Revista Who
No Result
View All Result
  BREAKING NEWS
“Ka qenë lojë”, Keijsi habit me deklaratën për Inën, por e vërteta… 22/02/2026
“Vetëm unë s’e dija”, Bebe Rexha: Ish-partneri im ishte homoseksual! 22/02/2026
Albano Bogdo rikthehet te polemika me Beatrix Ramosaj: U keqinterpretua, i kërkoj falje njerëzore! 22/02/2026
Techno me zemër shqiptare, vajza që po elektrizon skenat ndërkombëtare! 21/02/2026
Partnerja “sekrete” që i rrëmbeu zemrën Getinjos! 21/02/2026
Next
Prev

Revista Who
No Result
View All Result
Home Lajme

Nuk e keni gjetur ende librin që do lexoni këtë javë? Jua kemi gjetur ne!

16/08/2021
in Lajme
Reading Time: 6 mins read
A A
Nuk e keni gjetur ende librin që do lexoni këtë javë? Jua kemi gjetur ne!

Nëse jeni ende në mëdyshje se ç’libër të lexoni këtë javë, ju japim një sugjerim. “Kafshët” nga Miguel Torga, një univers i skicuar në 14 tregime, ku njerëz e kafshë bashkëndajnë karakteristikat, si edhe peripecitë e jetës, duke ngritur pyetje thelbësore mbi shoqërinë dhe vetë ekzistencën.





Titulli: Kafshët
Titulli në origjinal: Os Bichos
Autor: Miguel Torga
Përktheu: Suadela Balliu
Zhanri: Tregime
Data e botimit: korrik, 2021
Numri i faqeve: 132
Çmimi: 700 lekë
Koleksioni: Skandal
Ky botim realizohet falë ndihmës financiare të programit
Europa Krijuese.

Mbi koleksionin “Skandal”
Vëllimi me tregime “Kafshët” është i pari që çel siparin e një koleksioni të ri
për Botimet Pegi, mbështetur nga Europa Krijuese.
Koleksioni me emrin “Skandal” do të mbledhë tetë autorë të ndryshëm
europianë, të cilët përmes veprave të tyre, skandaloze për kohën e botimit,
kanë sjellë një revolucion në mënyrën e të menduarit.
Po në këtë projekt, në bashkëpunim me shtëpinë botuese gjermane Schenk
Verlag GmbH, do të botohen në Gjermani edhe dy autorë shqiptarë: Tom
Kuka me “Gurët e vetmisë” dhe Ndriçim Ademaj me “Pa heronj, pa bujë”.
Veprat e shkrimtarëve shqiptarë që do të botohen në Gjermani pritet të cekin
disa taste të ndjeshme dhe të shkaktojnë njëfarë zhurme, për shkak të
tematikës së tyre dhe plagëve që nxjerrin në pah.
Të gjitha veprat trajtojnë tema delikate, shfaqin subjekte të ndjeshme, e kanë
një stil dhe gjuhë shpeshherë provokues. Veprat që do të botohen në gjuhën
shqipe, në shumicën e rasteve janë futur në listat e zeza të vendeve përkatëse,
janë censuruar ose kanë shkaktuar trazira në vendin e origjinës, në kohën që
janë botuar ose dhe më vonë.
Autorë si: Camilo J. Cela, Barbey d’Aurevilly, Alberto Moravia, Edna O’Brien,
Frank O’Conner, M. Caragatsis dhe Christiane F. kanë shkruar vepra, që kanë
rrëzuar barrierat e perceptimit publik mbi të mirën dhe të keqen. Ato kanë
shërbyer si katalizatorë të frikës dhe zemërimit të njerëzit dhe e kanë përballur
shoqërinë me vetveten.


Libri me një fjali
Toka, Kafshët dhe Njeriu të vëllazëruar në të njëjtën luftë: Jeta.

