Prej kohësh janë hapur diskutime të mëdha mbi problemet që kanë institucionet kulturore shqiptare. Aktorët më të shquar të vendit janë ngritur në protesta për të kërkuar mbështetje nga shteti. Së fundmi kryefjalë e mediave është bërë letërkëmbimi i artistit të madh, Robert Ndrenika me ministren e kulturës, Mirela Kumbaro.
Letra është siguruar nga gazeta “Panorama” dhe në të shkruhet:
E dashur Mirela!
Lexova me vëmendje letrën tënde. Përveç fjalisë së parë që “je në një mendje me mua”, të tjerat m’u dukën kunja dhe jo shumë të sinqerta. Përsa më përket mua, përveç mënyrës së të shprehurit, që ndoshta vjen nga profesioni im, (mirë do ishte të kisha studiuar për diplomaci) unë nuk heq asnjë presje nga ato që kam thënë.
Bingoja u hap në një situatë emergjente me aprovimin e tërë komunitetit teatror dhe kur paraardhësit e tu në Ministrinë e Kulturës deri në vitin 2000 nuk lanë hapësirë pa dhënë me qira. Përsa i përket ndërtimit të sallave te “Piramida” dhe “Turbina” e kishit ju për detyrë të kishit bërë dhe të bënit transparencën. “Transparencë” që edhe sot e kësaj dite ne po e kërkojmë. Vazhdimin e bisedës do ta bëjmë në sallën e Teatrit Kombëtar.
Me respekt
Roberti
Nuk e dimë ende nëse kërkesat e artistëve do dëgjohen apo do bien në vesh të shurdhër.