Në një kohë sfidash të thella për shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, një projekt inovativ dhe gjithëpërfshirës ka shënuar një hap të rëndësishëm në ndërtimin e komuniteteve të qëndrueshme dhe në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri.
Një nismë rajonale që përfshin Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut po sjell rezultate konkrete përmes fuqizimit të të rinjve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza (LKGV), në partneritet me organizatat ATRC dhe Pleiades, ka zbatuar projektin “Fuqizimi i qasjes shumëpalëshe për të parandaluar dhunën ndaj të rinjve dhe për të ndërtuar qëndrueshmëri”, në kuadër të programit rajonal SMART Balkans, të financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.
Të rinjtë si agjentë të ndryshimit
Në kuadër të këtij projekti, të rinjtë në Tiranë, Kamëz dhe Rrogozhinë janë përfshirë në ndërtimin e planeve strategjike për parandalimin e ekstremizmit dhe janë trajnuar në fusha si angazhimi qytetar, përdorimi i mjeteve digjitale dhe komunikimi efektiv.
“Ne nuk jemi vetëm pjesë e shoqërisë – ne jemi forca që mund ta ndryshojë atë,” tha një i ri pjesëmarrës në një nga workshopet zhvilluar në Kamëz.
Trajnime dhe shkëmbime në rajon
QAktivitete të ngjashme janë zhvilluar edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku 47 të rinj nga tre shtetet morën pjesë në punëtori tematike që trajtonin procesin e radikalizimit, identifikimin e shenjave të hershme dhe ndërtimin e rezistencës komunitare.
Në takime të zhvilluara në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë, të rinjtë ndanë përvoja dhe nisën bashkëpunime ndërkufitare, përfshirë krijimin e podkasteve që adresojnë gjuhën e urrejtjes dhe ekstremizmin digjital.

Institucionet, pjesë e zgjidhjes
Projekti ka bashkëpunuar ngushtë me autoritetet vendore dhe mekanizmat e sigurisë për të ndërtuar një qasje të koordinuar dhe efektive në nivel lokal. Workshope të posaçme me aktorë institucionalë në Shqipëri kanë synuar forcimin e rolit të institucioneve në parandalimin e radikalizmit dhe krijimin e strukturave të qëndrueshme të bashkëpunimit.
Studim kombëtar: OShC-të dhe të rinjtë me ndikim real
Në kuadër të projektit, është realizuar një hulumtim kombëtar mbi rolin e organizatave të shoqërisë civile dhe këshillave rinorë në Shqipëri në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Studimi tregon se përfshirja aktive e të rinjve si bashkë-krijues të politikave sjell ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e riskut për radikalizim.
Shembull për rajonin
Ky projekt dëshmon se parandalimi i ekstremizmit nuk është vetëm një sfidë sigurie, por një proces i thellë shoqëror, që kërkon edukim, bashkëpunim dhe përfshirje të drejtpërdrejtë të të rinjve.
“Workshopi rajonal më ndihmoi të kuptoj se urrejtja online nuk njeh kufij dhe përgjigja jonë duhet të jetë po aq e bashkuar,” – tha një pjesëmarrës nga Tirana gjatë një takimi në Shkup.
Për më shumë informacion mbi projektin dhe aktivitetet e tij, mund të vizitoni faqet zyrtare të organizatave partnere ose të ndiqni rrjetet sociale të Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza (LKGV).








