Bad Bunny ka zgjedhur të flasë hapur për një vendim që ka habitur shumë fansa: mungesën e koncerteve në SHBA gjatë turneut të tij të madh.
Reperi dhe këngëtari 31-vjeçar nisi në korrik rezidencën e tij në José Miguel Agrelot Coliseum në San Juan, ku mbajti 30 shfaqje të gjitha me biletat e shitura. Që prej asaj kohe, fansat nga e gjithë bota, përfshirë edhe emra të famshëm, kanë udhëtuar drejt Porto Rikos për ta parë live fituesin e çmimit Grammy.
Në një intervistë të fundit për revistën iD, ai sqaroi se arsyeja kryesore për të mos përfshirë SHBA-në në turne nuk kishte lidhje me suksesin apo dashurinë për publikun amerikan, por me pasiguritë që lidhen me kontrollet e emigracionit.
Kur u pyet nëse frika nga deportimet masive të latino-amerikanëve kishte ndikuar në vendimin e tij, Bad Bunny u përgjigj pa hezitim:
«Sinqerisht, po. Kishte shumë arsye pse nuk u shfaqa në SHBA dhe asnjëra prej tyre nuk ishte nga urrejtja — kam performuar atje shumë herë. Të gjitha (shfaqjet) kanë qenë të suksesshme. Të gjitha kanë qenë madhështore. Kam shijuar lidhjen me latino-amerikanë që kanë jetuar në SHBA».
Ai shtoi se vendimi për të qëndruar në Porto Riko ishte edhe një mënyrë për t’i afruar fansat më pranë tij:
“Por konkretisht, për një rezidencë këtu në Porto Riko, kur ne jemi një territor i painkorporuar i SHBA-së… Njerëz nga SHBA-ja mund të vinin këtu për të parë shfaqjen. Latinët dhe portorikanët e Shteteve të Bashkuara gjithashtu mund të udhëtonin këtu, ose në çdo pjesë të botës. Por ekzistonte çështja,,, ICE mund të ishte jashtë (koncertit tim). Dhe është diçka për të cilën po flisnim dhe për të cilën ishim shumë të shqetësuar.”
Pas përfundimit të koncerteve në Porto Riko më 14 shtator, Bad Bunny do të zhvendoset drejt Amerikës Latine, Europës dhe Australisë, duke lënë pas një turne të SHBA-ve që fansat e tij nuk do ta shohin këtë herë.








