Këshilla për rikthimin e fëmijëve në rutinën e përditshmërisë
Nga Orjola Plaku, Psikologe/Psikoterapiste E.M.D.R & Cognitive Behavioural
Fotot nga Erjon Beshiri
Pushimet janë duke mbaruar, por tek shumë prej neshështë rritur dëshira dhe nevoja për ta zgjatur këtë periudhë. Viti që lamë pas, izolimi dhe gjithë pasojat sociale, të shkaktuara prej pandemisë COVID 19 kanë sjellë lodhje psikologjike tek njerëzit.

Praktika ime profesionale afatgjatë më ka treguar se një target i veçantë, që gjithashtu shfaq rënie interesi për t’iu rikthyer rutinës së përditshmërisë janë edhe fëmijët. Andaj, prindërit luajnë një rol tepër të rëndësishëm në këtë proces dhe duhet të angazhohen seriozisht për ta bërë sa më të lehtë periudhën e kalimit nga pushimet tek angazhimet e zakonshme.

Ky është pikërisht momenti, që prindërit të bisedojnë hapur me fëmijët rreth rëndësisë që ka përmbyllja e këtij cikli pushimesh e t’i ndihmojnë ata, duke u shpjeguar rëndësinë që ka procesi i edukimit, frekuentimi i institucioneve arsimore të tilla si kopshti apo shkolla.

E nevojshme është të rrisni kohën cilësore, duke luajtur dhe u angazhuar në diskutime interaktive me ta. Duhet të keni prioritet minimizimin e kohës së qëndrimit nëinternet, fakt i cili do të shmangë problemet e përqendrimit tek vogëlushët.
Të dashur prindër, besoni se fëmijët tuaj kanë aftësi të mira adaptuese dhe juve ju lind detyra, që t’i mësoni gjatë zhvillimit të hershëm sesi ata të vetërregullohen emocionalisht.
Vetërregullimi emocional është baza për mirëqenien mendore dhe emocionale të fëmijës, pasi e ndihmon në përballimin e situatave të ndryshme dhe redukton përjetimin e stresit afatgjatë. Pas pushimeve, edhe ciklii tyre i gjumit ndryshon, ndaj është me rëndësi që të kujdeseni për të.

Çelësi i suksesit për ju si prind është që t’u qëndroni pranë dhe t’u krijoni besim, me qëllim që ata të shprehin ndenjat e tyre dhe të mos zhvillojnë “bllok”emocional.
Një teknikë efikase që sugjeroj është të diskutoni mbi avantazhet dhe disavantazhet e pushimeve verore. Të flisni me fëmijët sesi janë ndjerë gjatë pushimeve, duke identifikuar emocionet e tyre, pasi kjo i ndihmon të njohin ndjesitë e përjetuara. Për shembull, ju mund të merrni disa emoji të printuara dhe fëmija të shprehë emocionet, që dallon secilën prej tyre.
Gjithashtu, sugjeroj të aplikoni me fëmijët teknikat e frymëmarrjes, pasi sjellin benefite në çlirimin emocional.
Ju mund t’u tregoni histori, që janë kanë përmbajte edukative, pasi disiplinimi pozitiv është domosdoshmëri në rritjen e fëmijëve të shëndetshëm.
E së fundmi, nëse konstatoni, që pavarësisht përpjekjeve dhe angazhimit tuaj, duke ndjekur edhe sugjerimet që ndamë bashkë në këtë artikull, sërish fëmijët tuaj do të shfaqin ndryshime të humorit apo vështirësi funksionale, lind e nevojshme që të referoheni tek psikologu për një vlerësim profesional.
Suksese në misionin tuaj human dhe vit të mbarë shkollor, për të gjithë vogëlushët!/revistawho.com