Informacion i përgjithshëm rreth librit
“Kafshët” e Miguel Torga-s është një univers i skicuar në 14 tregime, ku njerëz
e kafshë bashkëndajnë karakteristikat, si edhe peripecitë e jetës, duke ngritur
pyetje thelbësore mbi shoqërinë dhe vetë ekzistencën.
Ky klasik i letërsisë portugeze, u botua për herë të parë më 1940-n. Secili nga
14 tregimet ka një personazh: një kafshë të humanizuar apo një njeri që është
thuajse kafshë dhe të gjithë jetojnë në luftë me natyrën, Zotin apo me veten.
Të ndryshëm mes veti në veçantitë e tyre, këto “bishëza”, kafshë e njerëz, janë
të gjithë në të njëjtën “Barkë të Noes”, toka amë, të vëllazëruar në një luftë të
njëllojtë për jetën e për lirinë. Historitë e tyre përfaqësojnë dilema shumë
njerëzore. Në këtë libër, njeriu është një kafshëz më shumë mes të tjerëve e
nuk zë një vend të privilegjuar në krijim.
Për Miguel Torga-n, evolucioni e largoi Njeriun nga natyra, duke e dënuar me
humbje dhe udhëton me “kafshëzat” në kërkim të thelbit të tij të pazbutur, të
pastërtisë së instinktit, duke vendosur në pikëpyetje Zotin, lirinë, shoqërinë
dhe marrëdhënien e individit me to.
“Barka e Noes” e Torga-s, në secilën histori, sjell si personazh kryesor, një
kafshë në luftë me elementet e natyrës, Zotit apo Njeriut. 14 tregimet e librit
janë: Neroni, një qen i vjetër gjuetie; Magoja, macja e dënuar me dashurinë e
Dona Saneias; Madalena, kushtet e rezistencës së një gruaje; Morgadoja,
mushka të cilit i bën padrejtësi i zoti; Bamboja, bretk që njihte shkencën e
jetës; Tenorio, një gjel i torturuar nga dilemat; Jezui, i Biri i Zotit në çdo
mrekulli jete; Çiçikallja, një gjinkallë në formimin e vetes; Ladino, harabeli
tinëzar; Ramiro, natyrshmëria e dhunës; Zioshi (Farrusko), mëllenja gazmore;
Miura, demi me madhështi morale; zoti Nikolau, njeriu-insekt mes insekteve
dhe Visente, korbi në përballje me Krijuesin.
I shënjuar thellë nga mjedisi i fëmijërisë dhe adoleshencës, autori shkon të
kërkojnë personazhet dhe veprimet e veprës së tij narrative në gjirin e natyrës,
duke pasur parasysh virtytet dhe veset e Njeriut.

Kritika
Fakti që është vetë kafsha, e cila pikas sjelljen frikacake të njeriut dhe habitet,
i jep një peshë të veçantë akuzës dhe tezës së mizorisë së qenies njerëzore.
Njerëzit, në fund, sado që i atribuojnë vetes krenarinë e “epërsisë” së
njerëzimit, shpesh sillen si kafshë, siç edhe janë: madje në shumicën e rasteve,
sillen në mënyrë shumë më pak “humane” sesa kafshët, aq sa edhe vetë këto
të fundit ndiejnë neveri.
Prof. Joao Camilo dos Santos, Universiteti i Kalifornisë
“Vështirë të thuhet se janë thjesht fabula: në fakt, prania e kafshëve është në
vetvete e pamjaftueshme, nga njëra anë, për të përkufizuar ekzistencën e
fabulës; nga ana tjetër, marrëdhëniet në fjalë përkufizohen më herët, nga
struktura dhe ekonomia e brendshme, si tregime.
C. Reis dhe Ana C. M. Lopes, 1996.
Ky humanizëm i Migel Torga-s, me themel logjik dhe emocional, nuk është
humanizëm i huazuar në teori. Racionalizmi i tij sui generis është racionalizëm
human, që ka bazat në arsyet e dhembshurisë, të butësisë, të njerëzimit, arsye
që shumë herë, njerëzisht, komandojnë më shumë sesa logjika.
Jose Melo, kritik portugez, në librin e tij “Miguel Torga, Vepra dhe Njeriu”, kapitulli
“Humanizmi i Miguel Torga”

Është domethënëse që, në 14 tregimet e librit “Kafshët”, nëntë përfundojnë
me vdekje: Neroni, Madalena, Morgado, Bambo, Tenorio, Çiçikallja, Ramiro,
Miura, Zoti Nikolau. Nga pesë të tjerat, katër janë himn për jetën: Visente,
Farrusko, Ladino, Jezui dhe Mago. Aty është historia tipike e një zvetënimi, e
një të dëbuari, që këmben lirinë me rehatinë.
Teresa Rita Lopes, shkrimtare portugeze
Bëhen njëzetepesë vjet që kur Miguel Torga botoi “Kafshët”. Kafshët u rritën,
arritën pjekurinë, veshën rasën priftërore të njerëzimit që vetëm koha është
në gjendje ta japë. Tregimet e kafshëve dhe tregimet e njerëzve përzihen, duke
u bërë njësh në të njëjtën kohë. Gërshetimi është aty, nën lëkurë, vishet
çuditshëm për t’iu shfaqur botës, në shëtitjet e Magos, në shëmbëlltyrën e
Tenorios. Kafshët janë njerëz dhe njerëzit janë kafshë. Përmbajtja e këtyre
tregimeve e dërrmon një vdekatar…
Ruben A. Diario Popular për 25 vjetorin e librit “Kafshët”.

