Erjona Rusi, gazetarja e njohur e çështjeve ndërkombëtare, e cila ka bërë bujë edhe me projektet me tematikë sociale, vendosi së fundmi që të braktisë studion e lajmeve në televizionin ku punonte prej më shumë se tri vitesh, “Report TV”… Po çfarë e shtyu Erjonën drejt këtij vendimi? Dy arsye të forta ajo i zbulon më poshtë në një intervistë për ‘revistawho.com‘, bashkë me planet për një rikthim në ekran!
Erjona disa ditë më parë ‘RevistaWho.Com’ botoi lajmin e largimit tënd nga studio e lajmeve… Pse ky vendim?
Po në fakt, dhe Who nuk gënjen (buzëqesh). E kam “braktisur” për momentin studion e lajmeve. Arsyet në fakt janë të shumta, por nëse ka një “fajtor” të madh për këtë, ai e ka emrin POLITIKA, edhe pse mund t’ju tingëllojë e çuditshme. Politika në këtë vend ka faje të mëdha, por për t’i rënë shkurt, përveç se ka uzurpuar në mënyrë degraduese çdo qelizë të shoqërisë sonë, politika ka “degjeneruar” edhe gazetarinë në Shqipëri. Thuajse gjithçka njerëzit shohin në TV sot e mbase edhe lexojnë, është politikë, një politikë shterpë, e shndërruar në show që të lodh dhe mpak dalëngadalë si e pa e kuptuar. Dhe pikërisht kjo më ndodhi dhe mua: U lodha duke folur për ATA – politikanët tanë, që bëjnë gjithçka përveçse të gjejnë zgjidhje konkrete për njerëzit. Ndodhi që kuptova se ajo që po bëja nuk ishte gazetari, por isha shndërruar dashje pa dashje në një lloj zëdhënëse të politikës dhe ndjeva se kisha harruar NJERËZIT. Ja që politika ja doli të ndrydhë pasionin tim për të qënë LIVE (në transmetim). Mund t’ju tingëllojë absurde dhe nuk pres ta kuptojnë të gjithë. Por unë e pashë të arsyeshme të thoja STOP, të paktën për momentin dhe ndjeva nevojën e të ndaluarit dhe reflektuarit.
Veç arsyes profesionale, ka dhe një tjetër arsye krejt personale njësoj e rëndësishme. Kam patur një periudhë tmerrësisht të lodhshme dhe të ngarkuar, veçanërisht në 2-3 vitet e fundit, sa ndjeva se po humbisja shumë kohë nga rritja e vajzës time dhe kisha krijuar një hendek në marrëdhënien time me të. Vetëm pak ditë m’u deshën për ta konfirmuar këtë pasi ndryshoi tërësisht raporti ynë dhe po shijoj momente fantastike duke qëndruar me Nikol (vajza). Të kuptohemi, nuk është se po bëjmë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, por thjesht duke luajtur e duke kaluar shumë kohë me të më ka ridhënë atë dimensionin tjetër për jetën që e kisha harruar për pak kohë.
Ky është një divorc i përhershëm, apo mund të rikthehesh në lajme?
Asgjë nuk është e përhershme në këtë botë, çdo gjë ka një cikël të vetin. Televizioni është dashuri e madhe për mua, por lajmi është pikënisja në gazetari. Kështuqë s’jam divorcuar e as kam ndërmend kurrësesi me lajmin. Thjesht zbrita përkohësisht nga stoli i studios së lajmeve. Është thjesht një stacion ku po pushoj dhe reflektoj për pak kohë, deri sa të marr trenin e radhës.
Si u ndave me drejtuesit e televizionit ku punoje deri tani?
Nuk mund të them që jam ndarë me drejtuesit e Report TV, pasi do të vazhdoj të kontribuoj (me kohë të pjesshme) tek një projekt i nisur tashmë e që s’mund ta lë në mes të rrugës. Më pëlqen t’i çoj gjërat deri në fund dhe mbaj përgjegjësi për punën time. Por do të thosha që u largova nga puna ime e përditshme me shumë keqardhje. Mund të tingëllojë klishe, po kush më njeh e di mirë se s’jam shumë e zonja për lavde. Në Report TV kam kaluar 3 vjet e gjysmë të jetës time profesionale dhe jo vetëm, dhe kam patur një raport shumë të mirë dhe korrekt me drejtuesit. Më është vlerësuar puna dhe profesionalizmi dhe s’kam patur asnjëherë presion apo censurë në dhënien e lajmit. Madje, ndryshe nga shumë media të tjera, drejtuesit aty më lejuan edhe lirinë e rritjes time profesionale dhe “ndjekjes” së pasioneve të mia siç janë projektet e mia modeste feministe, e madje më kanë mbështetur shumë. Kështuqë përsa i përket kësaj, i jam moralisht “në borxh”. Por them që nga ana tjetër kam punuar me shumë përkushtim dhe kam dhënë shpirtin në atë televizion që e dua shumë, ndaj shpresoj se i kam dyert e hapura.
Cili do të jetë ekrani i ri ku do të të shohim dhe me çfarë projekti?
Për momentin po bëj pak pushim dhe jam fokusuar tek disa pasione të vogla të miat. Por besoj se shumë shpejt do të nis një projekt të ri në TVSH, do të jem pjesë e një programi televiziv që besoj se është risi për nga formati që do të ketë. Jemi ende në punë e sipër, kështuqë nuk do të ishte shumë e drejtë të flisja më shumë. Besoj kur të vijë momenti do t’i themi të gjitha.
Do të vijosh të trajtosh çështjet sociale?
Patjetër që po. Nëse zbrita nga stoli në studion e lajmeve, e bëra se ndjeva nevojën për të bërë diçka ndryshe dhe më shumë. Kjo shoqëri ka shumë probleme sociale që kanë nevojë të trajtohen dhe për të cilat pak flitet dhe shumë më pak punohet për t’i zgjidhur. Unë mendoj që hapi i parë drejt zgjidhjes së një problemi është të fillosh të flasësh për të. Por natyrisht, kjo s’mjafton sidomos kur bëjmë gabimin që ftojmë njerëzit aspak të duhur për të folur për këto probleme. Gjithsesi ka plot mënyra sot për të nxjerrë në pah problemet që kemi si shoqëri, dhe fatmirësisht teknologjia ndihmon për këtë. Unë personalisht do të vazhdoj të bëj pjesën time të “detyrës” në një formë apo tjetër. / revistawho.com