Për shkak të rritjes së numrit të rasteve me Covid, qeveria vendosi mbylljen e klubeve të natës, diskove, lounge bar-eve dhe muzikës pas orës 22:00. Kështu shumë artistë prej 8 muajsh nuk po e ushtrojnë profesionin e tyre dhe nuk kanë mbështetje financiare. Një prej tyre është edhe kantautori Elton Deda, i cili në një intervistë për emisionin e Alban Dudushit “Spotlight”, tregoi vështirësitë që po kalon në këtë periudhë.
“Vjen një moment që në këto kushte, nuk kemi ç’të bëjmë më. Është një pandemi botërore, një situatë shumë e keqe në të gjithë botën dhe ne duhet të përshtatemi me këtë gjë. Nuk do përshtatemi duke u rialokuar, por me disa platforma, të cilat fatkeqësisht do fillojnë ta zvogëlojnë pak publikun. Derisa kjo flamë të marrë fund, ne do përfundojmë që njerëzit të na ndjekin përmes real-time, duke luajtur në një studio. Do sajohen gjëra. Në këto moment është një asfiksi, por jam treguar i mençur, kam kursyer disa para dhe thjesht jam duke tretur dhjamin tim”-u shpreh Deda.