“Mister”-i i parë shqiptar, Olti Xhezo, i ka dhënë fund beqarisë përpara disa javësh. Vajza që i ka thënë “Po” propozimit të djaloshit simpatik është Elona Varfi. E diplomuar për ekonomi, bukuroshja me flokët gështenjë, rrëfen për herë të parë në “WHO” detajet e lidhjes së tyre pesëvjeçare, që nga njohja në Londër, e deri tek vendimi për t’u martuar, në një ceremoni të përbashkët me 110 të ftuar.
Si ka nisur historia juaj?
Unë dhe Olti jemi njohur në Londër gjatë kohës kur kryenim studimet pasuniversitare, unë për politika ekonomike në “London School of Economics” (LSE) dhe ai për ligj ndërkombëtar tregtar në “City University London”. Kur u kthyem në Tiranë, duke pasur dhe miq të përbashkët, filluam të frekuentoheshim më shpesh, derisa e kuptuam që në praninë e njëri-tjetrit kishim ndjenja përtej miqësisë, çka rrjedhoi në një lidhje të bukur dhe të natyrshme.
Sa kohë keni që njiheni?
Ne jemi njohur në fund të vitit 2008 dhe lidhja jonë zgjat prej 4 vitesh e gjysmë tanimë.
Kur vendosët të martoheshit?
Gjithçka filloi të konkretizohej pasi Olti më propozoi nëntorin e shkuar në qytetin e mrekullueshëm të Firences.
Si të propozoi Olti?
Ishte tërësisht surprizë për mua (qesh). Në fakt kishim disa javë që mendonim të bënim një fundjavë të gjatë pushimi dhe Olti më kishte kërkuar me insistim që të kujdesej ai për udhëtimin. U habita kur morëm rrugën për në aeroport, se nuk po e kuptoja ende ku ishte destinacioni surprizë, dhe kur asistentja e linjës së fluturimit na dorëzoi biletat e na uroi rrugë të mbarë për Firence, u hodha përpjetë nga gëzimi (qesh). Ishte një qytet që e mendonim për ta vizituar prej kohësh dhe Olti më kishte premtuar që do të shkonim shumë shpejt, por nuk e mendoja aspak që ky do të ishte rasti. Neve na pëlqen shumë të udhëtojmë, dhe gjithmonë synojmë vende e qytete të reja, me kulturë e histori të veçantë. Olti kishte organizuar çdo gjë deri në detaj dhe gjithçka ishte perfekte. Kishte prerë biletat e udhëtimit për në Firence dhe rezervuar në një hotel të vogël, plot detaje të bukura, afreske dhe piktura të periudhës së Rilindjes, afër “Piazza d’Uomo”. Njëkohësisht kishte bërë dhe një plan, me vendet, sheshet dhe atraksionet turistike që duhej të vizitonim përgjatë udhëtimit tonë. Në mbrëmje, në një restorant tradicional mbi 100-vjeçar në Sheshin e Republikës, ndërsa unë po i tregoja se sa shumë më kishte pëlqyer surpriza që ai kishte organizuar, Olti më thotë qetësisht: “Kam dhe një surprizë tjetër për ty”. Më nxjerr një kuti të vogël përpara (brenda së cilës gjendej unaza) dhe më thotë: “Të lutem, hape”.
Çfarë i the ti?
Patjetër që “Po”! Unaza ishte tamam ajo që kisha dëshiruar, vendi dhe çasti të mrekullueshëm, prandaj nuk diskutohej që “Po” (qesh)!
E menduat shumë këtë vendim (martesën)?
Erdhi natyrshëm. Të dy jemi të shpenguar, mbase pak antikonformistë që nuk mendonim për martesë, por me njëri-tjetrin, – çka është gjëja më e bukur, – e arritëm dhe pranuam me ngazëllim dhe qetësisht këtë fazë të re të jetës së bashku.
Ishte dasmë tradicionale apo moderne?
Më tepër se dasmë, dëshiroj ta quaj një mbledhje festive mes miqsh. Atmosferë që e shijuam në një ambient “lounge” dhe aspak tradicionale do thosha. Ishte më shumë një format kontemporan, një pritje-koktej ku kishim ftuar miqtë tanë dhe pjesën më të afërt të familjes. Së pari dëshironim që në festën tonë të kishte pije të mira: verë të kuqe, rosé dhe shampanjë. Ushqimi nga ana tjetër nuk ishte realizuar në formën e një darke tipike dasme, por më tepër si pjata shoqëruese kokteji me gusto, kryesisht me bazë deti dhe me një “carving station” me djathëra të ndryshme, proshutë dhe fruta të thata. Një tjetër element i veçantë i festës sonë mendojmë se ishte dhe fjalimi hyrës që mbajtën Besi dhe Iliri, respektivisht vëllai i Oltit dhe vëllai im, të cilëve, si dy njerëz shumë të afërt dhe për zemër që i kemi, u kishim kërkuar që të ndanin një histori të bukur për hapjen e mbrëmjes. Gjithçka qe shumë emocionuese teksa ata na mbushën me emocione dhe fjalë zemre, ndaj gjej rastin t’i falënderoj maksimalisht për gjithçka.
Ku po e kaloni muajin e mjaltit?
Kishim përzgjedhur prej kohësh ishullin Mauritius, si një destinacion që na kishte tërhequr për natyrën, kulturën, plazhet dhe resortet e mrekullueshme.
Çfarë ndryshoi martesa në marrëdhënien tuaj?
Akoma asgjë (qesh).
Ju, bashkë jetonit edhe më parë?
Po, dhe mbase kjo është dhe arsyeja pse martesa ende s’ka ndryshuar gjë (qesh). Ne bashkë jetojmë prej gati tri vitesh dhe këtë hap të ndërmjetëm do t’ua sugjeroja të gjithë personave që vendosin të kalojnë kohën së bashku e të njihen më mirë.
Si i ndani detyrat në shtëpi?
Besoj në mënyrë të baraspeshuar; për shembull, blerjet e nevojshme i bëjmë të dy. Fatmirësisht shijet i kemi të njëjta (ose na janë përafruar mbase) dhe kështu nuk kemi probleme kur dikush kthehet me qese plot në darkë në shtëpi (qesh). Për të gatuar, gjatë javës ne jemi të dy në punë deri vonë dhe në shtëpi takohemi në mbrëmje, kështu që nuk na bie rasti të gatuajmë. Ndërsa në fundjavë, në qoftë se jemi në shtëpi gatuaj unë, kurse Oltit i pëlqen të merret me pjesën e pastrimit dhe rregullimit mbasi kemi mbaruar së ngrëni. Të shohim më vonë si do t’i ndajmë dhe detyrat më të komplikuara (qesh).
Kush qeveris?
Në fakt, sipas Horoskopit jemi të dy shenja e Luanit, prandaj është pak vështirë të ketë një lider të vetëm shtëpia jonë. Jemi të dy që vendosim, por unë si femër jap më shumë opsione për çfarë të vendosim (qesh).
Mendoni të shtoheni në numër?
Besoj që, edhe në këtë aspekt jemi të dy të hapur t’i lëmë gjërat të vijnë natyrshëm.
Veshja e çiftit
Fustani ceremonial është “Ellie Saab” dhe “cocktail dress” është i markës “Pronovias”, ndërsa në setin fotografik kam veshur dhe një fustan të stilistes Ema Koja. Këpucët ishin të markës “Sergio Rossi”. Olti kishte veshur një kostum të zi klasik të “Hugo Boss”, ndërsa këpucët, “Sergio Rossi” edhe ai.
Discussion about this post