Të marrësh në dorë frenat e jetës tënde. Të kesh të gjitha ato që do. Një histori frymëzuese e një suksesi të merituar. Dhe një libër nga botimet “Living” që mund t’ju shndërrojë dhe ju në një të tillë.
Në vitin 2006, Sophia Amoruso, asokohe një 22-vjeçare arrakate, e cila kishte braktisur kolegjin dhe kishte kohë të lirë pa hesap, hapi një dyqan në eBay, të cilin e quajti Nasty Gal Vintage. Idetë e saj tejet origjinale dhe praktike, arritën të siguronin fillimisht 60.000 ndjekës, por tetë vjet më pas, Nasty Gal ishte kthyer në një kompani me një fitim prej mbi 100 milion dollarë në vit, në veshje dhe aksesorë dhe sot ka miliona ndjekës në Facebook dhe Instagram.
Ju duket e pabesueshme? Ashtu menduam edhe ne, por Amoruso pati mirësinë të ndante me ne sekretet e suksesit të saj. Një libër që vjen nga botimet “Living”, i cili tregon se si mund t’ia dalësh, edhe nëse vjen nga një adoleshencë e trazuar. Edhe në intervistën e mëposhtme, ajo tregon se si mund ta shndërroni jetën tuaj duke u bërë edhe ju një #VAJZËBOSE.
Ku ndryshon një #VAJZËBOSE nga një vajzë e zakonshme?
Një #VAJZËBOSE ka ëndrra të mëdha dhe nuk ndalet përpara asgjëje për t’i realizuar ato. Të jesh një #VAJZËBOSE do të thotë ta marrësh vetë në dorë timonin e jetës tënde, të mbash përgjegjësi për të ardhmen tënde, të guxosh dhe mbi të gjitha të kuptosh që dështimi është vetëm pjellë e imagjinatës. Sepse, nëse ti mëson nga ato që bën, qoftë edhe kur rezultatet nuk janë gjithmonë ato që kishe parashikuar, do të thotë se po ecën përpara; nëse nxjerr mësime nga gabimet, kjo është një fitore. Mendoj se shumë njerëz nuk guxojnë në jetë, pasi i tremben dështimit, por për mua, dështim do të thotë thjesht të mësosh nga gabimet.
Mendoni se femrat kanë më shumë sfida sesa meshkujt në role drejtuese?
Kështu thonë, por në kompaninë Nasty Gal, nuk është aspak kështu. Nëse femrat në kompaninë time, hasin në sfida, kjo nuk ka lidhje me gjininë, por me problematikat. Unë jam e mendimit se ajo çka duhet të ndryshojë, është perceptimi që shumë femra kanë për veten, mënyra sesi ato ua imponojnë respektin të tjerëve, pa qenë nevoja të ndihen si seksi i brishtë e të sillen si të tilla.
A besoni ju në filozofinë “Lean In” të Sheryl Sandberg?
Po, e besoj tërësisht. Sheryl Sandberg është e shkëlqyer. Tematika që trajton ajo për femrat në role drejtuese është shumë e rëndësishme, por unë kam një parandjenjë që shpesh njerëzit harrojnë prejardhjen e saj, faktin që është arsimuar në Ivy League apo që është milionere.
Cili do të ishte versioni #GIRLBOSS i suksesit femëror? Ju vetë keni deklaruar se nuk pranoni “jo” për përgjigje.
Kur dëgjoj një “Jo”, mua më duket sikur thonë “Si?”. Për mua, “Jo” do të thotë thjesht “Mirë, të shoh si mund ta zgjidh këtë punë”. Në librin tim jap një shembull, kur ata të Xhefri Kampbell më thanë: “Na vjen keq, por ne nuk shesim për dyqanet në internet. Na mjaftojnë kontratat që kemi”. Unë nuk u dorëzova, shkova sërish tek ata dhe pasi u tregova faqen e kompanisë sime në internet, ata thanë: “Mos moj, kjo qenka fantastike! Duhet të lidhemi patjetër bashkë”. Kështu, pra, në fund funksionoi, por ishte e dhimbshme, refuzimi është i dhimbshëm. Megjithatë, krenaria që ndien kur ti e riprovon dhe triumfon, është e pakrahasueshme me suksesin që mund të arrihet me tentativën e parë.
Ju e konsideroni veten feministe?
Po, pavarësisht se nuk para më pëlqen ta përdor atë fjalë, më duket shumë e rëndë. Nuk e di, por sepse më tingëllon edhe si negative. Për mua, gjëja më feministe që një femër mund të bëjë, është të jetë një #VAJZËBOSE. Madje mendoj se nuk do të ishte keq sikur #VAJZËBOSE të ishte një fjalë e re për feminizmin.
Sipas jush, çfarë cilësish duhet të ketë një femër shefe, por edhe çdo shef në përgjithësi?
