Einxhel Shkira ishte “primadonna” e “Miss Shqipëria 2017”, në krah të së cilës producenti dhe regjisori i njohur, Petri Bozo, vendosi artistin kundër rrymës, Klevis Bega, i njohur në muzikë si Kastro Zizo. Në skenën gjigante të instaluar në Kalanë e Tepelenës parakaluan të premten në mbrëmje, 31 vajza nga e gjithë Shqipëria, ku Einxhel dhe Kastro ishin partnerët në duel të vazhdueshëm, larg klisheve që jemi mësuar. Se si e fitoi besimin e producentëve, për afeksionin që krijoi për miss-et, dhe si duhet të jetë bukuria e plotë për të, Einxhel rrëfehet në këtë intervistë për gazetën “Panorama”.
Të pamë si moderatore të spektaklit “Miss Shqipëria 2017”, që u organizua në Tepelenë. Si e prite ofertën?
Po pra më patë, lum si ju, dhe sa keq që s’munda ta shihja edhe unë veten! (qesh) Jam shumë e lumtur dhe e nderuar, mbi të gjitha, që edicionin e 19-të të “Miss Shqipëria”, producentët Petri Bozo dhe Alda Bida ma besuan mua, dhe më dhanë një hapësirë kaq të madhe për të treguar veten dhe aftësitë e mia në këtë fushë.
Si e fitove besimin e tyre?
Sigurisht që s’ka qenë e lehtë ta fitoja këtë besim. Oferta më erdhi pasi ata panë dita-ditës aftësitë e mia. Më është dashur shumë punë dhe përkushtim. Në fillim më kontaktuan për një bashkëpunim në biznesin që unë drejtoj, pasi të gjitha sfilatat ishin me fustanet e firmës “Elisabeth”. Ndërkohë m’u propozua ndjekja e vajzave përgjatë rrugëtimit të tyre me dokumentarët që transmetoheshin në ekranin e RTVSH në pritje të natës finale mbrëmë. Dhe një ditë të bukur zbulova që do të isha unë prezantuesja kryesore, ose një primadona (siç u shpreh dhe Petri kur ma dha lajmin).
Nga studiot televizive ku të kemi parë, u ngjite në një skenë madhështore me shumë publik. Si u ndjeve nën një qiell të hapur, nëse mund ta quajmë kështu edhe figurativisht?
Ndihem krenare për veten që e fitova këtë pozicion dhe jo thjesht m’u ofrua. E them këtë pasi fitova besimin e dy profesionistëve dhe kjo do të thotë shumë për mua, që vij me një eksperiencë nga formate muzikore për të rinj në një spektakël madhështor “live” në televizionin kombëtar. Që më shumë sesa një ofertë, është një sfidë e madhe e imja.
U fol në fillim që Petri Bozo do të eksperimentonte për ta kthyer në invers formulën skenike që jemi mësuar, duke venë femrën në qendër me disa meshkuj plotësues. Në fund u vendos në krahun tënd Klevis Bega, i njohur si Kastro Zizo, por ishte e vështirë të gjendej partneri i duhur për ty?
Sa i përket partnerit ose, ndoshta mund të them dhe partnerëve, do të ishte e veçanta e radhës, pasi ky produksion asnjëherë s’vjen njësoj. Regjisorit Petri Pozo s’i pëlqen e njëjta gjë gjithmonë dhe kjo tashmë është kuptuar edhe nga fakti që çdo vit spektakli zhvillohet në vende të ndryshme. S’e di pse kur vjen puna tek unë gjithmonë bëhet e vështirë gjetja e një partneri, ndoshta duhen më shumë se një që të më përballojnë në skenë. Gjithsesi, këtë partneritet ua lamë ta zbulonit e shikonit vetë natën e mbrëmshme të 16 qershorit.
Gjithmonë je shprehur se nuk të pëlqen të jesh ajo moderatorja formaliste në skenë. Po në këtë spektakël punove të ishe një prezantuese hip-hopiste apo klasike?
Një ndër arsyet që u shkëputa nga emisioni i hiphopit ishte pikërisht fakti që s’doja të bazoheshin tek ai emision për t’i definuar ashtu aftësitë e mia, apo tipologjinë e prezantimit tim. Mund të bëj çdo lloj prezantimi, di të jem dhe serioze apo klasike, thjesht s’do të isha plotësisht vetvetja dhe s’do e shijoja. Ndoshta hip-hop-iste s’isha, por një gjë është plotë- sisht e sigurt, që punova të jem larg klasikes apo klishesë që jemi mësuar të shohim.
Spektakli u organizua në Kalanë e Tepelenës. E kishe shkelur terrenin më parë, dhe cilat ishin vështirësitë që të bënë të ndieje pak ankth?
