Nga Ledion Liço / Fotot: Endrit Mërtiri / Video: Elis Kruja
15 vite më parë fillova punë në televizionin më prestigjoz në Shqipëri, “Top Channel“. Ishte pikërisht aty ku pashë për herë të parë Sarën, në recepsionin e “Top Albania Radios“, kur nga qejfi, merrte kërkesat e telefonuesve për “Një këngë për ty“. Nuk e mendoja kurrë që 10 vite më pas ajo do të ishte e dashura ime, pastaj nëna e djalit tim, dhe në gusht të këtij viti do të më thoshte “Po”-në e përjetshme në altar.
Si një prej njerëzve më afër saj, mund të mendoj që di shumicën e përgjigjeve, jo të gjitha, sepse disa pyetje nuk ia kam bërë kurrë, dhe sot po marr përsipër, modestisht, të shuaj kuriozitetin e publikut për të, si dikush që është tepër e rezervuar, introverse e që të qënit e famshme nuk e kishte zgjedhje të saj; si dikush që të qenit e tërhequr i vjen natyrshëm në epokën kur të gjithë duan të ndajnë gjithçka me të gjithë. Sara për mua është frymëzim, është një model për brezin e saj, një brez që jetën e ka të varur në përgjithësi nga sipërfaqja dhe show-of-i.
Njësoj si kolumnistët me kohë të plotë bëjnë në revistat botërore, vendosa që përgjigjet për “revistawho.com“ t’ia marr në një ‘date-night’, një nga ato që bëjmë përjavë, ose të paktën mundohemi, sepse familja, miqtë dhe puna shpesh të futen në pjesë. Kjo si një mënyrë për të mos harruar njëri-tjetrin, vetëm ne, në një takim, në një restorant të qetë dhe jo nga ato vanitozët, me një gotë verë, nga ato takime që na munguan në fillim të lidhjes.
Ledioni: Kjo është e çuditshme?
Sara: Po, është…
L: Jo fakti që po dalim për ‘date-night’…
S: Jo, që ti do të më bësh pyetje dhe unë nuk do të rri në telefon (qesh).
L: Ne nuk kemi dalë dot në takime në fillim…
S: Atëherë, ëhëë…
L: Në fillim rrinim te shtëpia ime, sepse nuk donim që ta merrte vesh njeri.
S: Po, po edhe sepse unë nuk e dija çfarë po bëja me jetën time.
L: Përpara se të vazhdojmë me historinë tonë, e nisim nga mami. Si do e përshkruaje marrëdhënien tënde me Vjollcën; si ka ndryshuar ajo pas humbjes së babit, pastaj fakti që është gjyshja e London, pa harruar që ndan biznesin me të, është “Presidentja e Top Medias“?
S: Në fillim unë dhe mami im nuk ishim shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Unë isha më tepër vajza e babit, isha më e lidhur me të. Mami ishte tërë kohës aty, e merrja pak për të mirëqënë, ndërsa babit ia ndjeja mungesën, doja ta kënaqja, ta bëja të ndihej krenar. Pastaj kur babi ndërroi jetë, gjërat morën pak për kot. Nuk është se nuk e doja, se unë vdes për mamin tim, por e bëja atë me faj që babi nuk ishte më. Ishte mbase mënyra ime për t’u përballur me humbjen. Për të do të ketë qënë shumë e vështirë kjo pjesë, por kur e mendoj, isha akoma fëmijë kur ai iku.
Pastaj gjërat ndërruan kur u lidha me ty, sepse më shihte si të rritur, më të pavarur, pra kishim një komunikim të ri dhe më pas kur linda London, arrita të kuptoj vërtet se sa shumë ka bërë ajo për mua, për ne. E shihja vetë se sa e vështirë ishte të rrisje një fëmijë, sa përgjegjësi ke dhe i shtoja dhe faktin që babi nuk ishte aty për të, ajo ishte vetëm, vetëm në familje, vetëm në biznes, por si një Super Grua! Mami im është gjithçka.
