Këngëtari shqiptar Jon Tarifa po shijon 100 ditë pushime në disa vende të Azisë me bashkëshorten e tij. Joni ka folur sot ekskluzivisht në programin “Chaud Patate” në Nrg Radio, për këtë eksperiencë fantastike të tij.
“Kemi vajtur në fillim në Tajlandë, pastaj në Kaboxhia dhe tani jemi në Vietnam, nesër nisemi për Indonezi. Gjëja më interesante them se ka qenë Kamboxhia ku kam parë shumë tempuj mjaft të bukur dhe të çuditshëm. Tani jemi në ditën e 33-të ose 34-t besoj, pra kemi dhe 66 ditë akoma. Plani është që nesër të nisemi në Indonezi ku do rrimë më pak se dy muaj, sepse nusja ime është gjysëm indoneziane dhe gjysëm hollandeze, kështu që për Krishtlindje do të shkojmë te njerëzit e saj e më pas do vazhdojmë të bredhim nëpër Bali e ishuj të ndryshëm. Përsa i përket shpenzimeve jemi gjysëm për gjysëm, s’kemi harxhuar shumë, por as pak. Një javë i biem me top dhe javën tjetër e marrim lehtë.”, tha Joni për “Chaud Patate”.
Dhe në fakt nuk mund të na mungonte kurioziteti se si po shkon marrëdhënia e këngëtarit me bashkëshorten ndërkohë që janë me pushime. A i janë mërzitur njëri-tjetrit duke ndenjur 24 orë në 24 bashkë?
“T’ju them të drejtën asnjë çikë. Më shumë mërzitemi në Hollandë ku jetojmë, sesa këtu. Para një jave kishim 10 vjet bashkë, kjo është dhe arsyeja pse ne kemi ardhur këtej që të kalojmë disa kohë bashkë dhe jemi kënaqur.”,- u shpreh Joni.
Përsa i përket planeve për të sjellë në jetë një fëmijë Joni tha se do të vijë patjetër pak më vonë pasi nuk e kanë menduar për momentin.
Emisioni i mëngjesit “Chaud Patate” startoi sot në Nrg Radio. Ai do të vijë çdo ditë nga e hëna në të premte, nga ora 8:00 deri në orën 11:00. Ai do të vijë nën drejtimin e tre moderatorëve, Flori Gjini, Rudi Deda dhe Suada Daci./revistawho.com