Me një falenderim të ndjerë për publikun nga ekrani i Euro News Albania, ku ka qenë drejtore informacioni që në ditën e parë të tij, Ilva Tare është larguar nga ky televizion dhe sipas gjasave nga ekranet shqiptare në përgjithësi pas 25 vjetëve aty, për të qenë pranë familjes, bashkëshortit Eduart Selami, që jeton në Shtetet e BAshkuara dhe fëmijëve të saj, Melody dhe Thomas.
Eshtë treguar e kujdesshme që të mos jetë mesazh lamtumire, duke përmendur disa herë, që do të ketë sërish takime me shikuesin shqiptar. Dikush e ka interpretuar si një mundësi që të jetë e pranishme me reportazhe për Shqipërinë, në bashkëpunim me ndonjë media të huaj, apo mundësinë për të qenë e ftuar në ekranet shqiptare si komentuese dhe analiste. Këtë gjë Ilva Tare e ka bërë edhe vite më parë, kur u largua drejt Londrës për të zhvilluar studimet master në një prej shkollave më prestigjioze, LSE. Edhe atëherë media shkroi që Tare i kishtë dhënë lamtumirën Shqipërisë, por derisa u zhvendos përsëri në Tiranë në mbarim të studimeve, ajo kishte qenë e pranishme hera herës në televizionet shqiptare.
Nuk kanë munguar as zërat që Ilva Taren e pret ndoshta një karrierë ndërkombëtare: kanë qenë të shumtë kolegët dhe miqtë që ia kanë thënë këtë në komente urimi, të cilat ajo i ka ripostuar në faqen e saj në Instagram. Sigurisht që gjithçka është e mundur: me CV-në e saj, sidomos me përvojën e dy viteve të fundit në Euronews Albania, pjesë e rrjetit të madh mediatik të njohur në të gjithë botën, dyert do t’i ketë të hapura.
Por Euronews ka qenë stacioni i saj i fundit në Shqipëri. Përpara tij ajo ka qenë drejtore informacioni për disa vjet në Ora News dhe më përpara në Vizion Plus dhe më parë akoma në “Tele Norba”, një nga televizionet e para private ku Ilva hyri në kujtesën e të gjithëve me zhdërvjelltësinë atipike në studion e lajmeve në atë kohë dhe për modelet dhe ngjyrën e flokëve, që i ndryshonte përpara se njerëzve t’u mësoheshin sytë… Por përtej pamjes, me shumë punë, përkushtim e profesionalizëm ia doli t’i bënte vend vetes në një ambient televiziv ku punët drejtuese janë territor burrash, kurse gazetaria e terrenit dhe vetëm emisionet e lehta janë, territor grash. Ilva Tare ka arritur maksimumin e asaj që mund të quhet “karrierë në gazetari” duke u bërë shembull për dhjetëra gazetare të reja apo dhe vajza që e kanë pasur dhe e kanë model. Me këmbënguljen që e karakterizon që në ditët e para të punës në TVSH, duke i hapur punë vetes dhe duke u futur nga dritarja edhe kur e nxirrnin nga dera, me punën e vazhdueshme, e lidhur me lajmet pa orare, edhe kur tashmë ishte nënë e dy bebeve, me përvojën e emisioneve në të gjitha oraret e mundshme, drejtimin e redaksive të lajmeve por dhe debateve politike Ilva dje na dha lamtumirën nga ekrani i Euronews duke na falenderuar dhe duke na thënë që do u japë më shumë kohë dy fëmijëve të saj, Melody dhe Thomas. Por jemi të bindur se shumë shpejt do të dëgjojmë për të dhe do e shohim ndoshta në një tjetër ekran, ndoshta edhe jo shqip.