L: A të mungonte babi, fakti që nuk ishte me ty tërë kohës?
S: Ai nuk ishte nga baballarët që vinte duartrokiste për ty tek shfaqja e shkollës. Po për mua kjo nuk do të thoshte gjë. Ai ishte tërë kohës aty, edhe kur nuk ishte, merrte çdo ditë në telefon, dërgonte mesazhe.
L: Ti më ke treguar një herë një histori shumë të bukur. Që nuk flije gjumë pa e dëgjuar atë të vinte në shtëpi…
S: Unë me Lorin flinim në një dhomë bashkë. Redia ka qenë pak më e vogël dhe flinte me gjyshen. Megjithatë ne nuk flinim, bënim sikur, derisa ai të vinte dhe të na puthte. Dhe pastaj shkonte në dhomë, ndizte televizorin dhe aty ne ndiheshim të sigurta.
L: A sillej Tani si shok me ju? Apo ishte i rreptë?
S: Ishte i rreptë kur duhej. Pra, jo një baba që të bërtet, një baba që të dënon. Për ne ai ishte idhull dhe çdo gjë që thoshte ishte ligj. Nëse bënim diçka që e mërziste, fakti që e kishim zhgënjyer ishte shumë.
L: Për të shuar një kuriozitet, që unë e kam shuar përpara kohësh, por që njerëzit ushqenin legjendat e tyre. Si ka qenë fëmijëria juaj, a flinit në krevate princeshash, me rubineta floriri?
S: Fëmijëria ime, hiq ca udhëtime më tepër që mbase s’i bënin të gjithë, ka qenë e zakonshme. Unë flija me time motër, duke luajtuar e duke u zënë deri në kafshime apo shtyrje nga shkallët. Nuk kishim lodra të shtrenjta. Babi nuk donte të na llastonte dhe edhe më vonë, kur dolën telefonat, nuk donte që të kishte njëra prej nesh, diçka që tjetra s’e kishte. Unë jam rritur njësoj si një fëmijë në një familje me të ardhura mesatare në Shqipëri.
L: Për shkak të dimensionit që Tani kishte dhe ka, njerëzit jo rrallë herë marrin përsipër të shkruajnë nëpër komente se çfarë do të kishte bërë ai ndryshe po të ishte akoma gjallë. Sa ndryshe do të ishte jeta jote sikur ai të ishte akoma këtu?
S: Nuk mendoj që ekziston një njeri që e njihte atë aq mirë sa të marrë përsipër të thotë me siguri që çfarë do të kishte bërë ai sot. Unë mendoj që ç’ka për të ndodhur në jetë do të ndodhë, mund të vonohet, por është e pashmangshme. Që gjërat do të ishin ndryshe, edhe mundet. Unë mbase nuk do të isha në Tiranë, do të vazhdoja studimet e mia jashtë. Nga mungesa e tij unë doja t’i qëndroja mamit afër, e më pas të gjeta ty, erdhi London. Edhe nëse ai do të ishte, këto gjëra do të kishin ndodhur, mbase kur të isha 30 apo 35 vjeçe. Është e tepërt të thuash çfarë do të kishte bërë ai, sepse koha të ndryshon dhe njerëzit nuk e marrin parasysh shenjën e kohës.
L: A ishte London një surprizë?
S: London ishte me vetëdije të plotë. Ne kemi patur një shtatzëni përpara London, që fatkeqësisht u ndërpre në mes, sepse zemra e bebit pushoi së rrahuri. Dua ta them këtë, sepse është diçka që u ndodh shumë njerëzve, është shumë e trishtë, por dua që të kuptojnë që nuk është përfundimtare ajo ndjesi. Ti e mban mend se sa u mërzitëm për një fëmijë që ishte sa një kikirik, që as nuk e njohëm, dhe aty e kuptuam sa shumë donim që të krijonim një familje tonën.
