Sot është dita botërore e luftës kundër kancerit dhe pikërisht në këtë ditë vjen një lajm i gëzueshëm nga një artist që ka triumfuar në luftën me sëmundjen e shekullit. Ai është këngëtari Sunaj Saraqi, i cili më në fund fitoi betejën e tij kundër kancerit, një luftë për mbijetesë, e nisur që në dhjetor të vitit 2014. Sunaj ka postuar një falenderim të gjatë në llogarinë e tij të ‘Facebook’. Ja çfarë shkruan ai: “Allahu im, ty të takon falenderimi. Shumë faleminderit për mirësinë tënde, gjithashtu falenderim për mjekët të cilët u kujdesën për mua dhe më shëruan. Shokë, miq, familjarë dhe kolegë, unë sot e mora edhe lajmin e fundit të shumëpritur se cila do të jetë e ardhmja e jetës sime. Unë nga viti 2014 i muajit dhjetor e deri në ditën e sotme kam pasur një luftë shumë të madhe, ku me gjithë forcat që i kam përdorur dhe plus me të gjitha trajtimet, kimio, barna, ushqime të shumëllojshme jam ballafaquar me një sëmundje shumë të keqe, kancerin. Por ia dola të jem fitues. Sot mora informacionet e analizave të mia të fundit. Unë e zhduka një lloj sëmundjeje e cila nuk pati shanse të me rrëzojë me ndihmën e Allahut, mjekëve, gruas, djalit, shokëve përreth që i kam dhe dëshira ime e madhe për të jetuar. Unë jam shumë i lumtur dhe i gëzuar, ju përqafoj të gjithëve dhe uroj që të jeni shëndoshë e mirë dhe gjithmonë të jeni të lumtur e mos të keni brenga të tilla në jetën tuaj. Besoj se prej sot e në vazhdim do filloj të angazhohem me projekte të reja. Nga unë, Vera dhe djali im Seveni, Ju dua!”, – përfundon ai. Sunaj Saraqi, është një ndër emrat e njohur të muzikës në Kosovë. Ai ka qenë iniciator dhe menaxher në karrierën e disa artistëve të njohur, mjaft të kujtojmë këtu që Genta Ismajli e nisi muzikën falë tij. Aktualisht pasionin e të atit dhe të ëmës Vera Orucaj gjithashtu këngëtare, e ndjek djali i tyre, Seven Saraqi.