Getinjo tregon të vërtetën e skenës muzikore: “Është periudhë e vështirë për tekstshkruesit si unë, por ka bukë për krejt”
Në ditën e tij të lindjes, reperi nga Kosova, Getinjo, ka zgjedhur të mos flasë për festa apo dhurata, por për realitetin e muzikës shqiptare. Në një postim të sinqertë në rrjetet sociale, ai ka ndarë mendimet e tij për vështirësitë me të cilat përballen artistët që shkruajnë vetë tekstet e këngëve.
“Është kohë e vështirë për tekstshkruesit si unë,” – shkruan ai, duke pranuar se për ata që synojnë të sjellin përmbajtje me mesazh dhe thellësi, tregu shpesh nuk është i drejtë.
Getinjo pranon se pavarësisht përpjekjeve për origjinalitet, publiku shpesh favorizon trendet e shpejta dhe komerciale. Ai e krahasoi skenën me një tokë që “nuk jep frute e as lule”, një metaforë që përshkruan më së miri ndjesinë e zhgënjimit që mund të ndiejë një artist në kërkim të autenticitetit.
Megjithatë, reperi ruan optimizmin. Ai theksoi se performancat në klube e evente janë ende një mënyrë për të mbajtur gjallë pasionin dhe për të siguruar të ardhura nga arti. Sipas tij, suksesi nuk duhet parë si garë: “Nuk kam asgjë me të tjerët, ka bukë për krejt,” – deklaroi ai me një ton mirëkuptues.
Getinjo shpjegoi se do të vazhdojë të qëndrojë besnik ndaj stilit të tij – këngë me “tekste smart dhe reale”, që flasin për jetën, ndjenjat dhe përvojat e përbashkëta. Ky qëndrim e veçon atë nga shumë artistë që ndjekin trendet e momentit, duke e vendosur më afër një publiku që kërkon autenticitet.