L: Për brezin e prindërve tanë të bënin fëmijë 21 vjeç ishte normë, por tani gjërat janë pak ndryshe… A sakrifikove shumë për të patur London?
S: Kjo është e vështirë, kurdo që vjen. Edhe 30 vjeç nuk është se do të dija të bëja më shumë se tani… Nuk ka një libër me udhëzime. Unë kam lexuar pafund libra, kam kërkuar me orë të tëra online, por të jesh mama është instiktive. London Noor për mua është çdo gjë, asnjë sakrificë nuk është më e madhe se ai. Sidoqoftë me mbështetjen e duhur, asnjë nuk ka pse të zgjedhë. Arrin t’i bësh të gjitha, sigurisht prioritetet ndryshojnë, por ekuilibrin e ke ti në dorë. Kur më pyesin a do ishte më mirë të kishe pritur, e mendoj që edhe mund të kisha pritur, por shkoj në shtëpi, e shoh atë në sy, dhe them ‘joooo, kjo është gjithçka në jetë’.
L: Ata që kanë fëmijë e dinë që kur vjen në familje gjërat në çift ndryshojnë? Si kanë ndryshuar ato për ne sipas teje?
S: Është koha që të mbetet për njëri-tjetrin ajo që ndryshon. Kur ishim vetëm unë e ti, kishim kohë pafund për njëri-tjetrin. Tani kemi vetëm dy orë (cilësore). Është çështje ekuilibri, natyrisht ke më pak kohë, por i shfrytëzon më mirë. Unë sot të dua më shumë se përpara se të kishim London, sepse shoh përkushtimin tënd, dashurinë për të dy ne.
L: Le të tregojmë pak për kush ju vardis kujt?
S: Ti mua!!!
L: Pra, nuk ishte dashuri me shikim të parë? (qesh)
S: Jo, ishte dashuri pas 15 vitesh.
L: Po kur e kuptove ti që ishte dashuri, sepse unë të kam thënë i pari të dua.
S: Pooo, dhe unë në fillim ta thashë si përgjigje duke menduar se atë duhet të thoja. Nuk jam e sigurt nëse e ndjeja atëherë kur ta thashë për herë të parë. Por e kuptova 100% kur shkova në Londër dhe nuk rrija dot pa ty.
L: Pra ti s’më mendoje mua përpara?
S: Jo, fare (qesh). Unë isha në fazën që po vazhdoja shkollën në Londër, u dobësova, më kishte hipur vetja në qejf. Lidhja jonë erdhi në një kohë kur unë nuk e shikoja jetën time në Tiranë, gjithë planet i kisha të ikja.
L: A do e tregosh momentin që ne gati jemi ndarë?
S: Kur historia jonë u bë publike dhe doli në çdo faqe online, unë isha në gjendje shoku. Nuk isha gati. Isha vetëm 18 vjeç, në një lidhje me dikë 10 vite më të madh se unë, që punonte tek kompania e familjes sime. Jemi ndarë për 3 ditë. Atëherë mendoja që ky ishte fundi. Une isha një njeri shumë privat, ndërkohë kush nuk më shkruante për këtë histori. U futa në gojën e të gjithëve brenda natës, ishte e papritur dhe nuk e kapërdija dot.
L: Po kush mendon se e ka vuajtur më shumë publikisht dhe profesionalisht bërjen e lidhjes publike?
S: Ti më shumë se unë, sinqerisht. Dhe për këtë më vjen keq. Por vetë zgjodhe gocën e pronares (qesh).
L: Po të ardhmen tënde a e mendon këtu?
S: Të ardhmen time të afërt e mendoj këtu, por edukimi që unë kam marrë jashtë Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për mua. Edhe Londonit i duhet kjo eksperiencë. Dhe herët a vonë do na duhet të shkëputemi nga këtu, por sidoqoftë nuk mendoj se do të jetë e përhershme.
L: A të mbetur mendja tek komentet negative dhe fyese në rrjetet sociale karshi teje dhe familjes tënde?
