Një moment komplet i papritur dhe plot emocion u shndërrua në kulmin e mbrëmjes së “Kënga Magjike”, pasi “Kiss Cam” kapërceu thjesht lojën e zakonshme dhe solli një propozim të vërtetë për martesë.
Kamera u ndal te një çift në sallë, dhe aty nisi skena që ndezi gjithë publikun. Fabian, i emocionuar dhe i vendosur, u ngrit menjëherë dhe u gjunjëzua para partneres së tij. Pa hezitim, Arjola tha “po”! Një moment i sinqertë, i filmuar nga qindra sy dhe i transmetuar live.
Gjatë bisedës në skenë, Ardit Gjebrea zbuloi pak më shumë mbi historinë e tyre, duke nisur me pyetjen:
Ardit Gjebrea: “Sa vite ke që e mban atë unazë në xhep?”
Fabian: “Dy muaj.”
Dhe kështu nisi rrëfimi i Fabians për fillimet e tyre:
Fabian: “Po sepse unë në fakt këtu jam njohur me Arjolën, këtu në Pallat të Kongreseve dhe kemi qenë pikërisht atje, ishim në karrige të ndryshme, ndërsa sot jemi të ulur bashkë.”
Ndërsa Arditi e ngacmoi sërish:
Ardit Gjebrea: “Na trego një çikë, ishit në dy karrige të ndryshme, pastaj?”
Fabian: “Më pas unë u largova pa i thënë ‘natën e mirë’, ndërsa tani dua t’i them disa fjalë.”
Dhe ai tha më shumë se “disa fjalë”. Në një prej deklaratave më të ndjera që ka dëgjuar ndonjëherë ky festival, Fabian iu drejtua Arjolës me emocione që lanë pa fjalë edhe publikun:
Fabian: “Të dua. Të dua me gjithë qenien time, të dua me çdo emocion, çdo mendim, çdo ndjenjë dhe gjithçka që ndodhet brenda meje. Faleminderit që the po, faleminderit që je kjo vajzë kaq e guximshme, kaq e fortë, faleminderit që ke ndryshuar jetën time, faleminderit që më ke shpëtuar dhe faleminderit që je kjo që je sot. Unë jam krenar që nesër do të jem burri yt… kështu që ti je brinja ime, ti je ajo që më plotëson. Të dua në jetë të jetëve, princesha ime!”
Një propozim që i dha ngjyrë romantike festivalit dhe që, pa dyshim, do të mbetet një nga momentet më të përfolura të këtij edicioni.








