Që prej disa kohësh ajo ka ndërmarrë një iniciativë, e cila e ka vendosur në rrugën e biznesit. Bukuroshja Agnesa Vuthaj ka tashmë linjën e saj të çantave dhe aksesorëve në Prishtinë dhe sapo ka çelur edhe një filial në Tiranë, të inauguruar përmes një seti fotografik mjaft të veçantë. Në një intervistë për “revistawho.com” ajo ndan detajet e setit fotografik, të koleksionit të ri të çantave por edhe të përditshmërisë së saj.
Agnesa, keni realizuar një set fotografik mjaft interesant si nga pamja juaj ashtu edhe nga mjedisi, mund të na shpjegoni kontekstin?
Idea ishte për një fotosesion me temën “Një fluturim drejt Tiranës me çantat e Agnesa Vuthaj“. Fotosesioni fillon me uljen me helikopter në Tiranë, për të vazhduar me foto nëpër rrugët e Tiranës, disa aktivitete nëpër qytet dhe përfundon prapë tek kthimi me helikopter. Në fotosesion ka një kombinim të tri linjave të çantave.
Keni hedhur në treg koleksionin më të fundit të çantave dhe aksesorëve, cila është tendenca që keni përzgjedhur për këtë koleksion të ri, ku jeni bazuar?
Këtë radhë kam sjellë linjën e çantave shumëngjyrëshe, me frymëzim nga motivet e qytetit Portofino në Itali. Çantat dizajnohen nga unë dhe prodhohen në Milano.
Bashkëpunimi për këto foto ka ardhur së bashku me Edvina Metën dhe Stela Plakën, një trinom femrash, përse kjo përzgjedhje?
Unë besoj në fuqinë e femrës dhe ky ishte një ndër bashkëpunimet më të këndshme që kam pasur deri tani, përveç anës profesionale, u krijua edhe një atmosferë shumë pozitive pune që i dha shpirt këtij bashkëpunimi.
Sa e kënaqur jeni me biznesin tuaj aktualisht, i ka përmbushur pritshmëritë?
Jam e kënaqur aktualisht, sepse po realizoj vizionin tim, pritshmëritë rriten vazhdimisht, gjithashtu edhe puna është një proces i vazhdueshëm.
Mendoni se emri juaj ndikon sadopak tek blerëset, duke qenë që si modele për fushatën e re keni zgjedhur veten?
Po, besoj që njerëzit vijnë për të vizituar butikun dhe për të parë produktet për emrin tim, por është kualiteti është ai që i shtyn të blejnë dhe të rikthehen sërish.
Pas Kosovës mendoni të sillni edhe një filial në Tiranë?
Sapo kam sjellë linjën time të çantave në Tiranë, tek butik Coco, pasi kam pasur kërkesa të vazhdueshme nga Shqipëria, gjithashtu edhe blerje online dhe idea ishte t’i sjell klientet më afër produktet e mia.
Do të realizosh ndonjë inaugurim të biznesit në Tiranë?
Besoj që fotosesioni i fundit dhe shpërndarja e fotove dhe informatave përmes rrjeteve sociale për momentin do te jetë një informacion i mjaftueshëm, ndërkohë edhe mund të planifikojmë ndonjë ceremoni.
Me çfarë tjetër është e angazhuar aktualisht Agnesa?
Përveç biznesit, jam e angazhuar edhe me spektaklin Miss Kosova.
Sa kohë keni për jetën private dhe si e kaloni atë?
Mundohem të gjej gjithmonë kohë edhe për veten time. Më pëlqen të udhëtoj, të lexoj, të kaloj kohë me familjen dhe miqtë herë pas here edhe të rri vetëm, në qetësinë time.