NGA REVISTAWHO.COM / FOTOT: PIRRO BEATI / FUSTANI I ZI: HANA OFFICIAL / BIZHUTERITË: SWAROVSKI – BY BEST ALBANIA
Vajzat e lajmeve janë të përkëdhelurat e publikut nazeli shqiptar, që ka për të thënë gjithmonë diçka për një këngëtare që i mbiu në sy, për një prezantuese që s’la emision pa dalë, për një aktore që s’ka punë tjetër veç të shfaqet ekran më ekran… ama me vajzat e lajmeve nuk mërzitet kurrë. Sepse një shikuesi që i do aq shumë lajmet nuk i duket asnjëherë e tepërt që të dëgjojnë një moderatore ekrani informativ për orë e orë të tëra, pa thënë kurrë u lodha. Ndaj edhe Bruna Çifligu, një prej vajzave të lajmeve, është e qetë për praninë e saj të përditshme në ekran. E ka testuar për vite e vite me radhë e tani, në një ekran me emër të madh si ‘EuroNews Albania’ është e sigurt që ka bërë zgjedhjen e duhur që nuk ka karkuar kurrë të bëjë lëvizje të mëdha, aq më pak eksperimente pas kamerave apo në terren. Është aty ku ndihet tërësisht brenda rrobave të saj, në tavolinën e lajmeve, para dritës së ndezur, që lajmëron se nuk ka kurrë një shans të dytë, je gjithmonë ‘live’ dhe duhet të bësh paqe edhe me lapsusin, edhe me ndonjë detaj që të ka shpëtuar, edhe me emocionet e lajmit të bujshëm që ndonjëherë s’i mban dot fshehur edhe me paktin e madh: ka festa, s’ka festa, ka pushime, s’ka pushime, je e mërzitur apo e gëzuar, duhet të jesh në punën që të do përherë pa ngjyra. Për këto e shumë të tjera, për zgjedhjet, dëshirat, lutjet, familjen e për këtë dreq viti, Bruna është e ftuara e radhës e revistës “Who”.
Si u bere pjesë e ‘EuroNews Albania’?
‘Euronews Albania’ ishte zgjedhja ime, doja të isha pjesë e televizionit më të ri në tregun mediatik shqiptar, por me një standard europian, pasi mbartte një logo të rëndësishme. Ishte i parë Franchise i Euronews, medias ndërkombëtare në Shqipëri. Përveç kësaj, ndjeja se kisha një nevojë për një ndryshim, diçka të re, sidomos pas një qëndrimi gati 9-vjeçar në një tjetër media të dashur për mua.
Çfarë bëhet ndryshe në këtë ekran?
Në ‘Euronews Albania’ punohet me kujdes që lajmi të jetë i paanshëm, bazuar në burime të sigurta. Nuk është abuzuar me lajmin e fundit për hir të klikimit në rrjetet sociale apo të shikueshmërisë. “Euronews, all views” është slogani ynë, që i jep zë të gjithëve dhe hapësirë të gjitha këndvështrimeve.
Të jesh e lidhur vetëm me lajmin dhe aktualitetin, siç ndodh në një ekran informativ, të bën të ndjekur vetëm nga një pjesë e vogël apo sa më shumë lajme aq më mirë për ne shqiptarët?
Që kur kam nisur rrugëtimin tim në media në vitin 2007, kam qenë pjesë e televizioneve informative. Më pëlqen ky format, sepse më pëlqen dinamika që krijohet, lidhjet e drejtpërdrejta, përcjellja e ngjarjeve dhe bisedat në studio. Bëhem pjesë e ngjarjeve, e një zhvillimi në vend, rajon dhe në botë dhe nuk kam menduar asnjëherë sa njerëz po më ndjekin nga ana tjetër e ekranit. Në televizionet informative, njerëzit ndjekin lajmin dhe unë këtë dua t’u përcjell, aty jam e fokusuar duke u munduar ta bëj sa më mirë punën time të përditshme.
A ke menduar ndonjëherë se do kish qenë më mire gazetaria pas kamerave?
Jo. Unë gazetarinë time e kam te lidhur me kamerën që kur e kam nisur atë. Televizioni është shumë i dashur për mua.
A mësohesh vërtet me kamerën dhe ekranin aq sa ajo drita që lajmëron se je ‘live’ s’të bën më asnjë përshtypje?
