Sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur e tillë nga UNESCO, në nëntor të vitit 1999. Ideja për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare ka qenë iniciativë e Bangladeshit.
Sipas të dhënave të OKB-së, çdo dy javë një gjuhë zhduket, duke marrë me vete një trashëgimi të tërë kulturore dhe intelektuale.
Të paktën 45% e rreth 7000 gjuhëve që fliten në botë janë të rrezikuara. Disa qindra gjuhëve u është dhënë vërtet një vend në sistemet arsimore dhe në domenin publik, dhe më pak se 100 përdoren në botën digjitale.
Shoqëritë shumëgjuhëshe dhe shumëkulturore ekzistojnë nëpërmjet gjuhëve të tyre, të cilat transmetojnë dhe ruajnë njohuritë dhe kulturat tradicionale në mënyrë të qëndrueshme.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare festohet çdo vit për të promovuar diversitetin gjuhësor dhe kulturor dhe shumëgjuhësinë. OKB u bën thirrje shteteve të saj anëtare të promovojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e të gjitha gjuhëve të përdorura nga popujt e botës.