S: Të them të drejtën nuk kam parë shumë komente negative, por edhe sikur nuk i vë shumë peshë. Rëndësi për mua kanë njerëzit që kanë një rol në jetën time, me të cilët edhe konsultohem për vendimet e mia. Jetojmë në një kohë ku për mirë, apo për keq çdo njeri mund të thotë çdo gjë për çdokënd, pa ju dridhur as dora e as zemra, pa menduar se mund ta fyejë tjetrin (dhe fyerja është më e pakta), por me kalimin e kohës e shkel njërin sy.
L: Meqë ra fjala tek komentet, si i ke pritur ato për dasmën, apo krahasimit tënd me “nuset e verës”?
S: Shiko, që mediat e bëjnë këtë gjë, është e drejta e tyre, xhanëm bëhet në të gjithë botën. Besoj se është pak e padrejtë, sepse secili ka preferencat e tij, zgjedhjet, dëshirat janë të ndryshme. Nëse dikush do të bëjë një stil make-up-i të ndryshëm nga tjetra, kjo nuk do të thotë që është më pak e bukur, bukuria është subjektive – mirëpo edhe të shkruash aty “dukesh si talasemike” përtej faktit që është fyese, është njëkohësisht injorante dhe e pandjeshme. Dasma ime, jonë, ishte si ajo që kam ëndërruar, doli shumë më mirë nga ç’prisja. Ankthi im i një viti, kur zgjohesha dhe flija me atë në mendje u shpërblye, dhe nuk ka asgjë apo asnjë që mund ta ç’bëjë këtë.
L: A ka Lori më shumë ndikim tek ty, apo ke ti më shumë tek ajo?
S: Ne të dyja plotësojmë mungesat e njëra-tjetrës. Jemi shoqja e ngushtë e njëra–tjetrës. Jemi si motra (qesh)…
L: Po me Redian?
S: Redia dhe unë jemi afruar shumë, sidomos vitet e fundit, sepse s’kemi patur shumë gjëra të përbashkëta. Por tani kemi gjetur atë copën e formueses që mungonte. Është shumë e afërt me London dhe bisedojmë shumë më shpesh se dikur.
L: Më thuaj një zgjedhje të Lorit, dhe një zgjedhje timen, që ti do e kishe bërë ndryshe?
S: Ty do të kisha ndërruar impulsivitetin tënd, reagimet që ti i ke të prera dhe të menjëhershme unë do i kisha menduar pak, do kisha numëruar deri në 10. Ndërkohë me Lorin konsultohem përpara çdo vendimi, kështu që s’kam…
L: Sa të rëndësishëm janë miqtë për ty? Ti s’ke një shok çun përshembull.
S: Unë nuk kam shumë miq, edhe për shkak se kam lëvizur shumë shpesh, jeta ime ka ecur rrokapjekthi. Sidoqoftë ato pak shoqe që kam, i kam shumë të vyera. Më pëlqen vetmia ime, nuk jam si disa që nuk bëjnë dot pa njerëz, por shoqet që kam, i kam të rëndësishme.
L: Lori e ka provuar të punojë në “Top Channel“ dhe të përfshihet në projekte të mëdha. Ti a e ke ambicien e të qënit në krye të “Top Medias“ një ditë?
S: Sigurisht, por pasi unë të kem përfunduar edukimin dhe kultivimin tim. Në ndryshim nga Lori, kjo s’ka qenë ëndrra ime. Asaj i vjen natyrshëm. Për mua do ishte të rrezikoja nëse nuk e ndjej veten gati. Unë shkoj gjithmonë me të sigurtën.
L: Çfarë të pëlqen më shumë nga “Top“-i sot?
S: Fakti që ka më shumë figura femërore se mashkullore në ekran. Nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë, janë femrat ato që drejtojnë.
L: Po që s‘e kisha menduar këtë gjë… kjo me siguri ngaqë aksioneret janë femra (qesh).
S: (qesh) Jo për atë. Por edhe ajo gjë e mirë është!
