Dy ditë më parë në 17 janar, deputeti socialist, Blendi Klosi ka festuar 37-vjetorin e lindjes. Miqtë më të mirë të çiftit u mblodhën në ambientet e këndshme të bar “Caramel”, në qendër të Tiranës, për t’i uruar atij: Gëzuar ditëlindjen. Bashkëshortja e Blendit, Nora është marrë me gjithë organizimin e mbrëmjes, e cila sa e thjeshtë në dukje, kishte edhe “komplikimet” e saj për nga ana e përgatitjeve. Miqtë, të cilët i përkasin fushës së artit dhe politikës, por edhe të afërm të Blendit dhe Norës, kanë dëfryer për orë me radhë në trokitjen e gotave të verës dhe shijimin e kokteilit të përgatitur me shumë kujdes. Ndër të tjerë në festë kanë qenë të pranishëm dhe miku i ngushtë i Klosit, Ben Blushi, gazetari i njohur, Blendi Fevziu etj. Surpriza më e bukur ka qenë torta e porositur nga Nora, qirinjtë e së cilës janë fikur afër mesnatës.
Të ftuarit VIP në 37-vjetorin e Klosit – Shfaqet për herë të parë Alketa Vejsiu me bashkëshortin
Alketa, sot feston 24 vjetorin e lindjes
Ndër të ftuarit e ngushtë të çiftit Klosi ishte edhe Alketa Vejsiu e cila për të parën herë fotografohet nga paparaci me bashkëshortin e saj. Me një elegancë që i karakterizoi gjatë gjithë kohës, çifti qëndroi përgjatë mbrëmjes i qeshur ndërsa ishin akomoduar të ulur përballë njëri-tjetrit në poltronat e rezervuara për ta. Pikërisht sot, dy ditë pas ditëlindjes në të cilën është e ftuar, mbushen plot 24 dimra për prezantuesen e mirënjohur Alketa Vejsiu. Ajo ka lindur më 19 Janar të vitit 1984. Kjo ditëlindje e gjen Alketën me vajzën e saj të vogël Nicole në familjen e re të krijuar tashmë prej disa kohësh. Burime shumë të afërta të show-girlit rrëfejnë se është e përkushtuar gjatë gjithë ditës me vajzën e saj Nicole. Nuk dihet nëse sot Alketa do të organizojë ndonjë festë për ditëlindje apo do të jetë thjesht një mbledhje “intime” në familje me të afërmit e saj. Duke u përqëndruar paksa tek jeta prej nëne e Alketës mund të themi se ajo qëndron gjithë kohën me vajzën dhe e ndjek në cdo moment, madje gati-gati është kthyer në ‘manjake’. Nga gjithë të afërmit dhe miqtë e saj më të ngushtë njihet si një mama shembullore. Lexon shumë për ecurinë dhe rritjen e fëmijëve të vegjël, preokupohet në maksimum për shëndetin e të voglës së saj në mënyrë që asnjë grip në qarkullim mos ta prekë. Vajza e Alketës për hir të së vërtetës nga të njohurit e ciftit cilësohet si një fëmijë i bukur me flokë të verdhë dhe më sy bojëqielli, mjaft i shëndetshëm dhe i lezecëm. Por në fakt, kohët e fundit Alkteës i duhet të largohet pak orë në ditë nga Nicole duke e lënë atë me gjyshërit pasi projekti i saj më i fundit merr startin në muajin Shkurt. E teksa vetëm pak kohë na ndan nga fillimi i programit, Alketa dhe personi i saj më i besuar me të cilën ka patur gjithë bashkëpunimet Vera Grabocka, po punojnë fort. Tashmë projekti është në përgatitjet e fundit, ndërsa Grabocka po merret me detajet përmbyllëse. Programi që Alketa do të drejtojë ka për bazë trajtimin e cështjeve familjare, duke e sjellë ‘C’e posta per te’ edhe në Shqipëri. Janë disa rastet që stafi realizues ka pikasur për fillimin e emisionit ndërsa në kërkim janë të tjera raste që presin zgjidhje.
Bushati, çifti Blushi dhe Atnikolla,
në tryezë të përbashkët
Pranë çiftit në këtë përvjetor të ditëlindjes kanë qenë edhe stilistja Enada Atnikolla, e cila ndodhej e ulur pranë çiftit Blushi. Po kështu në tavolinën e tyre ishte edhe gazetari Andi Bushati. Enada Atnikolla ka qenë e përzgjedhura e Norës për një nga fustanet e nusërisë të përdorur në mbrëmjen që u festua me shoqërinë. Ajo këshillohet shpesh me te në stilimin e mjaft veshjeve, kryesisht funde dhe fustane. Herë pas here Nora është afruar tek tavolina e tyre për të ndenjur sado pak me ta edhe pse mbrëmja për të ka qenë shumë e zënë, duke u marrë me pritjen e të ftuarve dhe organizimin që çdo gjë të shkonte mirë.
Ditëlindja e Klosit dëfren Idrizin dhe Abazin
Kanë trokitur shumë herë gotat me verë, kanë qeshur aq sa nuk bëhet më dhe kanë qëndruar gjatë me njëri-tjetrin. Dy deputetët e partisë socialiste Sadri Abazi dhe Shpëtim Idrizi janë mbledhur sërish bashkë në ditëlindjen e Blendi Klosit. Kohët e fundit “dialogu me Shqipërinë”, nisma e PS i ka ulur thuajse çdo darkë në tryeza festive, por duket se në këtë mbrëmje kanë hequr dorë nga leksionet dhe udhëzimet ndaj antarësisë për t’u përqëndruar vetëm tek gëzimi i ditëlindjes së deputetit më të vjetër se ta por më të ri në moshë, Blendi Klosi.
Ky shkrim u botua më 19 janar 2008 ne “Gazeta Shqiptare”