Po, tashmë pas kaq vitesh në studion e lajmeve drita e kuqe s’më bën aq përshtypje. Ti mësohesh me kamerën përballë teje, por çdo ditë është një emocion i ri. Por sigurisht që ka momente që përjetoj momentin e ‘live’ dhe këto janë të lidhura me situata të caktuara. Për shembull për ndonjë ngjarje kur nuk kam shumë kohë për ndonjë informacion më tepër dhe shoh që është ndezur drita e kuqe, pra nuk kam më kohë.
Cila është intervista që të ka bërë të ndihesh më mirë?
Të gjitha edicionet informative në ‘Euronews Albania’ prej 60 minutash përveç përcjelljes së lajmeve të ditës, kanë lidhje nga vendngjarja me gazetarët dhe korrespondentët, por dhe biseda në studio. Unë kam bërë shumë intervista për zhvillime nga vendi, rajoni e bota, e sigurisht ka intervista të dashura dhe të rëndësishme për mua, një prej të cilave është ish- ministri grek i financave Janis Varufakis, një personalitet botëror në fushën e financave dhe politikës. Një njeri i madh, por me një thjeshtësi për t’u admiruar. Tim Judah, gazetar britanik i luftës, inxhinerja e dashur për të gjithë tashmë, Luljeta Bozo apo dhe videoartisti ndërkombëtarisht Adrian Paci, të cilit i realizova një reportazh tek shtëpia e artit “Arthouse”. Ka sigurisht dhe të tjera me të cilat jam ndjerë mirë.
Ka ndonjë moment që ka ndodhur në një transmetim ‘live’ që do doje ta harroje?
Po dhe ka ndodhur. Gjatë këtij viti ka patur kaq shumë ngjarje e transmetime live për orë të tëra. Në javët e para të pandemisë kujtoj një intervistë me ‘Skype’ me një mjek shqiptar në Gjermani, të cilin e prezantova me emër e mbiemër tjetër si dhe specialitet tjetër nga çfarë e kishte realisht. Ai u vetëprezantua ndryshe…kjo më bëri të ndihesha keq.
Ka një personazh që nuk do lodheshe kurrë së intervistuari dhe ka një tjetër që s’do doje ta kishe më kurrë përballë?
Ka shumë personazhe të cilët s’do lodhesha kurrë së intervistuari disa herë. Disa mjekë brenda dhe jashtë vendit i intervistoja me dëshirë edhe për faktin se përgjigjet e tyre ishin të vlefshme dhe unë i dëgjoja me shumë vëmendje, isha tërësisht e përqëndruar në ato çfarë thonin. Nuk besoj se ka personazhe që s’do doja t’i kisha kurrë përballë.
Spikeri dhe lapsusi, si është kjo marrëdhënie për ty?
Lapsusi është njerëzor dhe ndodh. Aq më tepër në transmetime të drejtpërdrejta e të gjata. Mund të kesh një informacion të pasaktë që më pas verifikohet, mund të harrosh një emër, një detaj, mund të ngatërrohesh me fjalët e tua apo ndodh që bëhesh pjesë e një lapsusi teknik.
A i lejohet një gazetari të tregojë emocionet kur përcjell një lajm me ndikim të fuqishëm te publiku?
Parimisht gazetari nuk duhet të përfshihet në një ngjarje, gazetari duhet të raportojë. Po ashtu dhe moderatori duhet të përcjellë lajmin përmes kamerës, ta përcjellë atë saktë, i papërfshirë emocionalisht, të mos japë mendimin e tij. Por ka ngjarje kur është e pamundur të mos përfshihesh. Kujtoj tërmetin e 26 nëntorit, ne kishim pak ditë që kishim nisur transmetimet. Ishin momente të dhimbshme me humbje jete apo dhe momente të bukura, siç ishte nxjerrja i gjallë i një të riu nga rrënojat, pra e pamundur që ti të mos ndiejë ndërsa moderoje. Kujtoj intërvistën në studio me Skënder Bratajn, kreun e urgjencës kombëtare së bashku me një djalosh të ri, pjesë e ekipit të urgjencës, të cilët rrëfenin punën e tyre të vështirë tek rrënojat, përballjen me njerëzit që kërkonin ndihmë. Zoti Brataj u përlot, gjë që më preku shumë. Kujtoj një tjetër intervistë, ndonëse me ‘Skype’, më krijoi një gjëndje të trishtë. Intervista me Gresa Krasniqin, vajzën e Jakup Krasniqit, ish- kryetar i kuvendit të Kosovës, të cilët për 8 orë u bastisën nga forcat e Eulexit dhe u duhej për orë të tëra të qëndronin të ngujuar në një dhomë. Ishte një rrëfim prekës…
Si janë vajzat e lajmeve? A janë shoqe me njëra-tjetrën?