Po, pikërisht në kalanë e Tepelenës, ku u bë një punë kolosale për ta kthyer në një skenë të mirëfilltë spektakli. Por sërish mbetej një terren i vështirë dhe ajo që i frikësohesha më shumë ishte ndonjë rrëzimi, apo pengese me takat, pasi këto incidentet me ndjekin si për sy të keq. Ajo që i thosha vetes ishte: “E di që do të rrëzohem, por uroj të ndodhë pasi të jetë shpallur fituesja, që të mos e kenë mendjen tek unë!”.
Të prezantoje vajzat e gjithë Shqipërisë e t’i shohësh të kalojnë pranë teje në skenë, çfarë emocioni të ngjallën në skenë?
Unë në fakt fillova të ndjeja emocionet e tyre, përveç emocioneve të mia. Kjo ishte një sfidë për të gjitha ne. Unë, sikurse vajzat në garë, e kisha për herë të parë këtë eksperiencë drithëruese, do të thosha, por dhe me shumë përgjegjësi. Sepse doja t’i prezantoja ato në mënyrën më të denjë të mundshme, ashtu sikurse e meritonin. Më vjen mirë që ato u ndjenë më të sigurta me mua aty në skenë, pasi kjo shërbeu të na hiqte emocionet e të dyja palëve.
Fakti që konkurrentet prezantohen me numra, siç është krijuar tradita e këtyre garave të bukurisë, mendon se i bën të jenë thjesht numra, pasi do t’u duhet punë të arrijnë të kenë një emër?
Unë isha në këtë edicion që në ngjizjen e tij, nga audicionet e deri në natën finale. Gjatë gjithë kësaj kohe janë dhënë të gjitha hapësirat e mundshme nëpërmjet dokumentarëve që transmetoheshin çdo ditë në RTVSH me intervistat e tyre individuale e deri te rrjetet sociale apo prezantimi i tyre në faqen zyrtare të “Miss Shqipëria”, që të interesuarit të njiheshin me emrat e tyre. Ndërsa në këto spektakle nuk besoj se bëhet fjalë për diskriminim, por thjesht një procedurë lehtësuese për të dyja palët. Kështu, mendoj se ato nuk ndihen keq për këtë pjesë, pasi edhe afeksionohen pas numrave të tyre.
Intervista Plus/ Nga Monika Zguro tek Almeda Abazi, ja çfarë është bukuria sipas meje
Ti je vetë brune, do ta preferojë dhe fituesen brune?
Vetja më pëlqen më shumë brune, por kjo s’do të thotë që s’kam qejf biondet ëëëë? Nuk do t’i kategorizoja dot kurrë vajzat nga kjo gjë. Ato janë vajza të mrekullueshme dhe secila kishe ato karakteristikat e veta dhe pikat e forta. Për mua ato ishin të gjitha fituese, pasi janë të gjitha të bukura dhe të veçanta në tipin e tyre, saqë ma fituan zemrën e s’i ndaja dot nga njëra-tjetra.
Që bukuria të jetë e plotë, çfarë duhet të ketë tjetër, pas saj?
Duke ditur tipin tim, unë jam një person që vlerësoj shumë karakterin apo personalitetin. Sjellja dhe zgjuarsia është ajo që e bën një femër shumë më të bukur se sa thjesht pamja e jashtme. Inteligjenca e një femre nuk është plotë- suese për bukurinë, por është e domosdoshme, pasi pa të do të ishte një bukuri e çuar dëm…
Një miss me kurorë mendon se fatin e ka të ndritur për gjithë jetën?
Sigurisht që secila prej tyre ka ëndrra, të cilat mendojnë që do t’ia realizojë kurora në kokë. Dhe duke parë ndër vite suksesin e ish-misse-ve, deri diku dhe kanë të drejtë të mendojnë kështu, por kohët kanë ndryshuar…Kurora fitohet, por rruga e ndritur do shumë punë dhe sakrifica që të meritohet, pasi nuk ta fal njeri. Prandaj, thjesht kurora nuk mjafton, por është një nisje e mirë, gjithsesi.
Ndër vite kush është miss-i që e ka merituar vërtet kurorën për ty, në plot kuptimin e titullit?
Nuk mund të gjykoj dikë që tashmë e ka fituar kurorën, përderisa e ka marrë statusin miss. E përzgjedhur nga një juri me profesionistë, atëherë i bie që të gjitha e kanë merituar. Por, ndoshta si të preferuara ndër vite do të veçoja emra si: Monika Zguro, Irsa Demneri, Almeda Abazi e plot bukuroshe të tjera, që na kanë përfaqësuar shumë denjësisht si një pasaportë shumë e bukur për Shqipërinë.