Ndërsa pritet që në 4 Shtator të realizohet shenjtërimi i Nënë Terezës, mediat ndërkombëtare janë fokusuar te profili i humanistes me origjinë shqiptare. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, e cilëson Nënë Terezën si një nga gratë më me ndikim në historinë 2000 vjeçare të kishës katolike, shkruan “Opinion”. “Fituesja e çmimit nobel për paqe, Nënë Tereza ishte njëra nga gratë më me ndikim në historinë 2000 vjeçare të kishës katolike, e vlerësuar për punën e saj në njërën prej vendeve më të varfra të botës, të njërin prej qyteteve të Indisë, të quajtur Kalkkuta.”-shkruan Reuters. Qindra mijëra dishepuj të saj presin shenjtërimin e murgeshës së vogël, e cila do të udhëhiqet nga Papa Francesku në sheshin e Shën Pjetërit të Vatikanit. Kryeministri i Indisë Narendra Modi, e ka lartësuar figurën e saj si një humaniste, e cila i kishte shërbyer vendit të tij për vite të tëra. “Gjithë jetën e saj, ajo punoi për t’i shërbyer pjesës më të varfër të shoqërisë indiane. Kur një person i tillë shenjtërohet, atëherë është e natyrshme për indianët të ndihen krenar”, ka thënë Modi, për një radio lokale, cituar nga Reuters.