Janë dhe nuk janë shoqe. Ndoshta ekrani të imponon një lloj konkurrence që shpesh krijon dhe ndjenja xhelozie. Por shpesh kjo ndodh dhe në sektoret e tjerë, jo vetëm tek vajzat e ekranit. Unë personalisht kam patur marrëdhënie të mira me të gjitha koleget e mia, sigurisht ka patur dhe fërkime. Nuk më pëlqen të krijoj situata të pakëndshme, i evitoj ato.
A ke model ndonjërën prej tyre? Apo ndonjë tjetër që do thoje “largqoftë” nëse thonë qe ngjan me të?
Jo, nuk kam ndonjë model. Jam në luftë me veten e në përpjekje të vazhdueshme për të bërë sa më mirë punën time. Kërkoj çdo ditë tek vetja më të mirën, nuk kënaqem lehtë.
A është e lodhshme të jesh çdo ditë në formë, të dukesh bukur e të flasësh mirë, si ia bën ti? Të kap stresi për këtë?
Ndoshta për mua jo dhe aq. Sepse nuk jam aq e fiksuar të dukem bukur në çdo kohë. Nuk më pëlqen të rregullohem më shumë seç duhet meqë dal çdo ditë në ekran. Përditshmëria në punë është veshje sportive, ndërsa daljet në mbrëmje apo në evente pak më shumë impenjim.
Çfarë të pëlqen jashtë studiove? Nëse do kishe një “ditë gocash” çfarë do të doje të bëje?
Sigurisht daljet me shoqet janë gjithmonë të pëlqyera. Një “ditë gocash” së bashku me mikeshat e mia, diku jashtë qytetit, sidomos në natyrë do ishte perfekte. Pas një viti kaq lodhshëm dhe të izoluar, një ditë e tillë do ishte fantastike.
Si ka qenë ky vit për ty?
Nje vit i lodhshëm (shumë transmetime live, shumë ngjarje). Një vit plot ankth, pasiguri, por sigurisht dhe ditë të bukura që janë në familjen time dhe dashuria e dy fëmijëve të mi. Në aspektin profesional ka qenë një vit i mirë për mua, ndonëse me shumë sfida, por kjo më ndihmon pasi unë rritem profesionalisht, çdo ditë që kalon është një eksperiencë e re.
Një njeri që adhuron udhëtimet si ty, çfarë bën kur një virus të mbyll të gjitha rrugët?
Më mungojnë shumë udhëtimet jashtë vendit. Vitin e kaluar ishte Krakow në Poloni dhe Prage në Çeki, destinacionet e mia dhe Athina si një vend relaksi pas largimit nga puna e mëparshme. Por pandemia na ka bërë të eksplorojmë Shqipërinë. Gjatë verës bashkë me familjen zbuluam vende e plazhe që nuk i kishim provuar më parë, por jo vetëm. Rivizituam ndoshta pas shumë vitesh, qytetet dhe fshatrat turistikë të Shqipërisë. Në këtë prizëm, ka qenë një vit i bukur.
Prindërit që bëjnë profesione të vështira apo që kërkojnë shumë angazhim, nuk kanë dëshirë që edhe fëmijët të ndjekin të njëjtën rrugë, je ti një prej tyre?
Gazetaria është një profesion që kërkon angazhim. Të punosh në televizion, pushimet janë të kufizuara dhe kur ka ngjarje, ti duhet të rrish në punë me orë të tëra. Fëmijët e mi janë ende të vegjël dhe ende nuk kam menduar seriozisht për profesionin e tyre. Kam preferencat e mia dhe ua them për shaka, por sigurisht do jenë ata që do zgjedhin. Nëse do donin gazetari pse jo, por do preferoja vajzën.
Kanë filluar t’i shfaqin shenjat dhe dëshirat e para fëmijët e tu?
Ende jo se janë të vegjël. Përmendim profesione të ndryshme, por janë ende në fazën e shakave, të cilat unë nuk i mbështes.
Lutja jote për Babagjyshin këtë fundvit?
Kjo pandemi të largohet njëherë e përgjithmonë! Covid na riktheu sytë dhe vëmendjen tek shëndeti që shpesh për shkak të përditshmërisë e anashkonim. Prandaj për shëndet është gjëja e parë që do t’i lutem Babagjyshit. Sigurisht një vit me më shumë arritje profesionale në ‘Euronews Albania’ që është kthyer në shtëpinë time të dytë. /revistawho.com