Intervista nga Manjola Markola/Photoshooting: Pirro Beati/ Hair&Make up: Abi Salon
Fuqia e gruas shkon përtej çdo dimensioni. Përtej së bukurës, përtej fatit, ndoshta përtej jetës e asaj që qëndron më përtej saj. Në të gjitha këto, është gruaja që shkruan me shkronja të mëdha, sakrificën, ëndrrat, ambicien, detyrën, botën e rrugën në të cilën vë këmbët. Ashtu siç na rrëfen mjekja e mirënjohur shqiptare, Elona Meta rrugëtimin e saj. Një botë për botën, në mjekësinë e zemrës, me njerëzit për të cilët zemra rreh fort. Mes Shqipërisë e Gjermanisë, Elona Meta na dha mesazhin më të bukur, atë të jetës…
Si ka nisur viti 2025 për ty?
Sigurisht që ky vit që lame pas ka qenë një vit sfidues, pak i lodhshëm, por natyrisht që nuk dorëzohemi. Dhe ky vit nisi po ashtu vrullshëm, por duke ditur që jam njeri me ambicie dhe me vullnet, do vazhdoj të nxjerr në pah versionin më të mirë të vetes, si në profesion, si në atë të mëmësisë dhe atë që më përfaqëson si individ.
A i vë objektiva vetes çdo fillim vit?
Po, kam qëllim që këtë vit të përfundoj specializimin e dytë, si dhe të organizoj aktivitete të ndryshme në kuadër të shoqatës mjekësore IAM(INTERNATIONAL ASSOCIATION OF MEDICINE) në Gjermani,që unë drejtoj aktualisht.
Një mjeke e suksesshme shqiptare në Gjermani. Pyetja e parë që na lind natyrshëm është, si ka qenë rrugëtimi yt Shqipëri-Gjermani, nisur nga aspekti profesional?
Ka qenë rrugëtim i vështirë, mendoj si rrugëtimi i çdo mjeku të huaj që vjen nga vend tjetër, sidomos nga një vend i vogël si Shqipëria. Ka pasur sakrifica, por duke ditur qëllimin për të cilat janë bërë ato sakrifica, gjithçka ka marrë vlerën e duhur.
Çfarë të bëri të marrësh vendimin se Gjermania është vendi ku Elona do të gjente Elonën?
Zhvendosja ishte për arsye familjare, por sigurisht edhe profesionale. Numri i kufizuar i specialiteteve në Shqipëri dhe njëkohësisht numri i lartë i mundësive në Gjermani, më bënë që të zgjidhja këtë të fundit pa e menduar dy herë. Por padyshim që Shqipëria mban gjithmonë një vend të veçantë. Nuk ka qenë i lehtë vendimi, por më pëlqejnë sfidat e vështira dhe ndaj marr vendime të drejta.
Kur lexohet emri yt, kurioziteti të shtyn të shohësh çfarë qëndron pas tij e në fakt është e gjatë lista e specializimeve, trajnimeve, një formim që duket se përtej profesionit, përqafon edhe pasionin? Është e vërtetë. Specializimet mjekësore në Gjermani zgjasin 5-7 vjet dhe ndërkohë nga ana tjetër duhet të marrësh pjesë në shumë trajnime të tjera mjekësore që janë të nevojshme për zhvillimin profesional. Kjo ka kërkuar përkushtim dhe disiplinë, natyrisht dhe heqje dorë nga shumë gjëra që përfshijnë atë që quhet jetë sociale, kjo sepse nuk të mbetet shumë kohë për këtë të fundit.
Çfarë specialiteti mjekësor përfaqëson?
Pas përfundimit të 5 viteve specializim, jam mjeke specialiste e familjes. Por këtë vit mbyll edhe specializimin e dytë, atë të mjekësisë interne.
A ka qenë mjekësia pasion për ty, apo një rrugë e mirë profesionale?
