Në vija të përgjithshme kjo javë është e mirë dhe e qetë. Java është më e ngarkuar nga e mërkura dhe deri në fund të saj. Të mërkurën dhe të enjten kërkohet të jemi të kujdesshëm në negociatat dhe në veprimet apo bashkëpunimet në sferën financiare. Shikoni situatën me realizëm, duke shmangur lëvizjet e gabuara në fushën profesionale. Mos besoni gjithçka që dëgjoni dhe të jeni të përmbajtur në premtimet që ju jepen. Këto ditë favorizoheni veçanërisht ju njerëzit e artit dhe të krijimtarisë në veprën tuaj pasi, frymëzimi dhe fantazia do të jenë në nivele të larta. Nga e premtja dhe deri në fund të javës aspektet janë mjaft favorizuese për financat tona, duke siguruar stabilitetin dhe rritjen e tyre. Jeta erotike dhe sentimentale do të jetë mjaft interesante dhe e pasur gjatë gjithë javës. Dashuritë romantike, rikthimi në një lidhje serioze të së kaluarës, forcimi i marrëdhënieve ekzistuese, por dhe zhgënjimet apo dëshpërimi nuk do të mungojnë nga menuja e javës.
DASHI
Kjo javë është mjaft e rëndësishme për financat tuaja, pasi ju jepet mundësia të përmirësoni dhe të rrisni të ardhurat tuaja. Përpjekjet dhe mundi juaj në fushën profesionale shpërblehen dhe shumë nga ju do të forconi akoma më shumë pozitat në punë. Gjithsesi java premton shanse si në sferën profesionale, ashtu dhe në atë financiare, të cilat nuk duhet t’i lini pa shfrytëzuar. Kujdes duhet të tregoni gjatë bisedave që do të keni me miqtë apo me të afërmit, pasi ato që mund të dëgjoni apo do të thuhen mund të ndikojnë negativisht në psikologjinë tuaj. Nuk ka arsye t’ju jepni gjërave përmasa të mëdha dhe që nuk kanë lidhje me realitetin. Kujdes gjatë drejtimit të makinës!
DEMI
Java është pozitive dhe premton përparim dhe zhvillim, por në fillim të saj duhet të jeni të kujdesshëm, pasi informacionet e gabuara që do të keni mund t’ju udhëheqin në lëvizje ekonomike të cilat nuk do të japin rezultatet e dëshiruara. Përkundrazi fundi i javës, nga e premtja dhe deri në fund, është mjaft favorizues në çdo drejtim. Do të keni mundësinë të forconi marrëdhëniet dhe bashkëpunimet ekzistuese, por dhe të krijoni të reja me baza solide dhe frytdhënëse. Ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë keni shanse për të ndryshuar dhe për të filluar jetën në baza të reja, ndërsa ju të tjerët do të keni zhvillim të mëtejshëm në realizimin e projekteve tuaja. Jeta sentimentale do të jetë e pasur duke sjellë njohje dhe dashuri të reja si dhe forcimin e atyre ekzistuese.
BINJAKËT
Jeni protagonistët e javës dhe në përgjithësi do të kaloni mirë gjatë saj. Do të jeni shumë komunikues, me rrezik të kaloni kufijtë dhe të bëni gabime, prandaj kujdes se çfarë thoni dhe veçanërisht me eprorët tuaj të mërkurën dhe të enjten. Në rast se hyni në biseda profesionale të shpreheni sa më mirë dhe t’i bëni sa më të qarta kërkesat tuaja. Nga e enjtja dhe deri në fund të javës do të keni mbështetjen dhe ndihmën e një personi të rëndësishëm. Në jetën sentimentale dëshira për flirt dhe dashuri do të jetë shumë e theksuar gjatë gjithë javës, por diçka më serioze dhe me stabilitet premton fundi i saj duke filluar nga e premtja.
GAFORRJA
Është një javë e mirë dhe pozitive për ju përfaqësuesit e Gaforres, megjithëse ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës do të ndjeheni nervoz dhe të stresuar. Në fillim të javës deri të enjten mos ju jepni shumë rëndësi atyre që do të dëgjoni dhe kryesisht mos ju jepni përmasa të mëdha, pasi nuk kanë bazë reale. Kjo javë është mjaft favorizuese për kontakte të cilat do të ndihmojnë në realizimin e një plani tuaj. Fundi i javës favorizon formalizimin e marrëdhënieve tuaja ose i forcon akoma më shumë ato. Ekziston mundësia për disa prej jush që një lidhje miqësie të kalojë në një lidhje dashurie serioze dhe me perspektivë. Lajme të mira dhe gëzime do të keni nga fëmijët tuaj.
LUANI
Gjatë fillimit të javës duhet të jeni të kujdesshëm me veprimet ekonomike që doni të bëni. Mos shpenzoni pa pasur nevojë, bëni lëvizje të programuara dhe mbi të gjitha kujdes në marrëveshjet ekonomike, pasi mundësia për gabime është e madhe. Fundi i javës është mjaft favorizues për të gjetur një punë të dytë apo kryesore për ju të interesuarit dhe mirë është të tregoni me thjeshtësi dhe pa ekzagjerime talentet tuaja. Gjithsesi treditëshi i fundit i javës favorizon fushën profesionale dhe realizimin e planeve në këtë drejtim, madje do të keni dhe mbështetjen dhe ndihmën e duhur. Gjatë javës do të keni mundësinë të kontaktoni miq dhe njerëz me të cilët do të keni një simpati reciproke.