Autori
Miguel Torga (1907-1995), pseudonim i Adolfo Correia da Rocha-s, është
shkrimtar dhe poet portugez. Në poezitë dhe romanet e tij ngre në kult
fisnikërinë e gjendjes njerëzore, pavarësisht nga fuqia e Zotit, të cilin e sheh
si një krijues shpërfillës, krejt të munguar në jetën e individit.
Ai është fitues i çmimit Camões, më 1989, çmimi më i rëndësishëm letrar në
Portugali. Gjithashtu, ka qenë disa herë kandidat për çmimin Nobel.

Fragmente nga libri
1) Kafshëza ishte njëmend e ngordhur. I futi dhëmbët. Iku pafajësia!
Ndjeu t’i gudulisej goja… Befas, një aromë e fortë, depërtuese dhe e
ëmbël i vërshoi në nofull, stomak, në të gjithë trupin. Ishte i pari çast i
madh i jetës së tij…
2) Dhembshuria e zonjës nuk iu nda kurrë. Në fillim madje u përpoq të
reagonte; por, në fund, trupi, trupi i mjerë, u mësua me kanapenë. E
marra, mendonte se dashuria ishte e ndërsjellë. Më mirë kështu! Nuk
është për macet miqësia e sinqertë. Kush kapet pas të mbyturit, mbytet
edhe vetë. Me kalimin e kohës e pushtoi plogështia… Kur e vuri re,
ishte i humbur. Ndonjëherë ia kishte ënda për jetën jashtë shtëpie.
Mjerisht, punët i shkonin keq.
3) Deri atëkohë, e dinin vetëm ajo dhe Zoti. As zuzarit që ia kish bërë
këtë nuk i shkonte mendja… Gjithnjë kish qenë e zonja e vetes. Kishte
gabuar, ç’është e vërteta, por ia kishte dalë ta fshihte njollën në sytë e
botës – njollën më të madhe që mund të ndotë një grua.

ShareTweetShareSendSend

NGA KATEGORITE E TJERA

Ligj barbar në Afganistan, talebanët legalizojnë dhunën në familje: për aq kohë sa nuk thyhen kockat…
Lajme

Ligj barbar në Afganistan, talebanët legalizojnë dhunën në familje: për aq kohë sa nuk thyhen kockat…

18/02/2026
“Plaku dhe deti”: Alegoria e guximit dhe qëndresës njerëzore
Lajme

“Plaku dhe deti”: Alegoria e guximit dhe qëndresës njerëzore

11/11/2025
“Dashuria që mund të kishte qenë”, Historia magjike e një jete tjetër
Lajme

“Dashuria që mund të kishte qenë”, Historia magjike e një jete tjetër

11/11/2025
“I dashur, ti je trap”:  Dashuria që nuk të shpëton, por të zhvesh nga çdo iluzion
Lajme

“I dashur, ti je trap”:  Dashuria që nuk të shpëton, por të zhvesh nga çdo iluzion

11/11/2025
“Bionde”: Zhytje në shpirtin e një gruaje që bota e adhuronte, por askush nuk e njihte vërtet
Lajme

“Bionde”: Zhytje në shpirtin e një gruaje që bota e adhuronte, por askush nuk e njihte vërtet

11/11/2025
“Skenar brilant”: Romani që i jep fund përrallave dhe nis aty ku mbaron “jetuan të lumtur përgjithmonë”
Lajme

“Skenar brilant”: Romani që i jep fund përrallave dhe nis aty ku mbaron “jetuan të lumtur përgjithmonë”

11/11/2025
Next Post
Lopez nuk lë më asnjë gjurmë të Alex, fshin nga ‘Instagrami’ çdo foto me të

Lopez nuk lë më asnjë gjurmë të Alex, fshin nga ‘Instagrami’ çdo foto me të








Facebook Instagram Youtube

Dev by Techzero1.com

Rreth WHO

“RevistaWho.Com”, tabloidi me profil kryesisht showbiz-i është një media që funksionon online përmes website-it dhe rrjeteve sociale.
Faza e konsolidimit të saj në treg ka përfunduar dhe sipas studimeve tona momentalisht lexohemi nga një target grup i gjerë, kryesisht femëror, me shtrirje gjeografike në të gjithë Shqipërinë.
“RevistaWho.Com”, numëron më shumë se 4 milionë shikime në muaj dhe më shumë se 1 milion përdorues.

Abonohu

No Result
View All Result
No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Lajme
  • Intervista
  • Jetë
  • Të tjera