Mjekësia është profesion i vështirë dhe patjetër që duhet ta kesh pasion, duhet të kesh një nivel të lartë empatie dhe të duash të ndihmosh të tjerët. Mbaj mend që fëmijë kam pasur gjithmonë dëshirën për të ndihmuar të tjerët.
E mban mend ditën tënde të parë të punës, pacientin e parë, ndoshta “dështimin” e parë? A kanë qenë etapa me rëndësi për japo thjesht pjesë e një pune që gjithsesi kishit marrë përsipër ta kryenit?
Kur ke të bësh me jetë njerëzish, duhet të jesh shumë vigjilente dhe e mirëtrajnuar.Mbaj mend që kisha frikë në do të bëj diçka gabim, nëse po i bëj gjërat siç duhet. Kujtoj që herët e para kam bërë shërbime 24-orëshe, edhe pse e re në moshë, punoja me përkushtim dhe shumë dëshirë.
Kaluam një periudhë të vështirë gjatë pandemisë, dhe duhet thënë se një nga emrat më të spikatur për kontributin professional dhe njerëzor gjatë asaj periudhe ka qeni pikërisht emri yt. Si e kujtoni atë kohë?
Është e vërtetë që kemi pasur një periudhë të vështirë, si këtu në vendin e punës, ashtu dhe në Shqipëri, ku kishim familjen dhe të afërmit. Unë jam përpjekur të jap informacionet e nevojshme për të informuar shqiptarët me lajme të reja dhe trajnimet e fundit në lidhje me pandeminë.
Si është një ditë e Elonës, mes punës, familjes dhe shoqërisë?
Dita ime fillon shumë herët. Pasi përshëndetem me time bijë e cila shkon në klasën e dytë, shkoj në punë. Pasi mbaroj punë, direkt në shtëpi për të kaluar kohë me vajtzën. Por nga ana tjetër përpiqem që hera-herës të gjej kohë edhe për shoqërinë, apo për të eksploruar vende të reja.
Louisa është një fëmijë që ka gene shqiptare dhee gjermane, nga cilat ka marrë përqindjen më të madhe?
Louisa është një kombinim i bukur i dy geneve dhe kulturave të ndryshme dhe ka marrë pjesën më të mirë tonën. Ka një përzierje të veçantë që më befason çdo ditë.
A e ke sjellë në Shqipëri? Nëse po, çfarë i pëlqen më shumë këtu?
Po, ka ardhur dhe i pëlqen shumë bregdetit dhe dashuria e pakushtëzuar që merr nga familjarë, por edhe ata që nuk janë familjarët tanë. Kjo në fakt mungon në Gjermani.
Çfarë do të kishe dëshirë që të merrte ajo nga karakteristikat shqiptare?
Pasionin mesdhetar, dëshirën për të tejkaluar kufijtë e vetes.
Rikthehemi tek Elona, cilat janë pasionet e tua, përtej bluzës së bardhë?
Po, më pëlqen të promovoj Shqipërinë përmes shoqatës që drejtoj në Gjermani, të mbledh kolegë dhe njerëz, të krijoj emocione dhe kujtime mbresëlënëse. Përveç kësaj, më pëlqen sporti dhe kërcimi.
Ku e sheh veten pas 5 ose 7 vjetësh?
Pas 5 vjetësh e shoh veten nën drejtimin e një ordinance time në Zvicër,kjo duke qenë se jetoj në kufi me Zvicrën.
Nëse nuk do të jetoje në Gjermani, cili do të ishte vendi që do zgjidhje për veten dhe familjen, natyrisht edhe për të zhvilluar më tepër karrierën?
Mendoj që Zvicra ose Shqipëria do të ishin vende të përshtatshme për të jetuar dhe zhvilluar më tej karrierën time.
A e mendon rikthimin në Shqipëri?
Për momentin jo, por ka shumë objektiva që dua të arrij dhe të them të drejtën këtu të jepet mundësia pa kushte, vetëm me punë. Por në një të ardhme patjetër që e mendoj. Shpresoj të bëhet realitet, një ditë…