E kush nuk e njeh Vagabondin?! Vagabondin e “Goca si ty”, apo atë të “Nënave shqiptare”… Vagabondin e “Sonte do ta tundim”, e “Tirona o nona” dhe së fundmi edhe të “Vullkani Kuq e Zi”. Renditëm shumë nga titujt e këngëve të tij, por shumë pak dimë për vetë atë. Ndaj le ta njohim më shumë përmes kësaj interviste…
Çfarë është diçka në jetën tënde që ti e ke bërë si “vagabond”?
Gjëja që do të veçoja që kam bërë si vagabond është arratisja ime nga Shqipëria më 6 janar 1988-të, gjatë regjimit komunist… Pasojat me të vërtetë qenë të tmerrshme. Familjen time e internuan nga lagjia më e mirë e Durrësit (lagjia nr. 1) ose “Vollga” në disa fshatra ta humbur të Lushnjes. Si rrjedhojë familja ime humbi shtëpinë përgjithmonë dhe shumë nga të afërmit e mi u persekutuan me mënyra nga më të ndryshmet. Për këtë s’jam aspak krenar, por përkundrazi e ndjej veten fajtor dhe kjo do të më shoqërojë gjatë gjithë jetës. Megjithëse nuk e mendova kurrë që pasojat do të ishin të tilla, sepse ishim naivë dhe të rinj. Hyn tek veprimet që jam penduar që i kam kryer. Jam penduar përjete.
Kush është femra e jetës tënde?
Femra ime e jetës është në radhë të parë nëna ime që sot e kësaj dite interesohet për mua sikur të isha akoma i vogël dhe më gjendet pranë sa herë të jetë nevoja. Gjithashtu është dhe Ana me të cilën bashkëjetoj e që në të vërtetë është shoqja më e ngushtë në botë. Jam shumë me fat për ekzistencën e të dyjave.
Mendon se je i famshëm?
Në fakt s’i kam hiç mirë marrëdhëniet me famën po ja që është fakt që në Shqipëri jam shumë i famshëm. Unë nga natyra jam shumë i turpshëm pavarësisht se emrin artistik e kam “Vagabondi” dhe duke qenë i tille pra i turpshëm, me famën s’i kam hiç punët mirë në aspektin e privatësisë. Në shumë aspekte të tjera ‘fama’ më ka dhënë benefite.
Çfarë të gëzon ty?
Ka shumë e shumë gjëra që më kënaqin, sepse nga natyra kënaqem dhe me gjëra të vogla… Duke qenë i vetëdijshëm që jemi thjesht kalimtarë në këtë jetë, mudohem t’i jetoj momentet me sa më shumë pozitivitet. Më kënaq shumë mbarëvajtja e atyre që kam përzemër ose kur rrethohem nga ata që i konsideroj miq të vërtetë. I jam shumë mirënjohës fansave të mi që më japin aq shumë dashuri dhe respekt sa here që i takoj. Kënaqem pa masë nga mënyra se si më presin në evenimente të ndyshme. Është fantastike dhe jetështuese. Zoti i bekoftë fansat e mi!
Pse nuk del kurrë në ekran?
Edhe për këtë përgjigjen e dhashë pak më lart kur po thoja që jam tepër i turpshëm nga natyra. Kam përshtypjen se së shpejti do të dal nëpër ekrane, sa ta fitoj luftën me turpin.
Cili është pengu i jetës tënde?
Në përgjithësi nuk kam pengje, por në qoftë se ekziston një peng është ajo për të cilën ju fola pak më herët, arratisja nga Shqipëria. Për shumë gjëra që bëjmë në jetë, gjithmonë do të donim t’i bënim më mirë. Po arratisjen s’do të doja ta kisha bërë kurrë, pasi vuajtjet e familjarëve të mi ishin të shumta… Megjithatë jeta vazhdon!

Sot i ngacmon vajzat?
Jo, kurrë nuk i ngacmoj vajzat. E konsideroj veprim prej idioti të ngacmosh një vajzë që të kalon aty pranë, pavarësisht nga look-u i jashtëm që hera-herës mund të jetë ‘i çuditshëm’. Flirtoj nganjëherë, po me shumë maturi duke i bërë ndonjë kompliment, etj. Vajzat jane të shenjta dhe meritojnë të gjithë respektin e duhur. Pa vajzat universi do të ishte “hell” (ferr).
Cili është njeriu pa praninë e të cilit nuk rri dot?
Në përgjithësi do të më mungonte prania e të gjithë atyre që kam për zemër…
Do të këndosh ndonjëherë ndonjë rryme tjetër?
Në fillimet e mia kam qenë “metalar” dhe kurrë s’e mendoja që do të merresha me hip-hop. Duke qenë i apasionuar me grupe si Deep Purple, Black Sabbath, Led Zeppelin, Anthrax, Iron Maiden, Motley Crue,Guns N Roses, System of a Down, Metallica e shumë të tjerë, mendoja që ‘Hard Rock’ do ishte dhe rruga që unë do të ndiqja. Po nuk ndodhi kështu. Në fillim të viteve ‘90 u influencova shumë nga grupe Hip Hop-i si NWA, Public Enemy, Run D.M.C, Beastie Boys etj. Ai që me të vërtetë ishte influenca ime pa kthim drejt hip-hop-it ishte Eazy-e. Sot nuk e shoh veten në vend tjetër po vetëm pjesë të hip hop-it shqiptar dhe gjithmon do bëj detyrat e shtëpisë që të mos i zhgenjej fansat e mi.
Cila është femra e showbizit së cilës nuk do t’i thoje dot jo?
Janë disa po unë do të veçoja Rihannën.
Po në jetën jashtë muzikës të pëlqen që të të etiketojnë si “vagabond”?
Thjesht preferoj shkurt “Vaga”. Kurse familjarët dhe rrethi i ngushtë më thërrasin Ari sepse emrin e kam Arsen.
Për cfare i shpenzon paratë?
Paratë i shpenzoj para se t’i fitoj (qesh).







