Aq sa aktive në mediat sociale, aq është edhe selektive kur është fjala për të treguar cilësi në gjithçka që bën. Ky është profili i këngëtares së njohur Jonida Maliqi, e cila ka treguar më shumë për botën e fashionit, që e ka shoqëruar qysh në fillim të karrierës. Në një intervistë të fundit për Prive, Jonida ka folur ndër të tjera për biznesin e ri – Instagramin. Shumë kompani shqiptare dhe të huaja i janë ofruar për të reklamuar produktet e tyre, por edhe këtu, Jonidës i duhet të përzgjedhë: “Këtë pjesën e Instagramit, tani po e shoh si biznes. Më janë ofruar pa fund edhe biznese nga Shqipëria, por edhe nga vendet e huaja (rasti i setit të fundit fotografik me rroba banje të zeza ‘Moeva’). Më janë ofruar shumë, por unë jam deri diku selektive, sepse nuk dua të gënjej në cilësi dhe postimet e mia hera-herës paguhen, pse jo? Madje, disa syze i kam dhuratë”,– thotë ajo duke qeshur. Por, përveç biznesit, një fushë në të cilën ajo ka dëshmuar sukses, një pjesë që e ka të pamundur ta menaxhojë gjithmonë janë thashethemet. Pak kohë më parë, lajmi se Jonida Maliqi ishte në proces divorci u përhap me shpejtësi në media, aq sa u bë lajm i ditës. Për këtë, ashtu si gjithmonë për familjen, këngëtarja është e ashpër dhe deklaron prerë: “Fatkeqësisht, jetojmë në një realitet shumë të shëmtuar, ku njerëzit janë të prirur kundrejt dallavereve të shëmtuara. Pre e kësaj bëhen edhe mediat serioze apo edhe ato më pak serioze, shkruajnë gjithmonë tituj bombastikë dhe pastaj në vetvete, artikulli nuk përmban asnjë të vërtetë. Unë e kam mohuar këtë gjë përsa kohë kam këtë unazën në gisht dhe ende në gjykatë jam e martuar. Kur të jetë statusi ‘e divorcuar’ apo ‘single’, atëherë nuk do ta shikoni këtë unazë në gisht dhe do të jeni të parët që do ta merrni vesh, sigurisht.” Sa i përket muzikës, këngëtarja së shpejti do të vijë me një këngë dashurie, prodhim nga Kledi Bahiti. Për momentin po punohet për klipin e këngës dhe pritet të jetë në treg brenda sezonit veror./ Revistaclass.al