“Hello unë jam Vilma”. Sa herë bëj “scroll” në TikTok dhe më dalin këto fjalë, ndaloj menjëherë dhe e dëgjoj deri në fund. Nuk më ndodh shpesh me videot, për mos të thënë kurrë, por me Vilmën është ndryshe. Dhe nëse po pyesni pse, po ka një përgjigje. Është dashuria për çantat, vetëm se me një ndryshim, e imja është platonike, ndërsa e Vilmës nga ato dashuritë e mëdha si nëpër librat romantikë. I mbaj mend ato “quick-videos” për çantat që janë ose nuk janë origjinale, e të them të drejtën mendoj se unë ende nuk arrij t’i dalloj, por hë-hë, Vilmës more shok, nuk ia hedh dot. Detaje, teknika, por mbi të gjitha shumë dashuri aty brenda. Në fakt kjo është një arsye tjetër pse ti ndalon aty dhe e dëgjon Vilmën, nga dashuria për punën që bën.
Është frymëzuese e shpresëdhënëse, për kohën e shoqërinë në të cilën jetojmë. Shpjegimi me këmbë e duar, siç më pëlqen mua ta quaj është tejet frymëzues, për të gjithë ne, që na pëlqen vaniteti. Pa një pa dy, Vilmën mund ta quajmë një mentore çantash, po-po, nga ato mentoret shpirtërore dhe fizike të çantave. Fizike sepse ajo tanimë ka platformën e saj “Vilma’s Vault”, ku mund të blejmë çanta nga firma luksi me çmime shumë të mira e ku ajo ofron shërbime konsulence për të gjithë ata që duan të verifikojnë çantat e tyre “designer”.
Në pak se një vit me VilmasVault.com, ajo ka krijuar një kornizë të plotë besueshmërie dhe kjo sigurisht e përplotëson brenda një trinomi të “rrezikshëm” mes saj, çantave dhe komunitetit të ‘bag lovers’ që duhet thënë, rritet çdo ditë. Mund ta pyesësh për çantën më të kërkuar, atë më të shitur, më të vogël, më të madhe, për detajet, për koleksionet “vintage”, koleksionet e reja, për ato qepjet e vogla fare, për zinxhirin, për o zot sa shumë gjëra. Ti mund ta gjesh lehtësisht veten te videot e saj, më lehtë te “Vilma’s Vault” dhe vuala do të kesh çantën tënde origjinale. E pse të mos e kthejmë pasionin në punë fitimprurëse?! Kështu duket se e ka të formësuar një lloj motoje të fshehur Vilma, që për më tepër tani na përshëndet nga një kontinent tjetër, Amerika. Po pasioni nuk ikën me largimet, as me pauzat, ai plotësohet e bëhet më i gjerë, më kuptimplotë, më i dashur, më me vlerë. Duket se Vilma këtë mesazh e ka tejet të qartë, sepse ajo nuk na përçon vetëm dashurinë për çantat, por më së shumti dashurinë për jetën, për të bukurën, për pasionin, pasionin që frymon çdo ditë…/ Nga Manjola Markola