Mënyra e komunikimit është çelësi i suksesit. Duhet të dimë të ngremë urat e komunikimit me vartësit, të marrim masa paraprakisht për gjithçka, por edhe të presim më të mirën prej tyre dhe t’ua bëjmë të ditur qartësisht këtë. Duhet të shpjegojmë gjithmonë jo vetëm se çfarë duhet të bëjmë, por edhe përse është e rëndësishme ta bëjmë atë, sepse njerëzit kanë nevojë për arsye. E di që kjo të merr më shumë kohë, por ia vlen sepse të gjithë punojnë më mirë kur janë të frymëzuar sesa kur duhet të bëjnë diçka thjesht sepse kështu u ka thënë shefi.
Një nga arsyet e suksesit tuaj ishin modelet praktike dhe seksi që ofruat dhe shitët në eBay. Si arritët ta bënit këtë pa studiuar për modë apo stilim?
Eksperienca ime me fotografinë më ndihmoi shumë. Kur nisa kolegjin, bëra një kurs të shkurtër fotografie. Unë blija veshje vintage, të viteve `50, për shembull, dhe i modifikoja me mendjen time e pastaj i fotografoja dhe i nxirrja në eBay. Kishte shumë rëndësi këndi i fotografimit. Ishte shumë emocionuese të merrje diçka të para shumë viteve dhe ta rimodeloje deri në detaje. Mendoj se ky lloj kujdesi që tregoja ndaj veshjeve gjithashtu më ndihmoi të bëhesha më profesioniste.
Cila është politika e stilit të Nasty Gal?
Stili ynë është pak Rok `N Roll, pak disko dhe gjithmonë modern, por asnjëherë më shumë modern se ç’duhet. Ne flasim për tendencat, i shesim ato, por duke marrë diçka nga e shkuara, duke e bashkuar me të tashmen dhe duke i shtuar pak nuancë klasike nga ana jonë. Për mua ka më shumë rëndësi stili sesa moda. Por ka edhe disa stile që janë baza e Nasty Gal, si T-shirt-et Rok `N Roll, xhupat për motorra dhe xhinset me bel të lartë.
Kush janë “Vajzat e këqija” (Nasty Gals)?
Klientet tona janë vajza të edukuara që duan të bëjnë një jetë fantastike. Ato vishen si “vajza të këqija”, ndoshta të pritura edhe nga muzika e tyre e preferuar dhe të gjitha ato jetojnë si një #VAJZËBOSE. Me pak fjalë, klientet tona kërkojnë diçka më shumë se moda. Ato e duan modën, por duan edhe udhëtimet, stilin e veçantë dhe duan të njohin edhe botën. Ato kanë shumë stil, e marrin jetën seriozisht, por jo më shumë nga ç’duhet. Edhe ne që jemi pjesë e stafit drejtues, ndonjëherë bëjmë shaka me kompaninë tonë.
Bota e modës njihet për snobizmin që e karakterizon dhe një nga kapitujt e librit tuaj, titullohet “Unë jam antimoda”. A ju kanë qortuar ndonjëherë për këtë?
Në libër, unë jap atë shembullin kur duhet të ulesh në një stol gjatë javës së modës. Një herë, dikush më kishte zënë vendin në stol dhe i thashë të shtyhej pak që të ulesha edhe unë. Aty për aty, erdhi edhe një tjetër që pretendonte se ai vend i përkiste asaj dhe u bëmë lëmsh. Është qesharake që disa të rritur të grinden për një copë stol. Një herë tjetër, mora me vete një shoqe në javën e modës. Ajo nuk është ndjekëse e rregullt e modës dhe dikush i tha që këpucët e saj ishin të sezonit të kaluar. Unë u vura shumë në siklet. Në javët e modës ka shumë njerëz të cilëve kushedi ç’u duket vetja dhe mbahen me të madh e kjo më duket diçka shumë e shëmtuar. Por natyrisht, nuk mund t’i përfshij të gjithë në këtë kategori.
Keni pasur presion për faktin se çfarë duhej të vishnit kur ndiqnit javët e modës?
Po! Pastaj kam parë fotografitë e mia gjatë javëve të modës dhe më është dukur vetja si e çmendur sepse jam përpjekur të vesh gjëra shik dhe kjo nuk është në natyrën time. Po, e kam ndier presionin e të pasurit një veshje tejet moderne dhe kjo gjë nuk më pëlqen aspak.
Cilët janë stilistët tuaj të preferuar, duke përjashtuar ata të Nasty Gal, natyrisht.
Për momentin jam e dashuruar me Prada-n. Gjithçka e tyre është e shkëlqyer! Ndërsa e preferuara ime e përhershme është Norma Kamali. Ajo ka për mua modelet dhe copat më të mira. Kam një fustan të sajin me rripa të hollë. Është thjesht një fustan i zi, por me të kërcehet rehat, sepse ka edhe një trupore nga brenda që e bën edhe më të veçantë dhe komod. Nuk gjen më fustane të tilla tani.