L: A ka diçka që ti e konsideron veten mjeshtre?
S: Mund të tingëllojë banale, pooor jam mjeshtre ëmbëlsirash.
L: Ndaj jam unë mbipeshë…
S: Ti je mbipeshë se ha konserva. Në një jetë tjetër do isha një pastiçiere në një provincë të Francës, një lloj Julia Child. Me siguri jam rimishërimi i saj.
L: Si e jeton jetën tënde çdo ditë?
S: Mendoj tërë kohës për të ardhmen. Gjithë energjia ime është aty. Ndonjëherë më vjen keq, sepse do doja të shijoja momentin e të mos e vrisja mendjen për të nesërmen, por nuk e bëj dot.
L: A ka Sara një master-plan për të ardhmen?
S: Dua të behem një avokate e zonja, pra jo nga këto që blejnë diplomën. Dua t’i përkushtohem me çdo gjë, sado e vështirë është. Dhe mbase të punoj diku në New York… një lloj Jessica Pearson prej vërteti.
L: Çfarë i trembesh më shumë?
S: Vdekjes! Jo times, por të familjarëve të mi…
L: Kush është frymëzimi yt më i madh?
S: Më frymëzon çdokush që ka arritur ëndrrat e veta, sado të vogla apo të mëdha të jenë në sytë e tjetrit. Në çdo moment të çdo dite është im atë. Edhe ti, admiroj faktin që ti ia dole nga hiçi edhe pse mund të kishe ngelur aty. Çdo ditë lufton të jesh i vërtetë, duke i qëndruar besnik parimeve të tua pavarësisht atyre që kërkon shoqëria, këtë e vlerësoj.
L: Ti ke kaluar një metamorfozë të jashtme dhe të brendshme? Sa mendon se ndikon (mbi)pesha tek dikush?
S: Ne jetojmë në një shoqëri ku të jesh i shëndoshë është gabim. Unë nuk dua të predikoj, s’e kam bërë kurrë. Përpara se unë të merrja vendimin për të bërë ‘By-Pass-in’ e stomakut kisha arritur në një fazë gati depresioni, kolesteroli kishte kapur majat, rreziku për diabetin ishte afër, nuk mundesha më të vazhdoja ashtu. Ishte vendimi më i mirë për mua. Unë nuk jam për shtambat. Nuk mendoj se dikush duhet të kritikohet për sa është shëndoshur, sa është dobësuar, se ka bërë gjoksin apo hundën, sepse në fund të ditës kjo nuk ka asnjë impakt për keq në jetën e tjetrit, përkundrazi. Nëse dikush është më i lumtur pasi humbet peshë, rrjedhimisht do të jetë më i lumtur me njerëzit që e rrethojnë dhe energjia kolektive do të ndryshojë për mirë.
L: A e vret mendjen ti për pamjen tënde?
S: Le të themi që nuk është fokusi im kryesor.
L: Çfarë më ke mësuar ti mua dhe çfarë të kam mësuar unë ty?
S: Unë të kam mësuar të jesh më i mirë dhe mirëkuptues karshi njerëzve që të rrethojnë. Ndonjëherë njerëzit thjesht gabojnë, por kjo nuk i bën ata të këqinj. Ndërsa ti më ke mësuar të jem vetja, për mirë apo për keq. Të bëj çfarë mendoj unë se është e drejtë pa asnjë lloj pishmani.
L: Nëse do kishe mundësinë e një dëshirë që ndryshon diçka në botën që jetojmë çfarë do të ishte?
S: Bullizmin, ose të qënit i keq me dikë në përgjithësi. Më mirë të mos thuash asgjë, sesa të thuash diçka negative. Të jetosh nuk do të thotë të marrësh frymë, do të thotë të mundohesh të sjellësh pak, sadopak dritë në shpirtin e dikujt. / revistawho.com
https://www.instagram.com/p/Bo9m074FwY5/?taken-by=revistawho