I pasionuar pa tattoo-ve, Olsi Klosi i “Big Brother 9” vendosi të vizatojë dje portretin e nënës, si gruaja e shtrenjtë mbi të gjitha femrat që, siç hyjnë, ashtu mund të dalin nga jeta e tij. Këtë javë, vëmendja e publikut u kthye sërish te djali nga Tirana me trup atleti dhe muskuj, pasi ish-e dashura Fjorentina Halili rrëfeu në televizionin ku punon si grimiere historinë e ndarjes nga ai.
Për ish-partneren që e njohu në audicionet e “Big Brother”, çfarë ka mbetur mes tyre, dhe jetën e re mes vajzave të bukura të showbiz-it, Olsi rrëfehet për gazetën “Panorama”:
Një verë e zhurmshme ishte kjo për ty. I rrethuar nga shumë vajza të bukura të showbiz-it, që “i ndërroje” çdo natë, por s’u kuptua me cilën prej tyre pati diçka më shumë se miqësi?
Verë e bukur ishte… Por mendoj se jo të gjitha gjërat tregohen.
Ndërkohë, ndarja nga Fjorentina u përfol gjatë në media. Për statuset e fundit në Instagram, që u interpretuan si shkëmbime hatërmbetjesh mes jush, çfarë mund të thuash?
Normal që u komentua lidhja jonë, duke qenë se shumë fjalë dëgjuam për njëri-tjetrin kur dolëm jashtë “BB”, por ne vazhduam, edhe pse çfarë ndodhi më pas ndodhi me mirëkuptim. Sa për statuset e fundit që janë postuar, mendoj se çdo njeri, kur nuk ndihet mirë në lidhje me çfarë kaloi, e ka të nevojshme të shprehet diku. Dikush me statuse, e dikush shprehet mes miqsh ose në shoqëri.
Edhe pse ishit ndarë, ti i bëre një surprizë prej djali xhentil për ditëlindje Fjorentinës. Si ishte prapaskena e asaj feste, që u shoqërua me puthje në buzë gjatë fikjes së qirinjve?
Fjorentina është një person që meriton respekt. Edhe pse nuk ishim bashkë, unë surprizën ia bëra, dhe në një moment u puthëm thjesht. Ndodhi aty për aty, dhe vazhduam duke buzëqeshur.
Vëmendja publike te historia juaj u rikthye pas intervistës që Fjorentina dha të enjten në emisionin e pasdites në “TCH”, e cila deklaroi se keni mbetur miq. Çfarë nënkupton kjo, që ju s’keni më ndjenjë dhe takoheni pa problem?
Po, edhe mund të takohemi. E ndoqa intervistën dhe i uroj gjithë të mirat kudo që të shkojë. Ky është urimi i një miku për një mikeshë.
Të dhemb ndarja, dhe kur mund të jesh gati për një lidhje tjetër publike?
Ndarja kalon me kohën. Lidhje publike? Nuk mund të flas për këtë.
Të shkruajnë vajzat mesazhe dhe çfarë kërkojnë nga ty, lidhje serioze apo “one night stand”?
Hmmmm, pak nga të dyja.
Ndodh që i hedh sytë ti i pari te një vajzë, por ajo të refuzon. Si sillesh?
S’ka ndonjë gjë, refuzimi është pjesë e jetës. (qesh) Është më mirë, pasi ashtu të motivon të shohësh një tjetër më të mirë.
Jeta jote pas “Big Brother” ndryshoi për mirë apo për keq. E thënë troç, çfarë përfitove nga fama?
Fama? Jetojmë në një vend ku shumë e duan famën dhe vëmendjen, saqë sforcohen në vetvete për të qenë dikush. Nuk mund ta quaj veten të famshëm. Pas “BB9” kam fituar respektin e shumë njerëzve dhe jam i lumtur.
Cili do të jetë angazhimi yt tani e tutje?
Për momentin dhe pak nxjerr një projekt të quajtur El.Machico, për të cilin kam dy muaj që punoj dhe për pak e mbyll për ta shfaqur te njerëzit, që më mbështesin dhe mezi po e presin.
Paratë janë të rëndësishme për ty, çfarë bën për t’i fituar ato?
Paratë janë të rëndësishme, normale. Por unë jam mësuar të kënaqem me pak, sepse më mirë të hash pak dhe je në rregull, sesa shumë e të mbytesh. Për t’i fituar paratë, thjesht vendos trurin në punë./ Panorama