A frymëzoheni nga ndonjë stilist i veçantë kur koleksiononi modelet për Nasty Gal?
Saint Laurent po bën namin! Tek ata gjen nga të gjitha! Acne bën një punë të shkëlqyer, të pabesueshme!
Si është një ditë e zakonshme për ju?
Për mua nuk ka më ditë të zakonshme. Kishte dikur dhe ajo ishte të shkoja në punë, të gozhdohesha pas kompjuterit, të kontrolloja postën elektronike dhe të merresha me fotografitë. Ndonjë ditë dilja nga rutina dhe merresha me kontrollin e financave, ndonjë intervistë punësimi ose bëja ndonjë plan për të ardhmen e kompanisë. Sot, zakonisht shkoj në punë rreth orësh 10:00, nuk jam njeri që zgjohem shpejt. Sapo shkoj atje, kam takime thuajse të njëpasnjëshme, ndonjëherë edhe çdo tridhjetë minuta. Në raste të tilla edhe drekën e ha gjatë mbledhjes apo takimit. Kam aq shumë punë sa shpesh nuk i takoj dot të gjithë ata që dua të takoj dhe nuk punoj dot me gjithçka që do të doja të punoja.
Në një intervistë të mëparshme, keni thënë se nuk është e lehtë të mbetesh një #VAJZËBOSE kur bëhesh e famshme. Si ia bëni në këtë drejtim?
Unë kam fatin të punoj me një skuadër të jashtëzakonshme. Çdo të martë, ata dalin në Union Square dhe shpërndajnë gjevrekë të gjetur nëpër koshat e mbeturinave ku paraprakisht kanë pikturuar #VAJZËBOSE. Ata kanë ide fantastike! Nuk mund ta besoj që ne marrim rrogë për të bërë mbledhje ku dikush hidhet e thotë: “Mirë, pra, do të dalim të shpërndajmë gjevrekë të gjetur në koshat e mbeturinave në Nju Jork”. Mua kjo më duket vërtet e shkëlqyer dhe sa të jem unë në krye të Nasty Gal-it, ne do të bëjmë gjëra që asnjë markë tjetër nuk do të guxonte t’i bënte.
Ju krijuat komunitetin Nasty Gal, nga një medie sociale, kohë para se shumë njerëz ta dinin se çfarë ishte marketingu i lirë. Së fundmi, ju komunikoni me ndjekësit tuaj edhe nëpërmjet SnapChatt . Cili është sekreti i suksesit tuaj?
Mediet sociale janë dhe mbeten vetëm medie. Arsyeja pse eBay pati atë sukses dhe ankandet tona kapën majat, ishte sepse unë arrita të blija gjëra të shkëlqyera, të cilat më pas i bëra edhe më të shkëlqyera dhe i shita sa desha. Më mirë se kaq, nuk bëhet! Kontrollova çdo detaj dhe u dhashë njerëzve atë që ata donin. Kështu lindi edhe Nasty Gal. Sepse ta dini që sikur unë të mos kisha gjetur ato gjëra që gjeja, as që bëhej fjalë që mediet sociale të më përkrahnin. Pra, gjithçka nis duke ofruar diçka të bukur si për shembull një citat, një mendim personal, një fotografi. Njerëzit kanë nevojë të ndihen të frymëzuar dhe të shohin gjërat më të bukura të botës.
Jeni kapur duke vjedhur dhe keni shkruar se kjo eksperiencë ka shënjuar jetën tuaj. Pse mendoni se të bësh gabime kaq fatale, luan rol edhe në të pasurit sukses në jetë?
Të gjitha punët që kam bërë fillimisht më dukeshin të pakuptimta deri sa gjeta atë që më bënte të ndihesha e realizuar. Asokohe nuk e gjeja veten askund, edhe në gjimnaz më dukej vetja si aliene. Mendoja se të kaloje adoleshencën e gozhduar pas një banke do të thoshte të përgatiteshe për ta kaluar jetën si e rritur pas një tavoline pune dhe kjo nuk më pëlqente. Ju e dini tanimë që m’u desh të provoja një sërë marrëzirash për të kuptuar se liria e vërtetë vjen nga puna e vërtetë dhe jo duke marrë gjëra të pamerituara. Këtë, mua m’u desh ta pësoja në kurrizin tim, për ta mësuar dhe jo të gjithëve u ndodh kështu. Ka nga ata njerëz që e kuptojnë pa qenë nevoja të kalojnë eksperienca si ato të miat. Unë kam bërë jetë ekstreme në adoleshencë. Kisha nevojë ta kaloja atë periudhë.
Tani që keni prekur famën dhe suksesin, ju duket më e vështirë për të gjetur një të dashur?
Jo, sepse unë kam një lidhje trevjeçare tashmë. T’ju them të vërtetën, shpresoj shumë të mos më duhet të kërkoj më të dashur… Kuptojeni si të doni këtë.