Aktorja e njohur Egla Ceno, një nga emrat më të komentuar të edicionit të fundit të “Big Brother VIP Albania”, është dënuar nga Gjykata e Tiranës për veprën penale të shpifjes ndaj gazetarit dhe moderatorit Saimir Kodra.
Sipas vendimit të marrë këtë të martë, Ceno është shpallur fajtore dhe do të duhet të paguajë 1 milionë lekë të vjetra gjobë për deklaratat që, sipas gjykatës, kanë cenuar reputacionin e gazetarit.
Gjithçka nisi gjatë një deklarate publike, ku aktorja tha se “Më ka ngacmuar seksualisht”, duke iu referuar Saimir Kodrës. Deklarata u bë virale dhe krijoi një stuhi reagimesh në rrjet, ndërsa Kodra njoftoi menjëherë se do të ndiqte rrugën ligjore për të mbrojtur emrin e tij.
Gjatë procesit gjyqësor, Egla është pyetur disa herë për deklaratën e bërë në televizion. Fillimisht, ajo ka pohuar se kishte frikë të paraqitej në gjykatë, ndërsa në një moment tjetër ka thënë se nuk e kishte përmendur emrin e Saimirit, por vetëm mbiemrin “Kodra”. Më vonë, ajo ndryshoi qëndrim sërish, duke u shprehur se deklaratat e saj nuk kishin të bënin me gazetarin personalisht, por me një “kauzë simbolike për gratë e abuzuara seksualisht”.
Gjykata i konsideroi këto versione kontradiktore dhe të pabazuara, duke vendosur në favor të gazetarit. Në përfundim, Egla Ceno u shpall fajtore për shpifje, me argumentin se deklaratat e saj “i kanë shkaktuar dëm të padrejtë reputacionit të Saimir Kodrës”.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë është tashmë zyrtar, por nuk dihet nëse aktorja do ta apelojë.








