Pas 22 vitesh punë në “Gazeta Shqiptare”, Rezarta Delisula i ka befasuar të gjithë teksa ka njoftuar mbi largimin nga kjo media. Tashmë Rezin do ta shohim në kanalin e ri ‘Euronews Albania’. “Destinacion” do të jetë formati i sjellë nga Delisula, i cili i dedikohet njeriut të thjeshtë, që pa makinë e pa një xhep “të majmë”, mund të eksplorojë e jetojë në harmoni me Shqipërinë. Në një intervistë për “Newbomb.al”, gazetarja ka folur mbi largimin e saj nga “Gazeta Shqiptare” dhe mbi projektin e saj më të ri.
“Kisha menduar se do dilja në pension në Gazetën Shqiptare edhe kurrë nuk kisha pranuar asnjë ofertë të ardhur prej vitesh e vitesh por me thënë të drejtën, mendoj se uji i ndenjur nuk bën mirë. Nuk është një situatë që dua ta përflas, është një situatë normale që mund të ndodhë. Thjesht mospajtim çështjesh teknike”, u shpreh ajo.
Ndërsa mbi emisionin më të ri që i dedikohet Shqipërisë, Delisula dëshiron të tregojë sesi me pak para mund të shijosh natyrën e bukur të vendit tonë.
“Për fat, Rez Delisula ka dashur gjithmonë të bëjë reportazhe, të jetë pranë njerëzve, dhe mendoj që kam qenë dhe jam brenda zhanrit tim, brenda llojit tim. Jam brenda qenies sime dhe dua t’i ofroj audiencës, qoftë edhe të rinjve, të shohin diçka ndryshe. Dua të shohin Shqipërinë me sytë e mi, Tiranën me sytë e mi, dhe të shohin Tiranën dhe Shqipërinë sipas xhepit të tyre. Nuk është Shqipëria e shtrenjtë, nuk është Shqipëria e lirë, është Shqipëria e të gjithëve. Dhe nuk mund të tutemi nëse kemi pak lekë në xhep sepse edhe me pak lekë ti mund të shijosh gjithçka. E vetmja vështirësi që mund të has në këtë format, është përballja me termat e reja televizive. Se unë kam qenë shumë e re kur kam punuar në News 24 si gazetare e parë e lajmeve por kam qenë thjesht si gazetare duke raportuar dhe s’kam pasur kontakt me teknikën. Megjithatë mendoj se ky është formati më i përshtatshëm dhe di ta bëj më mirë. Dy gjëra di të bëj në jetën time më mirë, është lajmi dhe reportazhi”, tregon ajo.
‘Destinacion’ do të shfaqet në ekran prej të enjtes së 11 qershorit, në orën 18:30.