listën e të nominuarve bashkë me Albën, Andreasin, Big Mamën, Anduelin dhe Big Bastën, por në fund ishte ajo që u largua – me emocion dhe duartrokitje.