VIRGJËRESHA
Kjo javë është e rëndësishme për marrëdhëniet tuaja dhe për jetën personale. Do t’ju jepet mundësia të njihni persona të rinj dhe njëkohësisht të forconi marrëdhëniet ekzistuese. Shumë prej jush do të kenë mundësinë të bëni një udhëtim mjaft interesant gjatë të cilit do të jetoni momente të bukura dashurie. Megjithatë duhet të jeni të përmbajtur në premtimet apo në gjithçka që do të dëgjoni të mërkurën dhe të enjten dhe mos lejoni të tjerët të fusin hundën në punët tuaja. Në sferën ekonomike do të keni përparim dhe zhvillim në fund të javës.
PESHORJA
Fillimi i javës kërkon prej jush të jeni të përqëndruar në fushën profesionale dhe në punën tuaj, pasi gabimet, të cilat do të jenë pasojë e shpërqëndrimit tuaj, mund të sjellin rezultate të pakënaqshme për ju. Në qoftë se keni nevojë për ndihmë me qëllim realizimin e disa prej projekteve tuaja mos hezitoni të kërkoni. Treditëshi i fundit i javës është favorizues për zgjidhjen e çështjeve familjare apo të shtëpisë, të cilat ju mundojnë dhe ju preokupojnë për një kohë të gjatë. Gjeni kohën dhe mënyrën për t’u çlodhur.
AKREPI
Në fillim të javës duhet të jeni të përmbajtur dhe të programuar në shpenzimet që do të bëni. Ndërsa fundi i javës, nga e premtja deri të hënën, është mjaft premtues për negociata dhe marrëveshje ekonomike. Java ka një interes të veçantë për sa i përket jetës suaj personale dhe erotike. Dëshira për flirt do të jetë mjaft e gjallë gjatë gjithë javës, por mundësia për një lidhje apo marrëdhënie serioze dhe me perspektivë ekziston prej të premtes dhe deri të hënën. Ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës jeni në fazë ndryshimesh, të cilat do të vendosin jetën tuaj dhe kryesisht marrëdhëniet tuaja në baza dhe të dhëna të reja.
SHIGJETARI
Në fillim të javës ndoshta do të humbisni pak nga optimizmi që ju karakterizon dhe do të ndjeheni më të ndjeshëm se zakonisht. Problemet familjare, që do t’ju preokupojnë, do të ndikojnë negativisht në gjendjen tuaj psikologjike dhe mirë është të shmangni marrjen e vendimeve në fillim të javës, pasi mënyra se si i perceptoni gjërat është e gabuar dhe e paqartë. Përkundrazi mund t’i përkushtoheni dekorimit të shtëpisë ose përmirësimit të kushteve brenda saj. Fundi i javës është shumë premtues dhe favorizues për financat, të cilat do të përmirësohen përmes punës suaj.
BRICJAPI
Vazhdon të jetë një periudhë e mirë dhe favorizuese për ju. Gjatë kësaj jave do të keni mundësinë të kaloni momente të këndshme me miqtë apo shoqërinë tuaj, madje me dëshirë të theksuar për flirt dhe dashuri. Lajme të mira dhe gëzime nga fëmijët do të keni ju që jeni prindër. Për sa i përket sferës profesionale është momenti të bëni hapa të mëtejshme. Mundësi shumë të mira dhe informacione të rëndësishme do t’ju jepen në pjesën e dytë të javës juve që jeni të interesuar të bëni investime. Fati është me ju dhe periudha është e përshtatshme. Gjithsesi prej të enjtes dhe deri të hënën do të jeni mjaft produktiv, duke kombinuar bashkë me punën edhe argëtimin dhe duke kaluar momente të këndshme.
UJORI
Fillimi i javës kërkon prej jush të jeni të përmbajtur në shpenzimet që do të bëni dhe të shmangni investimet apo dëshirën për të provuar shanset në lojërat e fatit. Fakti që ju bën të ndjeheni se fati është me ju në këto momente është më afër fantazisë suaj se sa realitetit. Përfitoni nga shanset që do të keni për shfrytëzimin sa më të mirë të pronës apo pasurisë së patundshme. Disa prej jush do të ndërrojnë vendbanim me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës. Fundi i javës është shumë pozitiv për zhvillimin tuaj personal dhe profesional.
PESHQIT
Në fillim të javës mos hyni në bisedime për sqarimin e problemeve apo të situatës me bashkëshortët, të dashurit apo bashkëpunëtorët tuaj pasi dhe ju vetë nuk keni një imazh të qartë dhe të saktë të situatës ekzistuese. Njëkohësisht shmangni negociatat apo marrëveshjet ekonomike. Pjesa e dytë e javës, veçanërisht nga premtja dhe deri të hënën, është më e përshtatshme për të zgjidhur çdo gjë që ju preokupon. Përpiquni të jeni sa më social dhe bëni lëvizjet e duhura për të arritur sukseset e dëshiruara në vijim dhe kryesisht nga mesi i gushtit. /revistawho.com