Nga Bevis Fusha
Në ditët e sotme ku shumica e imazheve që shohim vjen nga masivizimi i fotografive personale në rrjetet sociale një autor i ri si Ben Blushi spikat fuqishëm ndryshe nga çfarë eksperienca na ka mësuar ku fotografi bën vetëm fotografi! Ai vjen nga letërsia dhe preferon të mbetet aty edhe pse me kriposjen vizuale që i bën gjuhës së shkruar servir një pjatë të bollshme për gojët e shtangura që nuk e kuptojnë fort mirë lidhjen esenciale tekst – imazh.
Blushi i cili në fillimet e tij adaptoi kënaqësinë dhe spontanitetin e nje amatori përzier me një aftësi teknike profesionale jo shumë të avancuar por tejet të guximshme, ndërmori një udhëtim të beftë në Ukrainën e luftës dhe provoi të thyente një nga rregullat thelbësore të fotografisë dokumentuese (dhe jo vetëm) sic është; shpenzimi i kohës më subjektet qe fotografon, duke ja dalë të parashutonte vrullshëm e me shpejtësi në jetën e tyre me ato qindra fragmente ku disa i pa e disa i krijoi dhe disa nuk arriti t’i fotografonte por t’i ndjente çdo cast rrotull tij duke i rënduar në qafë jo vetem rripin e aparatit por edhe barrën e pamundësisë për të sjellë gjithçka reale mes nesh.
Me dashamirësinë e misionarit që donte të ishte për ne zëri dhe figura e uturimës së tanqeve të luftës, në mesazhin e tij ku jeta tashmë ishte një monokrom në pikëpyetje, Blushi i pamësuar me teknika fotografike por i etur për të fiksuar në imazhe grimca të jetës nën kushtrimin luftarak ja doli të triumfojë dhe të bëjë atë që askush nga fotografët shqiptarë nuk e ka realizuar në dhjetë orë duke e ekspozuar për një muaj e duke i dhuruar fotove të tija edhe një album të printuar që do kujtohet gjatë në kohë për mënyrën dhë shpejtësinë se si u krijua.
Imazhet e Blushit ngrenë pikëpyetje. Pikëpyetje që marrin një vals përgjigjesh shpesh të vagullta dhe që e ngrenë vallëzimin e shikuesit në një dysheme ku çdokush merr kënaqësinë e tij nga kërcimi i pandalshëm. Ky është dhe synimi final i fotografisë së ofruar, të të bëjë të spërdridhësh mirë pa e ditur përse po kënaqesh aq shumë.
Blushit i intereson vallëzimi i jetës nën breshërinë e plumbave. Asgjë më mirë se sa fotografia nuk e ngacmon imagjinatën e vëzhguesit teksa sheh vrima plumbash paralel me buzëqeshje të dashura që përballë tytës së aparatit fotografik nuk e humbasin kurrë natyrën njerëzore edhe nëse janë përmbi rrënoja dhe gërmadha predhash të një lufte shkatërruese.
Fotografia është një proces. Blushi është kronikani dhe vëzhguesit janë shkruesit e saj. Është ë vërtetë që sot ka më shumë fotografë së sa njerëz siç shprehet një miku ynë i përbashkët, por Blushi është së pari njerëzor dhe nuk shkëputet dot nga të qënurit dhurues i ngjarjeve sublime që ndikojnë fort në emocionet e karaktereve humanë duke e bere këtë me klas.
Blushi vjen i pasur më këtë shpërthim, më një pasuri që celuloidi digjital do ta ruajë si gjënë më të shtrenjtë, jo vetëm për të por për të gjithë brezat që do të mundën të kuptojnë së si jeta dhe vdekja ravijëzohen në trajta të heshtura që bërtasin fort.
Ai ndihet i gatshëm për t’u rikthyer përsëri në një udhëtim të dytë tashmë për ti dhënë kolorin e duhur sekuencave që ngrijnë bukur në padijen e së ardhmës. A do t’i rigjejë subjektet e tij, a do t’i rishohë të vishen më ngjyrat normalë të jetës?Blushi ngre pyetje, imazhet përgjigjen. Ato janë aty si shenjat më të qarta të rrugëtimit drejt daljes në jetë nga drita e bardhë e tunelit të zi, drejt daljes në një funksionalitet koloristik ku çdokush frymëmerr si dikur, i qetë!