[metaslider id=1121]
Nga “Ethet e së premtes” si një vajzë e vogël e imcake, në skenën e “The Voice” më e sigurt e më e rritur. Olsa Ballguri, finalistja e edicionit të shkuar të “The Voice” kësaj here ka dalë nga miniskenat e bareve ku këndon ‘live’, për të shpërthyer me zë e figurë në një videoklip, së bashku me bashkëshortin e saj, bashkëpunëtor të përjetshëm…
Pas “Etheve të së premtes” konkurrove në “The Voice of Albania 4”. Ishin të njëjtat ndjesi dhe emocione si para dhjetë vjetësh?
Së pari dua të them se ishte një eksperiencë e bukur dhe një kënaqësi të këndoja për publikun shqiptar për rreth tre muaj dhe për këtë falënderoj “Voice of Albania” që ma dha mundësinë. Emocionet nuk mund të them se ishin të njëjtat, për shkak se kam qenë në dy stade të ndryshme të jetes time dhe emocionet kanë forma të ndryshme. Po këtë radhë kanë qenë më të mëdha.
Cili është ndryshimi mes skenës së madhe dhe skenave të vogla të bareve, ku ti performon muzikë live prej shumë vitesh?
Skena për artistin është skenë, sido që të jetë ajo. I vetmi ndyshim është sfida qe të jep skena e “The Voice”, ku punohet me profesionistë dhe kjo ndihmon në ndërtimin dhe rritjen profsionale.
Çfarë ndryshoi në jetën tënde finalja e “The Voice” dhe renditja si një nga zërat më të mirë?
Të qenit finalist i “The Voice” është kurora e një këngëtari që e meriton. Gjej rastin të falënderoj trajnerët për objektivitetin e tyre profesional.
Si po e shfrytëzon rinjohjen që të solli ky format?
Pas finales se “The Voice” ti je nje person publik. Publiku vazhdon të të rikujtojë emocionet që kanë përjetuar gjatë këtij formati dhe kjo gjë të jep mundësinë të vazhdosh të vlerësohesh dhe për gjithcka tjetër që ti bën pas “The Voice”. Kemi qenë të ftuar në koncerte të ndryshme, spektakle dhe intervista.
Kur thua “kemi qenë” e ke fjalën për bashkëshortin tënd me të cilin ti ke bashkëpunuar gjatë gjithë aktivitetit tënd artistik, apo jo? Ju vazhdoni të jeni një dyshe e pandarë?
Sigurisht që jemi një dyshe muzikantësh me shumë të përbashkëta në shijet muzikore. Kjo na ka bërë të ndihemi akoma më mirë dhe duket qartë dhe tek videoklipi ynë i fundit “Fly with me”.
Na zbulo diçka më tepër të videoklipin…
Planet e mia pas “The Voice” u konkluduan me një këngë të kompozuar nga Davidi, videoklipi i së cilës u realizua nga një bashkëpunim fantastik me “Swart Albania”. Kënga i përket zhanrit rock, teksti është anglisht.
Kjo do të thotë që me këtë projekt po synon tregun muzikor jashtë Shqipërisë?
Ky është synimi dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatin final, kënga është lançuar edhe në “Top Media”. Gjithashtu po përgatitemi për bashkëpunime të reja dhe për një tjetër videoklip.
Shfaqja e vazhdueshme në ekran a është e domosdoshme për një këngëtar?
Pa dyshim që luan rol shumë të rëndësishëm. E them këtë si për veten dhe për të gjithë këngëtaret e tjerë që jeta artistike duhet të jetë e barazvlerësuar edhe jashtë kutisë televizive.
A mund të shërbejë pjesëmarrja jote në “The Voice” si një apel për të gjithë ata që janë zhdukur nga skenat muzikore, që t’i rikthehen pasionit të tyre?
Eshtë shumë e rëndësishme pavarësisht se sa këngëtar i mirë ke qenë, të riangazhohesh dhe të tregosh rritjen tënde profesionale dhe aftësitë e tua për t’iu përshtatur një tregu të ri që normalisht ka kërkesat e veta. Atyre që ende janë në mëdyshje do doja t’iu jepja kurajë dhe t’i nxisja të provonin. Është trampolina më e mirë për një artist.
Discussion about this post